“Java e Fëmijës”, Avokati i Popullit: Çdo fëmije duhet t’i sigurohen kushte për jetë

Të gjitha shtetet-anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), javën e parë të muajit tetor e shënuan si Javë të Fëmijës, me qëllim që të rikujtojnë se shtetet nënshkruese të Konventës për të Drejtat e Fëmijës është e nevojshme të sigurojnë kushte për implementimin e plotë të parimeve dhe të drejtave të cilat burojnë nga kjo Konventë. 

Në këtë drejtim Avokati i Popullit si organ i cili posaçërisht kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës përmes Seksionit të posaçëm për fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara rikujton se përgjegjësia për fëmijët është e të gjithë komunitetit, i të gjithë neve dhe se çdo vendim i cili ka të bëjë me fëmijën apo, është në lidhje me të drejtat e tyre duhet të jetë në interesin më të mirë të tij, pa diskriminim dhe me respektim të mendimit të tij.

Duke drejtuar apel për ngritjen e nivelit të ndjeshmërisë së shoqërisë për rëndësinë e respektimit të të drejtave të fëmijës, Avokati i Popullit thekson se të gjithë fëmijët janë të barabartë në të drejtat, se çdo fëmije duhet t’i sigurohen kushte për jetë normale, strehim dhe ambient të ngrohtë, kushte që të rritet me kujdesin dhe dashurinë e më të afërmve, të arsimohet papengesë, të ketë qasje në nivelin më të lartë të mbrojtjes shëndetësore, si dhe të mbrohet nga çdo lloj abuzimi, dhune ose neglizhence.

“Kjo javë le të jetë nxitje për të gjithë ata të cilët punojnë me fëmijë ose në interes të fëmijëve, më me seriozitet dhe më me përkushtim të vazhdojnë me aktivitetet për përmirësimin e gjendjes me të drejtat e fëmijës, duke i përfshirë çdoherë kur një gjë e këtillë është e mundur dhe e nevojshme, duke e dëgjuar dhe respektuar mendimin e tyre, sepse kjo është njëra nga mënyrat me të cilat shoqëria do të tregoj se me të vërtetë angazhohet dhe kujdeset për të mirën e çdo fëmije”, thuhet në kumtesën e Avokatit të Popullit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button