AJO U LIND E LIRË

I propozova Vjollcë Berishës që në klubin tonë në Tetovë këto ditë ta dëgjojmë Zhiliet Grekonë (1927-2020).

Lindita Kadriu
Lindita Kadriu

…mediumet dhe portalet shqiptare e kaluan heshturazi lajmin për vdekjen e simbolit së shansonës françeze. Shumica e tyre inspirimin për lajme muzikore e gjejnë te këngëtarët me tekste debile (shih postimet dhe komentet aktuale te Anita Latifi) ose te këngëtaret kosovare me brekë e pa brekë, me titujt për klikime …më provokative se kurrë…me dekolte që ta merr frymën…! Një kritike kroate e muzikës iu drejtua me një rast Severinës  Sisat veçmë t’i kemi parë, a ke diçka të re të na tregosh, për shembull përmes muzikës!?

…Edit Pjaf ishte më e popullarizuar se kolegia e vet Greko, të dyjat kishin jetë dramatike, por Greko edhe vetë fuste dramaturgji duke mos u mjaftuar me jetë konvencionale. Ajo u lind e lirë (është një poezi kushtuar përkthyesit Fadil Bajraj nga i vëllai, poeti eminent kosovar Xhevdet Bajraj “…lereni të qetë, ai u lind i lirë”).

Nëna dhe motra e Zhilietës gjatë Luftës së dytë Mutore (siç e quan 10 vjeçari Genti, shoku im më i ri) përfunduan në kamp përqëndrimi, kurse ajo në burg disamujor. Kur doli prej aty, vetëm me një fustan to hollë, ishte dimër. Përherë shoqërohej më shumë me meshkuj se sa femra (plotësisht e kuptoj) të cilët u organizuan t’i jepnin tesha, por që asaj, thatanike, kryesisht nuk i bënin tamam. Pëvjelte mëngët e palltove dhe pantallonave e kështu, nga zori, krijoi stilin tipik të veshjes. Edhe pastaj si e famshme veçohej me teshat e zeza, trupmbuluar, dukej veç fytyra që fliste edhe pa folur. Ishte erotike në mënyrë intelektuale. Tunduese për artistët dhe filozofët e Parisit i cili pas Luftës u bë një lloj azili për krijues nga SHBA që kryesisht në Sen Zhermen de Pre, arondismanin e 6-të gjenin bashkëmendimtarët, Lirinë e Artit dhe Jetës. Në pjesën lindore të Senës mblidheshin shkrimtarë, piktorë, kompozitorë, filozofë; aty në kafeterinë Tek dy majmunat në tavolinën në skaj e gjeje Simon de Bovoarin, autoren e njërit prej librave më me ndikim feministë Gjinia tjetër se si shkruan esetë e saj,  me çokolladën e nxehtë të mëngjesit; pas mesnate hynte Zhilieta me performansat e veta muzikore, këngë bazuar në poezinë e miqëve poetë: Zhak Prever, Boris Vijan, poetit që vdiq i ri Zhak Brel.

Ishte muza e ekzistencialistëve me antifashizmin e saj, lirinë (Liria është vlera më e madhe në jetën time, thoshte), talentin për aktrim dhe muzikë. Ishte pikërisht Zhan Pol Sartri që e bindi të niste të këndonte.

Zhiliet Greko qe grua e pavarur që nuk i përjashtonte meshkujt, mendjemprehtë, e talentuar dhe joshëse për rrethet më elitare të kohës, e përgjegjshme edhe në kulmin e zbavitjeve: kohën e kalonte në klube, me këngë e vallëzime, bisedime me veten dhe të tjerët. Asnjëherë nuk u martua, kishte mes tjerash lidhje të gjatë me një producent të martuar nga i cili u lirua gjatë kohë, me dhembje.

Virtytet intelektuale dhe shpirtërore i gjejmë tek memoaret e saj, ende të papërkthyera në shqip.

Sado të tingëllojë didaktike:

Le ta dëgjojmë këtë javë, për nder të kalimit në amshim, Zhiliet Grekonë me shansonet e pavdekshme të saj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button