Të rinjtë pajtohen se ka mungesë energjie në shoqërimet e drejtpërdrejta përmes shkëmbimeve Erasmus +

Pandemia mbylli kufijtë, e me atë u anuluan edhe udhëtimet e të rinjve, të cilët përmes shkëmbimeve Erasmus + kishin mundësi për të udhëtuar jashtë. Organizatat rinore u detyruan që punën ta kryejnë nga shtëpia, kurse shumë aktivitete, veçanërisht ato ndërkombëtare, u shtynë për një kohë të pacaktuar. Megjithëse detyrat e punës kanë marrë formë të re, të rinjtë pajtohen se mungon afërsie e shoqërimeve të drejtpërdrejta që po realizohen përmes Erasmus + shkëmbimeve të të rinjve, shkruan Meta.mk.

“Edhe pse ja u pa që ekziston mundësia disa projekte të mbahen onlajn, të gjithë e dimë që fryma e Erasmus + është shoqërimi, shkëmbimi i përvojave, njohja e njerëzve të rinj, kulturave të reja, etj. Fatkeqësisht, pikërisht në takimin e parë që e organizuam pas kësaj situate u ndje ajo atmosfera tjetër. Megjithëse shoqërim kishte, prapë se prapë ndihej që diçka po mungonte. “Por puna është si është, megjithatë shëndeti i të gjithëve ne është ajo që është më e rëndësishmja për momentin”, tha për “Meta.mk” Marijana Bogdanovska, koordinatore e vullnetarëve në Asociacionin për progres, edukim dhe lobim– PEL Shkup.

Ajo thotë se pasojat e pandemisë ende nuk janë parë, përkatësisht të gjitha ato shoqërime dhe ngjarje nuk do të jenë si më parë, të paktën jo në një të ardhme të afërt.

“Pikërisht dy javë më parë e organizuam ngjarjen e parë pasi u shfaq kjo situatë. Takimi fillimisht ishte planifikuar të mbahej në Portugali, por për shkak të masave më të rrepta për udhëtime jashtë vendit që i kemi ne si vend, vendosëm ta mbanim këtu në Dojran. Për fat të mirë, moti na shërbeu, kështu që pothuajse të gjitha aktivitetet u zhvilluan nën qiell ​​të hapur, duke respektuar të gjitha masat për mbrojtje”, tha Bogdanovska.

Këshilli Rinor Gjenerata e Re besojnë që nëse situata me kovid-19 vazhdon, shkëmbimet Erasmus + do të zhvillohen në mënyrë virtuale, duke fituar kështu një formë të re përmes përdorimit të onlajn metodave dhe veglave për arsim joformal. Sidoqoftë, ata shpresojnë të kundërtën, që sa më shpejt të jetë e mundur shkëmbimet të vazhdojnë me takime të drejtpërdrejta, të cilat bazohen kryesisht në mobilitetin e të rinjve në të gjithë vendet evropiane.

“Nga mesi i marsit deri më sot, ne nuk kemi realizuar asnjë shkëmbim të vetëm të të rinjve Erasmus +, megjithëse kemi informacion që disa organizata në Evropë i janë përshtatur situatës me pandeminë kovid-19 dhe kanë mbajtur shkëmbime virtuale. Megjithatë, pikërisht për faktin se kjo mënyrë virtuale e realizimit të shkëmbimeve eliminon mundësinë e shoqërimeve të drejtpërdrejta ndërkulturore, e cila është pjesa thelbësore e të mësuarit dhe fitimit të aftësive, besojmë se shkëmbime të tilla virtuale nuk e kanë as për së afërmi të njëjtin efekt dhe është praktikisht e pamundur të arrihen qëllimet dhe rezultatet e përcaktuara”, thonë nga ” Next Generation”.

Për atë arsye, ata kanë vendosur të shtyjnë shkëmbimet derisa të krijohen kushte për realizimin e tyre të drejtpërdrejtë, por nëse e njëjta nuk fillon të realizohet vitin e ardhshëm, ekziston mundësia të fillohet me realizimin e shkëmbimeve virtuale të të rinjve, për t’iu përshtatur situatës.

Vullnetarët e Next Generation të shkëmbimit Erasmus para se të fillojë pandemia / Foto: Next Generation

Ndërsa Këshilli Rinor Gjenerata e Re punon kryesisht me zbatimin e projekteve ndërkombëtare të mbështetura nga programi Erasmus +, në të cilat janë përfshirë organizata dhe pjesëmarrës kryesisht nga Evropa dhe bota, aktivitetet e tyre në muajt e fundit janë zvogëluar në minimum.

“Duke pasur parasysh se po vjen periudha e dimrit në të cilën, sipas parashikimeve, ekziston mundësia për të kufizuar kontaktet personale dhe takimet në natyrë, strategjia jonë është që të angazhohemi më shumë për realizimin e onlajn aktiviteteve përmes përdorimit të veglave për video komunikim”, thonë ata.

