Në Tetovë të mërkurën vazhdojnë protestat kundër mësimit online, nxënësit: Nuk heqim dorë!

Nxënësit e Shkollave të Mesme të Komunës së Tetovës do të vazhdojnë me protestat kundër mësimit online nga dita e mërkurë, të njëjtit thonë se nuk kanë hequr dorë nga bojkotimi i mësimit dhe se e vetmja kërkesë e tyre, është mësimi me prezencë fizike, shkruan Portalb.mk.

Protesta e radhës do të mbahet në formën e marshit të mërkurën, gjegjësisht me datë 07.10.2020 edhe atë duke filluar nga Gjimnazi i Tetovës “Kiril Pejçinoviç” deri te sheshi “Ilirija” në Tetovë.

Asmir Xhelili, nxënës.
Asmir Xhelili, nxënës.

“Njoftojmë se me datë 7.10.2020 do të mbahet protestë kundër mësimit onlinë. I ftojmë të gjithë nxënësit e shkollave të Tetovës dhe rrethinës gjithashtu prindërit dhe mësimdhënësit të na bashkëngjiten” tha Asmir Xhelili, një prej organizatorëve të protestave.

Protesta kundër mësimit online janë organizuar edhe në Kërçovë, Strugë si dhe paralajmërohen në disa qytete tjera ku nxënësit nuk ndjehen se kjo është forma më e mirë për zhvillimin e procesit arsimor.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, thotë se nuk ka bojkot të mësimit dhe se mbi 70% të nxënësve janë kyçur dhe ndjekin mësimin online pa asnjë problem.

“75 deri 78% e mësimit nga distanca po realizohet pa problem. Pjesa tjetër e mbetur prej 20% në të shumtën e rasteve ka të bëje me nxënës që kanë probleme me qasjen në internet ose mungesën e pajisjeve IT. Gradualisht do të kalojmë edhe këtë sfidë. Në ndërkohë, mësimi vazhdon në Radio Televizionin e Maqedonisë dhe u dorëzohen materialet mësimore” tha Mila Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ndërkaq në protestën e fundit të organizuar në Tetovë morën pjesë një numër i madh i nxënësve të shkollave të mesme nga kjo komunë, përkundër kësaj, një gjë të tillë e mohuan për Portalb.mk drejtorët e shkollave përkatëse, sipas të cilëve, “numri i studentëve të cilët kanë bojkotuar mësimin ka qenë 0 apo minimal”

Ndryshe, në kuadër të Komunës së Tetovës, sipas të dhënave nga Komuna e Tetovës, në shkollë me prezencë fizike kanë filluar 3400 nxënës nga klasa e parë deri të tretën. Në përgjithësi, Komuna e Tetovës numëron 9.850 nxënës të shkollës fillore dhe 6300 të shkollës së mesme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button