Mësuesit: udhëheqës në krizë, rikrijuesit e së ardhmes

5 tetori – Dita Ndërkombëtare e Mësuesit

“Vajza ime! Për aq kohë sa do të zgjasë shkollimi yt, po të lë në duar të sigurta, me bindjen se po ato duar do ta ofrojnë penën me dashuri, armën me të cilën uroj ta kalosh jetën!”

Është ky urimi i secilit prind, ditën kur fëmijën e lë për herë të parë në shkollë e mësuesit ia beson gjysmën e tij të shpirtit. Më vonë, vjen një çast, kur po ato fëmijë, unë, ti e ne të gjithë, bëhemi të zotët e vetës falë përkrahjeve të tilla e me mall çasteve të jetës ua ngjisim retrospektivën.

Nëse në jetët tona është dikush që na mbetet thellësisht brenda zemrës dhe rrugëton me ne edhe në vazhdimësi të jetës nëpërmjet kujtimeve, është figura e mësuesit, njeriut që na lejoi t’ia ndiqnim hapat pa droje e në fund të shkollimit të na priste krahëhapur e me dashuri të pafundme. Dashuri dalë veç nga një figurë e tillë. E pohojmë zëshëm dhe këtë.

Mënyra se si ne e shohim jetën, se si i qasemi së njëjtës, se çfarë presim nga ajo dhe sa e njëjta lufton për këtë udhëtim tonin të përbashkët, është mënyra që na e tregon një mësues, të cilin që në hapat e parë të shkollimit na urdhërojnë ta quajmë “zë diturie” e më vonë të bindemi se po ky epitet dhënë atij është i vërtetë e i merituar.

Nëse gjërat që mësojmë nga jeta janë të shumta e të natyrave të ndryshme, pa mundur t’ua gjejmë fundin, ardhja dhe ndjekja e së njëjtave mund të bëhet më lehtë nëse ne bëjmë hapat jetësorë pas asaj që na e mëson ai, të bindur se do na e tregojë të drejtën e më të mirën për ne. Nëse pas tejkalimit të të gjithave përpos që fitojmë dritë dhe dije, ne na pret edhe një kraharor i ngrohtë e një emër, te i cili do të lidhim çdo të kaluar dhe motivin për tu bë dikush në jetë, është shumë e lehtë të themi se figurën e tillë e kemi pasur burim jete dhe jo vetëm burim fjalësh frymëzuese të ngjashme me ato të nënës dhe poetëve tanë të preferuar.

Le t’i kujtojmë të gjithë ato çaste, ato fjalë! Le ta kujtojmë të gjithë figurën e mësuesit tonë të parë! A nuk na ngjason të gjithëve me dritën e syve? A nuk është kjo figura të cilit çdoherë i thoshim se kur të rritemi do të bëhemi si ju, të nxitur nga qëndrimi, ëmbëlsia dhe rehatia që na falte në periudhat të cilat kërkonin përballjen tonë me jetën? A nuk është për të gjithë shkolla, vatra më e ngrohtë veçse aty kemi mësuesin, të cilin shumë shpejt e shndërrojmë në model e idhull jete? Nëse secili nga ne në këto çaste përfytyron mësuesin e vet, kujton atë dorën e ngrohtë vënë mbi kokë, atë buzëqeshjen shpresëdhënëse të ditës së parë ose pranverën që sillte në klasë edhe në kohë dimri, janë të pakta fjalët që mund të thuhen për të, por e madhe ndjenja dhe dashuria, e paktë dhe koha për t’iu falënderuar thellësisht.

Se mësuesi është burim dhe udhërrëfyes jete e kemi të qartë të gjithë, jo vetëm të bindur nga ajo që kemi kaluar me të, por edhe nga ato që lexojmë për të, fjalë dhe shkrime nga më të ndryshmet, brenda së cilave gjejmë falënderimet më të sinqerta, dashuritë më reale e të pazëvendësueshme, kujtimet më të bukura, zërat më të ëmbël dhe vargjet e përsëritura bashkë.

Se si ky mësues arrin ta bëjë për ne të afërt e të dashur armën që e përfaqëson profesionin e tij, penën, është art në vete, jo vetëm në kohëra paqeje e gëzimesh nga çdo anë, por një art që ne mund ta shohim e t’ia dimë vlerën edhe më shumë kur përreth bota është gri, e ngulfatur në dhembje dhe kohërat e krizave sa vijnë e po lëshojnë rrënjë të thella.

Kohërat e tilla e kanë ndjekur gjithmonë qenien njerëzore, e cila motivin dhe frymëzimin për të vazhduar përpara e për të realizuar çdo ëndërr të mbetur përgjysmë e gjeti sërish te mësuesi, i cili e ftoi atë ta bënte më të mirën për vetën dhe të ardhmen e tij, duke ia pohuar se mundej dhe se çdo gjë priste fjalën dhe mundin e tij. E gjeti tek ai që ne edhe sot e krahasojmë me një arkë mbushur me dituri, shpresë dhe përkrahje të pafundme.

Se sa kjo figurë ndikon në ndërtimin e së ardhmes sonë, se në ç’nivele udhëheq secilin nga ne e si na vë dorën mbi shpatulla veç për të na treguar se na mbështet dhe është me ne, flasin shumë njerëz që sot bota i njeh si të suksesshëm e të njëjtët pa droje pohojnë se kanë pasur mësues të denjë për një rol të tillë e mjaft nxitës që nxënësit tu bëhen më të suksesshëm se ta.

Edhe ne kemi dalë nga duar të tilla, nga figura e qenieje që e kemi shumë të lehtë t’i quajmë fanarë, sa herë na bie rasti t’i takojmë rastësisht, të na flasin të tjerë për ta ose t’ua hapim dyert në ditë festash. Këto që themi janë më të paktat gjëra kushtuar atyre, se mundi i tyre, dhënë si në dritë si në errësirë nuk mund të shpërblehet as edhe me gjënë më të çmuar, por jemi të sigurt se secili nga to krenohet kur ne na shohin të formuar në çdo aspekt ose gëzohen tej mase kur i urojmë për jetëgjatësi sepse fjala, fryma dhe dora e tyre është e nevojshme në çdo kohë për ne. Ngase ajo është më shumë se dorë, më shumë se fjalë, më shumë se frymë, më shumë se gjithçka tjetër kur ne kapemi sërish tek ai, për t’u mbajtur e për ta ndjerë veten se do të realizojmë ëndrrën e do të bëhemi si dikush edhe kur përreth bota përjeton krizë, por fjala dhe përkrahja e mësuesit na mjafton që edhe gjënë më të pluhurosur, ose gjënë më të vjetër ta kthejmë sërish në ngjyrë e ta bëjmë të jetojë ashtu si ne. Sepse një mësues është brenda nesh edhe kur ne kalasë sonë të dijeve ia rrisim tullat, për ta prekur bashkë me të piedestalin e ëndërruar që në moshat e njoma.

Andaj, nëse është dikush që meriton t’i përkulemi e për çdo ditë t’i themi se nën udhëheqjen tënde edhe për mua pena u bë armë e mjet jete, ai është mësuesi, emrin dhe zërin e të cilit e ruajmë thellë brenda nesh për të mos e zëvendësuar kurrë me diçka tjetër. Le t’i themi në këtë ditë se do të jemi dishepujt e tij që, penën, librin dhe dijen do ta çmojmë më shumë se jetën dhe se së njëjtës do ia shkruajmë historinë me emrat e mësuesve që mbi ne hodhën dritën e së ardhmes së ndritur!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button