Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë ku edhe do të vazhdojë mjekimin

Presidenti i Amerikës Donald Trump, mbrëmjen e së hënës u kthye në Shtëpinë e Bardhë,  72 orë pasi qëndroi në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed, njofton Portalb.

Largimin e tij nga spitali Trump e paralajmëroi paraprakisht në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter.

“Unë do të largohem nga qendra e mrekullueshme spitalore Walter Reed sot në orën 18:30. Ndjehem shumë mirë! Mos u frikësoni nga Covid. Mos lejoni t’ju dominojë jetën tuaj. Unë ndihem më i ri se 20 vite më parë!”, ka shkruar Trump në Twitter.

Presidenti nuk dha komente për gazetarët kur iu drejtua makinës që e dërgoi te helikopteri presidencial në oborrin e spitalit, transmeton Zëri i Amerikës. Ai gjithashtu nuk foli për shtypin kur mbërriti në Shëpinë e Bardhë, por u ngjit në shkallët e pjesës jugore dhe qëndroi për më shumë se një minutë në ballkon, duke përshëndetur largimin e helikopterit presidencial.

“Megjithëse nuk është krejtësisht jashtë rrezikut, unë dhe ekipi mjekësor jemi të mendimit se analiza e gjendjes së tij të përgjithshme, mbështesin kthimin e tij” në Shtëpinë e Bardhë, ku një ekip mjekësor dhe pajisje të sofistikuara mjekësore do të jenë në dispozicion të nevojave shëndetësore të presidentit 24 orë në ditë, tha në një konferencë për media të hënën pasdite Dr. Sean Conley, mjeku kryesor i presidentit.

Presidenti Trump para se të lajmëronte largimin e tij nga spitali, në Facebook kritikoi raportimet e mediave për daljen përkohësisht nga spitali, duke thënë se këtë e kishte bërë në shenjë falënderimi për ata që qëndronin jashtë. Po të mos e bënte, tha ai, sërish media do të thoshte se është veprim i pasjellshëm.

Trumpi paralajmëroi edhe rikthimin e tij në fushatë.

Kthimi i Presidentit vjen në kohën kur në Shtëpinë e Bardhë thuhet se një numër i madh i stafit është i infektuar.  Të paktën 13 persona të afërt të Presidentit kanë rezultuar pozitiv me Kovid-19.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button