Agimi i artë

Një parti politike u shpall organizatë kriminale në shtetin fqinjë me ne, në Greqi. Dje u përmbyll procedura penale në të cilën liderët e partisë politike “Agimi i artë” dhe deputetët të cilët kjo parti i kishte në përbërjen e mëhershme parlamentare në Greqi u shpallën pjesëtarë në organizatë kriminale, fajtorë për një sërë aktesh dhune mes të cilave edhe vrasja e një muzikanti anti-fashist që ndodhi në vitin 2013. Kjo parti që ka funksionuar si organizatë neo-naziste që në vitet 1990, fitoi pushtet në vitin 2012, në kohën kur Greqia u godit nga kriza ekonomike.

Në zgjedhjet e atëhershme parlamentare, kjo parti fitoi 12 deputetë në parlamentin grek dhe u bë forcë politike e cila nuk mund të konsiderohej si e parëndësishme. Procesi penal i cili u përmbyll dje filloi në vitin 2013 kur edhe ndodhi vrasja e Pavlos Fyssas, këngëtari i cili haptazi me muzikën e vetë kundërshtonte fashizmin që shpërndante kjo parti. U deshën 7 vite që të përfundojë ky rast, 7 vite që fashizmi të marë dënim, 7 vite që të vendoset drejtësia dhe krimi të quhet me emrin e vërtetë: organizatë kriminale. 68 veta u shpallën fajtorë, mes të cilëve edhe vetë kreu i kësaj partie. U dha ndalesë për veprimtarinë e mëtejshme të partisë e cila si person juridik u shpall organizatë kriminale. Ishte ditë e shënuar në Greqi. Ishte ditë me mesazh të madh që duhet të përçohet në gjithë Ballkanin, në gjithë Evropën dhe në gjithë botën: fashizmi nuk mund të tolerohet, adhurimi i politikës naziste nuk mund të ketë vend në shekullin e 21, drejtësia duhet dhe mund të vendoset.

Cilat janë mësimet që mund t’i nxjerrim nga kjo ngjarje me rëndësi historike?

Mësimi i parë që mund të nxjerim është diçka e njohur botërisht. Partia nacional-socialiste e Hitlerit erdhi në pushtet në Gjermani në vitin 1932, në kulmin e depresionit ekonomik mes dy luftërave botërore. Po ashtu, partia “Agimi i artë” fitoi pushtet në vitin 2012 kur Greqia përballej me krizën më të madhe ekonomike. Mësimi i parë pra është se varfëria shkakton radikalizëm, pakënaqësi të përgjithshme, ku faji kërkohet të hidhet tek grupet e vogla etnike si fajtorë. Në Rajhun e Tretë fajtorët ishin hebrenjtë, në Greqi fajtorët ishin emigrantët. Gjithmonë kërkohen fajtorë në kohëra krize, dhe në ato kohëra propaganda ndaj grupeve të caktuara bëhet më e fuqishme dhe të njëjtës i besojnë më shumë njerëz të cilët me çdo kusht duhet të fajësojnë dikë për problemet ekzistenciale me të cilat përballen.

Mësimi i dytë është që neo-nazizmi nuk luftohet lehtë dhe kërkon kohë për tu përballur. Ka raste edhe kur subjektet politike nuk duan ta luftojnë të njëjtin. Ka raste kur kalkulojnë politikisht me pushtetin politik që partitë e tilla të së djathtës ekstreme e kanë. Kështu në të kaluarën Demokracia e re si parti e së djathtës në Greqi nuk ka qenë shumë e interesua për përndjekjen e partisë “Agimi i artë”, për shkak se e njejta shërbente si kundërpeshë ndaj Sirizës që është partia majtiste në këtë shtet. Kalkulime të tilla shihen gjithkund nëpër Evropë, ku skena politike zhvendoset gjithnjë e më shumë nga e djathta, për të mos e irrituar popullin i cili voton për partitë e së djathtës ekstreme dhe politikat e tyre anti-imigrante, gjithnjë e më shumë nga një cikël në ciklin tjetër zgjedhor. Mjafton të shihet rritja e Lë Pen në Francë për ta kuptuar këtë realitet politik. Kalkulime të tilla gjithnjë e më shumë do të bëhen edhe në vendin tonë ku e Majta, që funksionon si e Djathta ekstreme tani po ashtu është subjekt politik i përfaqësuar në parlament. Në kushte ku koalicionet qeveritare krijohen me shumica të ngushta, vlera që kanë votat e ekstremistëve bëhet e rëndësishme, ndërsa bartja e përgjegjësisë për krimet e tyre eventuale, bëhet e vështirë.

Mësimi i tretë që lidhet me mësimin e dytë është se partitë e tilla vështirë luftohen juridikisht kur janë ende bartës relevantë të pushtetit. Kështu, Agimi i artë para se të shpallet organizatë kriminale, së pari i humbi zgjedhjet dhe nuk arriti të fitojë mandate deputetësh edhe përkundër 12 mandateve që i fitoi në 2012. Pra mësimi është se kur bëhet fjalë për partitë politike, zakonisht gjykata pret verdiktin e popullit para se ta japë verdiktin e vet. Prandaj është e vështirë të shpallen si organizatë kriminale një sërë partish politike që funksionojnë si të tilla e megjithatë janë parti të cilat përkrahen nga numër i madh votuesish. Kur bëhet fjalë për kriminalitetin e partisë politike, është populli ai që duhet ta japë i pari verdiktin përmes votës, që më pas edhe institucionet shtetërore ta ndjekin atë vullnet.

Mësimi i katërt sërish në lidhshmëri me të tretin është se parti që funksionojnë si organizata kriminale ka gjithandej, duke përfshirë edhe vendin tonë. Ka edhe rast gjyqësor për financimin e partisë politike VMRO-DPMNE, ka një sërë raportesh nga gazetarë investigativë të cilët kanë analizuar keqpërdorimin e donacioneve për partinë, dhe të mos harrojmë që kjo parti korrespondon me buxhet më të lartë se vetë partia e Angela Merkel, CDU në Gjermani. Finansimi i partive politike është diçka që duhet studiuar thellësisht e ku domosdoshmërisht ka shumë çështje juridike që duhen sqaruar. Sa për funksionimin si organizatë kriminale, atë qartazi e dëgjuam nga bisedat e përgjuara ku shihej mirë që partia kontrollonte të gjitha institucionet e shtetit dhe ku vullneti i majës së partisë ishte ai që kontrollonte jetët e të gjithë qytetarëve. E megjithatë, përgjegjësia assesi të vendoset në gjykatë. Kjo sigurisht është kështu sepse partia në fjalë në realitetin tonë politik vazhdon të jetë subjekt thelbësor, me pushtet aq të lartë sa që në zgjedhjet e fundit parlamentare rrezikonte të jetë formues i qeverisë. Deri sa ky pushtet i saj që vjen nga populli që i jep aq shumë besim asaj partie është kaq i fuqishëm, bartja e përgjegjësisë do të jetë pothuajse e pamundur.

Mësimi i pestë dhe i fundit është mesazh pozitiv. Dënimi i Agimit të artë në Greqi, mbyllja e partisë dhe shpallja e saj si organizatë kriminale është megjithatë shpresë se partitë politike, që në shumë vende konsiderohen si entitete të paprekshme, janë në fakt të dënueshme. Ato megjithatë janë vetëm një subjekt i thjeshtë juridik. E në të gjitha shtetet moderne, personat juridikë bartin përgjegjësi penale. Sepse megjithatë, personat juridikë mund të kryejnë vepra penale – Societas delinquere potest.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button