Tetovë, studentët që nuk trajtohen si studentë: Përballë harxhimeve, pa kushte, madje as pa transport (Infografik)

Transportin, ushqimin dhe gjithçka tjetër studentët e Maqedonisë së Veriut e paguajnë në mënyrë të njëjtë si qytetarët e tjerë, respektivisht për këta të fundit nuk ka asnjë zbritje apo beneficion, ashtu siç bëjnë vendet e BE-së, ku edhe aspirojmë të anëtarësohemi. Studenti Fisnik Xhelili na tregoi sfidat dhe harxhimet ditore për të arritur te librat, ndërkaq nga MASH nuk kanë në plan vendosjen e sistemit të “Kartelave studentore”, shkruan Portalb.mk.

Fisnik Xhelili është student në vitin e tij të fundit në Fakultetin e Komunikimit Ndërkombëtar, ai foli për sfidat me të cilat haset çdo mëngjes në tentativë për të mësuar, si pasojë e mungesës së transportit publik dhe lëshimeve tjera të nevojshme për studentë.

Fisnik Xhelili
Fisnik Xhelili

“Jetoj në një fshat jo shumë afër Tetovës, ku edhe studioj. Jo, nuk kemi transport publik i cili do të kishte orare fikse, zgjohem çdo mëngjes dhe dal në rrugë pres furgon në mënyrë që të arrijë në ligjërata në kohë, ka raste kur vonohem për shkak se nuk është përshtatur orari i mjetit transportues me atë të ligjëratave, gjithashtu, dimrit është ftohtë, presim jashtë, jo vetëm unë po ka shumë student tjerë si puna ime”, tha Fisnik Xhelili, student.

Nga Odri në Tetovë çmimi për kombin është 40 denarë, megjithatë, ai këtë rrugë e kalon çdo ditë edhe atë nga dy herë, që në total është 80 denarë, në qoftë se ja shtojmë këtu edhe 40 denarë nga Universiteti deri në qendër për të marrë furgonin e radhës, totali del 120 denarë, çdo ditë.

“Gjithashtu, nuk ka asnjë lirim për studentët, marrë parasysh faktin se mua edhe kolegëve të mi na bie të udhëtojmë për çdo ditë, paguajmë rreth 120 denarë në ditë, e vërtetë se 40 denarë është deri në Tetovë, megjithatë, bëhet fjalë për tre destinacione, për shkak se te Universiteti nuk ka furgonë, janë larg, në qendër të qytetit, nuk na del koha që të ecim”, theksoi Fisnik Xhelili.

Nuk mjaftoi kjo, në kupën e problemeve dhe sfidat me të cilat hasen çdo ditë studentët për shkak të mos pasjes së transportit publik, u shtua edhe pandemia me virusin korona, gjë që sipas Xhelilit, ka rrënduar atë dhe kolegët e tij jashtëzakonisht shumë në aspektin psikik.

Të detyruar dhe duke mos pasur alternativë tjetër, Xhelili me miqtë e tij çdo ditë hipin në furgon ku distanca fizike është e pamundur, e më pas kthehen në shtëpi, këtu sipas tij fillon ankthi.

Foto nga kombi me të cilin udhëtojnë çdo ditë studentët.
Foto nga kombi me të cilin udhëtojnë çdo ditë studentët.

“Përveç probleme të cilat i theksova lartë, tani me pandeminë e virusit korona na u shtua edhe një, frika nga infektimi që besa, në furgonët me të cilit udhëtojmë ne, një gjë e tillë është shumë e mundshme. Nuk ka gjasa teorike e as praktike që në ato mjete transportuese të mbahet distanca e nevojshme, kjo më shkakton shumë stres, për shkak se unë pas mësimit kthehem në shtëpi te prindërit, gjithmonë është ajo frika mos t’i infektoj ata” shtoi Xhelili.

Përveç kësaj, çmimet e produkteve në Tetovë e sidomos në pjesën e lagjeve studentore, nuk ka asnjë lirim të çmimeve për studentët të cilët hanë çdo ditë aty, sipas Xhelilit “gjithçka madje është shumë shtrenjtë, marrë parasysh se bëhet fjalë për një qytet me dy Universitete, një lëng portokalli kushton nga 80 deri në 100 denarë”.

Çelësi për zgjidhjen e kësaj problematike, qëndron në shtetet e Bashkimit Evropian, si veprojnë ata?

Praktikë e një pjese të madhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian është “Kartela Studentore” e cila merret nga vetë Universitetet dhe mund të shfrytëzohet në biblioteka, transport publik, restorante dhe të gjithkund tjetër ku studentët kanë nevojë për një shërbim.

Sipas “Education in Europe”, Republika e Sllovenisë i ndan këto kartela studentore për të gjithë personat që studiojnë në këtë shtet, pa marrë parasysh a janë shtetas apo jo.

Çfarë të mirash sjell “Kartela studentore”?

  • Çmime më të lira në kafene dhe restorante, në disa restorante studentët ushqehen pa pagesë.
  • Kartelat Studentore mund të shfrytëzohen dy herë në ditë.
  • Çmimi i Transportit Publik lirohet për 50% apo më shumë.
  • Lirime në çdo institucion publik apo privat që janë të nevojshme për studentët

Mund të realizohet praktika e shteteve të BE-së në RMV?

Edhe pse pyetje e Portalb.mk drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ishte në lidhje me mundësinë e kyçjes së “Kartelës studentore” edhe në Maqedoninë e Veriut, të njëjtit nuk u përgjigjën për këtë, që le të kuptohet se nuk kanë një plan të tillë.

Megjithatë, nga kjo ministri na thanë se transporti publik si për studentët ashtu edhe të gjithë qytetarët, është kompetencë e vetëqeverisjeve lokale, respektivisht komunave, ata shtojnë se për të gjithë studentët këtë vit do të sigurohet transporti dhe akomodimi falas.

“Organizimi i transportit publik është obligim i vetëqeverisjeve lokale. Ministria për Arsim dhe Shkencë informon se në procedurë janë ndryshimet ligjore për standardin studentor me të cilin në kushte të rrethanave të jashtëzakonshme (krizë, epidemi, pandemi, zjarr, etj) do të mbulohen harxhimet e transportit apo akomodimin të studentëve të universiteteve publike të cilëve ju është pranuar kërkesa për akomodim në konviktet studentore dhe ndjekin mësimin me prezencë fizike apo të kombinuar, mirëpo për shkak të numrit më të vogël të krevateve në konviktet studentore nuk mund të akomodohen aty. Këtyre studentëve do të ju paguhet një shumë mujore për mbulimin e harxhimeve të akomodimit privat apo një shumë mujore për mbulimin e harxhimeve të transportit nga vendi i jetesës deri në vendin ku vazhdon studimet” nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ndërkaq nga Komuna e Tetovës dje për Portalb.mk thanë se procedura për sigurimin e pesë autobusëve përsëri është rikthyer në pikën 0, arsyeja për këtë sipas tyre është “mos plotësimi i kushteve nga ana e ofertuesve”, gjë që e shtyn sigurimin e autobusëve edhe për disa muaj, respektivisht nga data 27 e këtij muaji bëhet mbyllja e prokurimit publik me çrrastë do të duhet të ishte zgjedhur ofertuesi i autobusëve.

Ndryshe, sipas Agjencisë për Punësim në Maqedoninë e Veriut, kriza e shkaktuar nga pandemia me virusin korona ka lënë pa punë 12 mijë persona dhe prej tyre 3 mijë e 300 janë nën moshën 29 vjeçare, që i bije se çdo i katërti i personave që kanë humbur punën të jetë i ri

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button