Bujar Osmani pret që vizita e tij në Sofje të krijojë energji të re politike mes dy shteteve

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot  do të qëndrojë në vizitë pune në Republikën e Bullgarisë dhe do të realizojë takim me kryeministrin e Bullgarisë Bojko Borisov dhe zëvendëskryeministren bullgare për Reformë në Drejtësi dhe ministren e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, shkruan Portalb.mk.

“Kjo është vizita e parë bilaterale e Ministrit Osmani dhe është në frymën e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe intensifikimit të dialogut politik. Në takim do të shqyrtohen mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë, mbrojtjes, turizmit, arsimit, kulturës, si dhe të gjitha fushave tjera në të cilat arrihet një bashkëpunim i suksesshëm në përputhje me përpjekjet për zbatimin e Marrëveshjes së miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Po ashtu, ministri Osmani me homologen e tij, Zaharieva, do të shqyrtojnë angazhimet aktuale dhe të ardhshme në pritje të takimeve dhe të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 10 nëntor në Sofje.

Osmani pret që vizita e tij në Sofje të krijojë një energji të re politike, e cila do të kontribuon në zgjidhjen e kontesteve historike mes dy shteteve. Ditë më parë, ai deklaroi se pas vizitës së tij, do të ketë edhe takime mes kryeministrave dhe vendi do të hyjnë një model të ri të komunikimit me Bullgarinë. Osmani është shprehur optimist se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të gjejnë zgjidhje për konstestet historike që kanë mes vete..

“Nga informacionet që kam nga komisioni, ka një marrëveshje preliminare për takim më 15 tetor, i cili presim të finalizohet. Ajo çfarë mund të them është se ne marrim obligimet nga marrëveshja e arritur me Bullgarinë për të realizuar të gjitha ato obligime që dalin nga kjo marrëveshje. Ashtu siç presim që edhe Republika e Bullgarisë të marrë obligimet e veta nga kjo marrëveshje. Obligimet tona janë se komisionet do të punojnë jashtë ndikimit të politikës, me të gjitha parakushtet për të gjetur pika të përbashkëta në interpretimin e dallimeve historike. Ka pasur një ngadalësim të takimeve si rezultat i pandemisë, por nuk duhet të nënçmojmë se brenda kësaj periudhe prej rreth 20 muajsh ka pasur nën takime, në të cilat janë zbardhur dy epoka historike, është arritur konsensus në mënyrën e shënimit të pesë figurave të rëndësishme historike”,  deklaroi Osmani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button