Gjithçka duhet të dini mbi kancerin e gjirit

Kanceri i gjirit ndodh kur qelizat në gji fillojnë të rriten jashtë kontrollit, pushtojnë indet e afërta ose përhapen në trup. Kanceri i gjirit zakonisht vjen nga lobulet ose duktuset e gjirit. Kanceri i gjirit është sëmundja më e zakonshme që prek gratë në Evropë dhe Amerikën e Veriut, ndërsa te meshkujt është i rrallë.

Mosha
Rreziku i zhvillimit të kancerit të gjirit  është shumë i rrallë te gratë në të 20-at e tyre, i rrallë tek ato në të 30-at  dhe rritet në mënyrë të konsiderueshme pas kësaj moshe. Rreziku dyfishohet midis moshës 45 deri në 75 vjeçare.

Rreziku dhe shkaqet
Mosha e hershme e fillimit të menstruacioneve shoqërohet me një rrezik më të lartë të kancerit të gjirit, po ashtu edhe mosha e vonë e menopauzës.

Mosha e shtatzënisë së parë

Shtatzënia e parë përpara moshës 30 vjeç duket të ketë efekt mbrojtës kundër kancerit të gjirit, ndërkohë që një shtatzëni pas moshës 30 vjeç e rrit rrezikun. Gratë që kurrë nuk kanë qenë shtatzënë kanë rrezik më të lartë. Gjithashtu, ushqyerja me gji e fëmijës së porsalindur duket se luan një rol mbrojtës nga kanceri i gjirit.

Ushqimi dhe alkooli

Po bëhen shumë studime për lidhjen e dietës së pasur me yndyra dhe kaloritë totale të konsumit ditor si dhe konsumi i alkoolit me rrezikun e kancerit të gjirit. Gjithashtu obeziteti është një tjetër faktor rreziku për kancerin e gjirit.

Terapia hormonale

Marrja e hormoneve zëvendësuese te gratë në post-menopauzë e rrit rrezikun relativ të kancerit të gjirit, por ky rrezik bie shpejt brenda 5 viteve të ndërprerjes së këtij trajtimi.

Pilula kontraceptive orale

Këto pilula kanë qenë prej kohësh të diskutueshme për shkak të lidhjes së tyre me kancerin e gjirit. Pilulat e progesteronit duket se janë krejtësisht të sigurta, por përdorimi i vazhdueshëm për një kohë të gjatë i pilulave të estrogjenit mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit.

Historia familjare

Rreth 5% – 10% e të gjithë pacienteve që diagnostikohen me kancer gjiri janë të lidhura me faktorë gjenetikë. Sa më e re mosha e personit të prekur me kancer gjiri, aq më shumë gjasa ka që shkak të jenë faktorët gjenetikë. Mutacioni në  gjenet BRCA1 dhe BRCA2 shkaktojnë një rritje të konsiderueshme të rrezikut për kancer të gjirit.

Diagnostikimi i kancerit të gjirit

Shenja e parë më e zakonshme e kancerit të gjirit është një masë në gji. “Triple assessment” (vlerësimi i trefishtë) është një procedurë rutinë, që kryhet në klinikën e gjirit për të vlerësuar një masë në gji dhe për të siguruar një diagnozë të saktë të saj, si malinje apo beninje, afërsisht 100%.

“Triple assessment” konsiston në:

1) Ekzaminimin klinik të gjirit

2) Mamografi dhe/ose Ekografi

Mamografia është një teknikë që përdor rrezet X për të ekzaminuar përmbajtjen dhe strukturën e gjirit. Doza e rrezatimit e mamografisë dixhitale është shumë e vogël. Në përgjithësi, saktësia e mamografisë është 80-90%. Mundësitë për të gabuar në diagnostikimin e kancerit të gjirit nga mamografia janë më të larta në gratë e reja me gjoks me densitet të lartë. Mamografia është më e saktë për gratë mbi moshën 50-vjeçare. Zakonisht mamografia përdoret si pjesë e vlerësimit të trefishtë te gratë mbi moshën 35 vjeç. Ekzaminimi me ultrasonografi është vlerësimi i gjirit duke përdorur ultratingujt, pa përfshirjen e rrezeve-X. Nën moshën 35 vjeç ekzaminimi me ultrasonografi bëhet për të përcaktuar masat në gji, ndërsa për gratë e moshuara ekzaminimi me ultratinguj bëhet duke u kombinuar me mamografi.

3) Biopsi:

– FNA – fine needle aspiration – biopsia me aspirim – preferohet më tepër në rastin e lezioneve cistike për zbrazjen e tyre ose linfonodulave aksilare.

