Varhejl kritikoi punën e Kuvendit: Kemi parë me shqetësim rritjen e numrit të ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar

Vazhdimi i luftës kundër korrupsionit pa pengesa, përpjekje shtesë që të sigurohet respektim i plotë i parimit të transparencës dhe meritokracisë në reformën e administratës publike, janë disa nga pikat që kërkon nga vendi eurokomesari për zgjerim, Oliver Varhejl, i cili sot mbajti një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ai ka rikujtuar Kuvendin për rolin kyç që përbën për sigurimin e demokracisë dhe në fushën e reformave për përgatitjen e vendit për BE, raporton Portalb.mk.

Ai tha se është i inkurajuar nga synimi i Qeverisë së re për avancim të mëtejmë të agjendës së BE-së, por ka kritikuar Kuvendin për ligjet që ka sjellë me procedurë të shkurtuar dhe ka kërkuar që Kuvendi të zbatojë reforma me shpejtësi më të madhe.

Varhejli në Kuvend

“Është e rëndësishme që të ketë koordinim dhe planifikim të punës mes Qeverisë dhe Kuvendit. Duhet të dini cilat ligje apo raporte ju afrohen, ta planifikoni punën e komisioneve dhe seancat plenare në mënyrë të duhur dhe ta realizoni rolin tuaj në mbështetjen dhe ndjekjen e fazës së negociatave. Kjo shtëpi, si forum primar për debate konstruktive dhe inkluzive ka rol kyç që duhet ta kryejë. Kemi parë me shqetësim rritjen e shfrytëzimit të procedurave të shpejta të miratimit të legjislacionit të ri. Ju inkurajojmë që të siguroni konsultime adekuate dhe debate demokratike, me përdorimin e procedurave normale dhe të rregullta”, theksoi Varhejl.

Sa i përket seancës së parë ndërqeveritare që duhet të shënojë edhe fillimin zyrtar të negociatave, Varhejl tha se, komisioni ka tejkaluar qorr-sokakun në Këshillin për hapjen e negociatave qasëse me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, falë metodologjisë së re të zgjerimit, komisioni ka propozuar kornizë për negociata dhe po rrjedhin diskutimet në këshill.  Ai është shprehur optimist se së shpejti pasi vendet anëtarë të dakordohen për kornizat, do të mund të thirrin konferencat e para ndërqeveritare për fillim zyrtar të negociatave.

Varhejli në Kuvend

“Kjo është dita e parë nga fillimi i ri. Presim nga ju, na duheni këtu dhe tani. Në këtë aspekt, pakoja e zgjerimit 2020 së bashku me planin ekonomik dhe investues jep pasqyrë të detajuar të gjendjes me reformat themelore dhe udhëzime për këto reforma prioritare, që mbesin në bërthamën e procesit të qasjes në BE. Këto baza vazhdojnë të mbesin kushte të domosdoshme që duhet të përmbushen, jo vetëm që të arrihet sukses planin ekonomik dhe investues, por edhe të shkohet përpara në rrugën drejt BE-së”, deklaroi eurokomesari

Vizita e Varhejlit në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet ditëve në vijim, është që t’ua prezantojë vendeve planin ekonomik dhe investues për vendet e Ballkanit Perëndimor të propozuar nga KE. Megjithatë, edhe për realizimin e këtij plani, Varhejl tha se qeveritë duhet të tregojnë përkushtim dhe rezultate konkrete.

“Vlerësimi i ri është se nxitja e rritjes ekonomike dhe investimeve në Ballkanin Perëndimor do të jetë e mundur vetëm nëse qeveritë përkushtohen fuqishëm në zbatimin e reformave themelore të bazuara në vlerat evropiane, pa dallim nëse janë reforma strukturore ekonomike, përforcim i sundimit të së drejtës apo përmirësim i administratës publike. Këto reforma janë të rëndësisë thelbësore për krijimin e  një mjedisi të favorshëm për sipërmarrësit për krijimin e vendeve të punës dhe investime të qëndrueshme”, tha Varhejl.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button