Edhe Andrej Naumovski, koordinator i projektit në Qendrën e vullnetarëve Shkup (QVSh), thotë se padyshim që pandemia ka ndikuar në punën e tyre. Për momentin nuk organizojnë aktivitete në grup, përkatësisht shkëmbime të të rinjve nga 5 deri në 7 ditë, ku ka përfaqësues nga disa vende, në mënyrë që të shmangen tubimet në grupe.

“Sa i përket punës së vazhdueshme në QVSh, vullnetarët që ishin këtu për të qëndruar vendosën të qëndrojnë, duke shpresuar se situata do të qetësohej më shpejt. Vullnetarët për revistën Voisis (Voices) punonin nga shtëpia, ndërsa punëtoritë në shkollat e mesme, si dhe ngjarjet ku vullnetarët mund të njiheshin me kulturën tonë, u anuluan. I lamë të presin për një kohë më të mirë dhe më të sigurt”.

Vullnetarët e QVSh me revistën e tyre Voisis (Zërat) / Foto: Arkivi i Qendrës Vullnetare Shkup

Kur bëhet fjalë për aktivitete individuale, siç është vullnetarizmi për një periudhë më të gjatë prej 2 deri në 12 muaj, Andrej thotë se ato janë tani aktuale, sepse me to shmangen tubimet, përkatësisht vullnetari shkon në ndonjë shtet ku do të qëndrojë për disa muaj. Ai thotë se për momentin ka vullnetarë Të QVSh, të cilët kanë shkuar në Lituani për një vit, në Portugali për 10 muaj në Bullgari, Bullgari dhe ata gjithashtu presin që vullnetarët të vijnë tek ata për një qëndrim më të gjatë.

“Aktivitetet individuale në afat të gjatë kanë qenë, janë dhe do të jenë këtu. Unë i shoh ato si mundësi për çdo të ri që të njohë veten më mirë në një vend ku do të ketë hapësirë për zhvillim dhe përparim personal. Aktivitetet grupore do të mbeten, mendoj se nuk do të ketë ndonjë ngecje më të madhe plotësuese,” vlerëson Naumovski.

Sipas tij, pandemia do të ndryshojë mënyrën e shikimit, si do të zhvillohen, por mbi të gjitha, se si do të sillen pjesëmarrësit.

“Organizatorët këtu do të kenë përgjegjësi dhe sfidë të madhe për t’i realizuar ato, për të gjetur “mesin e artë” për të ruajtur kiminë e takimeve të drejtpërdrejta, ndërsa në të njëjtën kohë për të respektuar protokollet dhe masat e vendosura nga rrethanat e reja të pandemisë”, thekson Naumovski.

Këtu ndërlidhet vullnetari francez, Zhul Shtrifler (28), i cili përmes shkëmbimit rinor Erasmus + të organizuar nga QVSk ka ardhur për të qëndruar në Shkup, pak para se të fillonte pandemia e koronavirusit. Sipas tij, për shkak të koronavirusit, jeta po bëhet më e komplikuar, por ai është i ngazëlluar nga mbikëqyrësit dhe kolegët e tij se si së bashku ia kanl dalë t’i përshtaten ndryshimeve në këtë periudhë.

“Isha shumë i lumtur kur mora lajmin për rezultatin pozitiv të kërkesës sime për një mision njëvjeçar në Shkup! Mbërrita këtu në fillim të shkurtit, duke shijuar disa javë të një realiteti për të cilin nuk ishim të vetëdijshëm se do të detyroheshim të linim pas për një kohë të pacaktuar. Po përpiqemi që si ekip të gjejmë mënyra për të ruajtur dhe forcuar dinamikën e frytshme brenda organizatës sonë.  Nuk mund të kisha kaluar kohën në një mjedis më të mirë, dhe për këtë, unë do të doja të falënderoja të gjithë ekipin e QVSh” – ka shtuar Shtrifler.

Qëndrimi larg nga shtëpia për një kohë të gjatë nuk është diçka e re për Strifler. Për pesë vitet e fundit ai ka studiuar dhe punuar në Bosnjë dhe Hercegovinë, Australi dhe Gjermani, kështu që për të, distanca nga shtëpia në një pandemi, thotë ai, nuk është një problem duke pasur parasysh komunikimin që e mundësojnë veglat moderne.

Tani për tani, disa nga projektet e organizatave janë “në pauzë”, ndërsa organizatorëve dhe vullnetarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse t’i përshtaten situatës aktuale, ndërsa presin momentin e tyre të sigurt kur tubimet dhe punëtoritë në grupe nuk do të jenë rrezik për shëndetin e tyre, por përkundrazi, një shans i ri për përparim në zhvillimin personal dhe njohjen me kulturat e të tjerëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button