UNSHM: 15.5 milion euro shkuan dëm, shqyrtojmë mundësinë e bojkotit të mësimit online

Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme edhe pse paraprakisht pranuan që të mbajnë mësimin online në muajin tetor në mënyrë që të ndjekin gjendjen epidemiologjike për muajt në vijim, cilësojnë se Platforma Kombëtare nuk funksionon ashtu siç u premtua dhe për këtë, shqyrtojnë mundësinë e bojkotit, nga kjo organizatë përmendin shifra të mëdha parash që janë harxhuar për platformën duke shtuar se e njëjta po dështon, shkruan Portalb.mk.

Duke respektuar epidemiologët dhe ekspertët në vend, 20 ditë më herët UNSHM-ja u pajtuan përkohësisht me vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për mbajtjen e mësimit online, kështu deklaroi Hodai një muaj më herët.

“Nga java e kaluar, ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me nxënës të shkollave të mesme nga gjithë qytetet e vendit. Kemi konsideruar të gjitha opsionet që janë në dobi të nxënësve dhe të shtunën është marrë njëzëri vendim që të bëjmë kompromis me institucionet. Duke respektuar epidemiologët, viti shkollor të filloj nga 1 tetori nga distanca” tha Blendi Hodai.

Ndërkaq sot, përmes një kumtese nga kjo organizatë joqeveritare potencojnë se 15.5 milion eurot e shpenzuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për nevojat e mësimit online kanë shkuar dëm, sepse siç thotë Hodai, mësimi online aktualisht nuk rezulton të jetë i suksesshëm.

“Ministria shpenzoi 15.5 milion euro për këto nevoja. Miliona euro. Rezultati – platforma dështoi në provën e parë. Faqja nuk arriti të kalonte as orën e provës, orë para 1 Tetorit. Edhe pse deklaratat e Ministrisë shkojnë në drejtimin që mësimi në internet është i suksesshëm, informacioni ynë tregon të kundërtën”, raportojnë nga UNSHM.

Unioni raportoi se në shumë shkolla platforma nacionale nuk përdoret.

“Në vend të schools.mk, nxënësit  përdorin  Microsoft teams. Pra, 15.5 milion euro janë përdorur për një faqe në internet të papërdorshme. Një problem shtesë është afati kohor. Platforma u krijua vonë”, deklarojnë nga UNSHM.

Ata theksojnë edhe pamundësinë që gjithë mësimdhënësit të trajnohen për përdorimin e platformës.

“Një problem tjetër me mësimdhënien në internet është disponueshmëria e internetit në shkolla”, raportojnë nga Unioni, duke sqaruar se në konvikte shkollore as nuk ka filluar mësimi për shkak internetit të dobët në konviktet shkollore.

Ata vlerësojnë se në këtë periudhë nuk po respektohet shëndeti i nxënësve, cilësia e mësimdhënies dhe parandalimi i pasojave negative shoqërore.

“UNSHM do të shqyrtojë mundësinë e bojkotimit të orëve në internet, sepse Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka përmbushur kërkesat tona. Duke ditur të gjitha pikëpamjet dhe ndjenjat e ndryshme mbi këtë temë, ne ftojmë të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të bashkohen me ne në gjetjen e një zgjidhjeje që do të jetë e mirë për të gjithë”, paralajmërojnë nga Unioni.

Sot duke brohoritur “Duam shkollë” dhe “Stop platformës” nxënësit e shkollave të mesme në Tetovë sot marshuan nga Gjimnazi “Kiril Pejçinoviç” deri në sheshin “Ilirija”. Ata thanë se të gjithë nxënësit janë për mësim me prezencë fizike ndërkaq ata që nuk bojkotojnë, sipas tyre, e bëjnë këtë për shkak të kërcënimeve që ju vijnë nga kompetentët. Zëvendës ministri Arafat Shabani tha se edhe ai dëshiron mësimin me prezencë fizike por jo gjithçka shkon sipas dëshirës, i njëjti shtoi se orët e humbura do të zëvendësohen gjatë stinës së verës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button