– Core needle – biopsia tru-cut: kryhet nën EKO ose mamografi (stereotaksis). Me anë të kësaj proçedure arrihet të merret më shumë material duke rritur efikasitetin në diagnostikim deri në 90%.

Rezonanca Magnetike e Gjirit:

RM e gjirit është ekzaminimi më i avancuar diagnostikues për sëmundjet e gjirit që realizohet me anë të një programi të posaçëm të rezonancës magnetike nga specialistët përkatës. Është një ekzaminim joinvaziv, pa dhembje, pa rrezatim dhe pa efekte anësore, i sigurt për të gjitha grupmoshat e pacientëve.

RM e gjirit jep informacion të detajuar për të gjitha patologjitë e gjirit, në rastet kur metodat e tjera diagnostikuese si mamografia apo ekoja janë të pamjaftueshme, duke mundësuar diagnostikimin e saktë të sëmundjes.

 Trajtimi i kancerit të gjirit

Trajtimi i kancerit të gjirit përfshin kirurgji për të hequr tumoret, shpesh të pasuara nga radioterapia. Trajtimi në gji njihet si trajtim lokal, ndërsa trajtimi për qelizat e kancerit, që mund të jenë përhapur nga gjiri në zona të tjera të trupit njihet si trajtim sistematik ose kimioterapia.

Ekzistojnë disa lloje ndërhyrjesh:

Kirurgjia e gjirit ku tumori hiqet së bashku me një sasi të vogël të indeve të gjirit duke lënë pas shumicën e indeve normale të gjirit.

Mastektomia ose heqja totale e gjirit, mund të jetë e nevojshme kur tumori është i madh në raport me madhësinë e gjirit ose në rast se kemi nje tumor multicentrik.

Gjithashtu kirurgjia e gjirit përfshin edhe kirurgjinë në linfonodulat aksilare. Është e rëndësishme të dimë nëse qelizat e kancerit janë përhapur në gjëndrat limfatike nën sqetull, nëse këto linfonodula janë të prekura, atëherë rritet mundësia që qelizat e kancerit të jenë përhapur përmes qarkullimit të gjakut në pjesët e tjera të trupit. Ky është një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e trajtimit të mëtejshëm sistematik që ka mundësitë më të mira për të vrarë qelizat e kancerit, të cilat janë përhapur përtej gjirit. Kjo ndërhyrje quhet diseksioni i linfonodulave aksilare. Një tjetër proçedurë shumë më pak invazive  është biopsia e linfonodulit sentinel, që është linfonoduli i parë në drenimin limfatik të gjirit, e cila vlerëson me saktësi praninë e qelizave të kancerit në nyjen limfatike. Nëse linfonoduli sentinel rezulton të jetë negativ, atëherë të gjithë linfonodulet e tjera aksilare janë negative  dhe nuk ka nevojë për kirurgji të mëtejshme. Në rastin kur linfonoduli sentinel rezulton të jetë pozitiv, kërkohet diseksioni i aksiles.

Radioterapia

Radioterapia përdor një rrezatim me energji shumë të lartë, e cila kryhet pas ndërhyrjes kirurgjikale për të shkatërruar qelizat e kancerit te mbetura në gji pas trajtimit kirurgjikal konservativ, murin e gjoksit dhe nyjet limfatike ose për të ngadalësuar shkallën e rritjes së tyre. Ky trajtim ka rezultuar të jetë efektiv në reduktimin e recidivës lokale.

Kimioterapia (terapia sistemike)

Përdoret për të vrarë qelizat e kancerit, të cilat mund të përhapen përtej gjirit. Këto qeliza që shkëputen nga tumori kryesor i gjirit dhe përhapen nëpërmjet sistemit të gjakut ose limfatik në pjesën tjetër të trupit zakonisht nuk shkaktojnë simptoma, nuk shfaqen në ekzaminimet imazherike dhe nuk mund të evidentohen në ekzaminimin klinik. Mjekët përdorin ilaçe që jepen si pilula ose me injeksion. Ky lloj trajtimi quhet terapi sistematike dhe përfshin medikamente kundër kancerit (kimioterapia) dhe terapi hormonale. Këto terapi kanë rezultuar të jenë efektive në zvogëlimin e rrezikut të krijimit të tumoreve të reja në pjesë të ndryshme të trupit. Trajtimi sistematik që këshillohet pas ndërhyrjes quhet terapi adjuvante. Në disa raste trajtimi sistematik mund t’u jepet pacienteve para ndërhyrjes dhe kjo quhet terapi neoadjuvante. Kjo terapi mund të tkurrë tumorin e gjirit dhe të krijojë mundësinë e konservimit të gjirit në pacientet me tumor të madh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button