Ndërlidhësi i gazit me Greqinë do ta bëjë vendin korridor energjetik për vendet e EJL

Me mbështetjen e SHBA-së Maqedonia e Veriut do të përshpejtojë dhe fillojë disa projekte energjetike me rëndësi të veçantë për vendin dhe rajonin, u tha në konferencën e sotme për shtyp të Kryeministrit Zoran Zaev dhe Fransis Fenon, Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për energjetikë dhe burime, shkruan Meta.mk.

Takimi pasoi si vazhdim i vizitës së Zaevit në Athinë dy javë më parë në një tryezë të rrumbullakët mbi sigurinë rajonale të energjisë, si dhe vizitës së një delegacioni qeveritar në Selanik.

“Bashkëpunimi rajonal në energjetikë është pjesë e prioriteteve në Strategjinë tonë për energjetikë dhe prej andej lindin masa dhe projekte konkrete në aspekt të lidhjes ndërkufitare, të cilat ishin tema të takimeve në Athinë dhe Selanik. Për ne si shtet, lidhja e korridoreve të energjetike përmes Bullgarisë dhe Greqisë është me interes thelbësor dhe afatgjatë. Gjatë vizitës sime në Athinë, morëm mbështetje nga Konsorciumi “Gastrejd” për përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e një terminali të gazit natyror të lëngshëm në afërsi të Aleksandropolisit në Greqi. Me këtë projekt krijohet mundësi për furnizim të përhershëm dhe të qëndrueshëm të gazit natyror në vendin tonë, që në të njëjtën kohë do të bëhet pikë nga e cila gazi do të shpërndahet në vendet e rajonit dhe në vendet që do të tregojnë interes”, tha Zaev.

Ai shtoi se me ndihmës sekretarin e shtetit Fenon kishin diskutuar për rëndësinë e mbështetjes së SHBA për ndërtimin e një ndërlidhësi për gaz me Greqinë.

“Kjo na jep edhe një mundësi për furnizim me gaz natyror nga Azerbajxhani dhe në të njëjtën kohë një mundësi për të lidhur terminalet LNG në Greqi, Izrael dhe Mesdheun Juglindor.” Këto projekte do të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të gazit, pavarësi dhe çmime konkurruese, që është në përputhje me strategjinë tonë afatgjatë të energjisë. Kjo lidhje e Maqedonisë së Veriut me Greqinë me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së e bën vendin tonë korridor energjetik për vendet e Evropës Juglindore për qasje alternative në burime të konsiderueshme të energjisë”, shtoi Zaev.

Ndihmës Sekretari i shtetit për energjetikë dhe burime Fenon tha se ai sheh evolucion dhe zhvillim të një tregu të ri energjetik.

“Greqia është lider në infrastrukturën që ka për pranim të këtyre burimeve energjetike. Por duke shkuar më tej, lidhje të tilla me vende relativisht të vogla me kërkesë të ulët në një treg më të madh që mund të përshpejtojë mundësitë e investimeve do të mundësojnë progres ekonomik transformues për vendin dhe rajonin në tërësi. E vizitova tubacionin e gazit ndërlidhës Greqi-Bullgari që do të çojë gazin përmes Bullgarisë dhe lidhje të tjera përmes Maqedonisë Veriore

“Ne jemi të kënaqur që qeveria juaj ka treguar interes për Aleksandropolisin”.

Ai shtoi se kur ka opsione për energjetikën, ajo ka një efekt më të gjerë në uljen e çmimeve dhe përmirësimin e stabilitetit, qëndrueshmërisë dhe ndihmës për konsumatorët.

“Maqedonia e Veriut ka mundësi të konsiderueshme për sa i përket gazit, por edhe integrimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë së bashku me gazin”, tha Fenon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button