Vërtetimi i vendimeve të Pendarovskit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme është i panevojshëm

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk ka shumicë për vërtetimin e 5 vendimeve të presidentit, Stevo Pendarovski për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, pasi VMRO-DPMNE ka shprehur qëndrimin e tyre se nuk do të votojnë për këtë. Seanca në lidhje me këtë ishte planifikuar të mbahej të mërkurën, por e njëjta u ndërpre pas votimit të rendit të ditës dhe Kuvendi akoma nuk ka mbajtur diskutime për këto vendime, shkruan Portalb.mk.

Juristë, duke komentuar këtë situatë, vlerësojnë se mos vërtetimi i vendimeve të presidentit, Stevo Pendarovski, për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme nuk përbën asnjë rrezik dhe madje kjo është e pakuptimtë.  Profesori universitar, Temelko Risteski, deklaroi për Portalb.mk mos votimi i këtyre vendimeve, siç është paralajmëruar nga VMRO-DPMNE, nuk është “aspak tragjike”, pasi bëhet fjalë për një gjë që ka kaluar dhe një gjë e tillë nuk është e nevojshme.

Temelko Risteski

Asgjë nuk do të ndodh, sepse ajo tashmë ka kaluar. Raportet shoqërore që u krijuan si rezultat i rrethanave natyrore janë tejkaluar, nuk janë më ato raporte shoqërore. Kështu që, edhe ato dekrete me të cilat u rregullua ajo situata vlenin vetëm gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, kështu që nuk ka asnjë rrezik. Është në rregull të diskutohet për këtë në aspektin historik, për të ardhmen dhe të sillen eventualisht konkludime”, deklaroi Risteski.

Sipas tij, me që kjo ka filluar si procedurë në Kuvend, atëherë në fund të diskutimeve të Kuvendit, si zgjidhje të situatës, ai e sheh miratimin e konkludimeve e cila mund të kalojë me shumicë të thjeshtë, për dallim nga vërtetimi i vendimeve për të cilat nevojitet shumicë prej 2/3.

“Tani insistohet që ajo të vërtetohet, është mirë që të vërtetohet se ajo ka qenë në rregull, megjithatë edhe nëse nuk vërtetohet, Kuvendi sipas Kushtetutës, kur diskuton sjell ndonjë vendim, deklaratë, rekomandim dhe përfundim. Kuvendi duhet të miratojë konkludime të caktuara në lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme, që do të ishte përvojë në veprimtarinë legjislative të mëtejmë dhe përvojë për presidentin nëse ndodhet në një situatë të këtillë në periudhën e mëtejme. Ajo mund të përfundoj me miratimin e konludimit nga ana e Kuvendit, nëse VMRO nuk pajtohet që të votojë të vërtetohet gjendja e jashtëzakonshme, sepse për këtë nevojitet shumicë prej 2/3 ndërsa, konkludimi mund të miratohet edhe me shumicë të thjeshtë”, tha Risteski.

Në lidhje me këtë situatë koment të saj ka dhënë edhe ish ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, në profilin e saj në Facebook. Për Deskoskën madje, vërtetimi i këtyre vendimeve tani nga ana e Kuvendi është i pakuptimtë, pasi kjo sipas ligjit, duhet të ndodh gjatë kohës kur rrjedh gjendja e jashtëzakonshme.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska

“Kushtetuta parasheh që nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet, vendim për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme sjell presidenti i Republikës dhe ia dorëzon për vërtetim Kuvendi sapo ai të ketë mundësi të mblidhet. Qëllimi i kësaj dispozite është që Kuvendi të vendos për kohëzgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga presidenti – nëse ajo duhet të vazhdojë apo të ndërpritet. Vendimi i Kuvendit për vërtetim të vendimeve të presidentit për shpalle të gjendjes së jashtëzakonshme kanë logjikë vetëm derisa zgjat gjendja e jashtëzakonshme. Tani pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme ky vendim është i pakuptimtë. Kjo ngjan sikur “tupana pas dasmës”, ka shkruar Deskoska në profilin e saj në Facebook.

Sipas saj, ky vendim në Kuvend nuk do të kishte asnjë efekt juridik, sepse ata kanë përfunduar.

“Padyshim se presidenti i Republikës ka qenë i obliguar që t’i dërgoj për vërtetim në Kuvend vendimet e tij, por Kuvendi nuk duhet të fillojë procedura të pakuptimta. Ata të cilët ulen në Kuvend, duhet të jenë të vetëdijshëm se përkrah interpretimit tekstual të Kushtetutës, ekzistojnë edhe metoda të tjera si interpretime të tërësishme, origjinalizëm dhe ngjashëm. Me këtë, nuk duhet të “hidhërohen” me logjikën. Sepse, në fund të fundit, logjika duhet të jetë komponentë e nevojshme e çdo interpretimi juridik, përfshirë edhe interpretimin e Kushtetutës”, ka shkruar Deskoska në Facebook.

VMRO DPMNE është deklaruar se nuk do të votojnë vendimet për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, pasi sipas tyre ajo është keqpërdorur për qëllime politike dhe nuk ka pasur efekt në parandalimin e epidemisë dhe nuk ka zbutur pasojat ekonomike.

Presidenti, Stevo Pendarovski, me kërkesë të Qeverisë dhe takimeve që ka mbajtur me Këshillin e Sigurisë, ka miratuar pesë vendime për shpallje të gjendjes së jashtëzakoshme. Të gjitha ato janë vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button