ODEONI SHPIRTËROR I NJË POETESHE

Vëzhgim kritik nga Ejup Ajdini për librin “Odeoni i shpirtit tim” të poetes Behare Shabani – Neziri, (botuar më vitin 2017 në Tetovë).

Behare Nezirin nuk është një emër i panjohur ne letrat tona. Ajo dhe ëndrra e sajë për artin poetik gjithmonë ka qenë e zgjuar dhe kësisoj arriti të botoje disa përmbledhje poetike, nga te cilat, ne do te fokusohemi vetëm në njërën nga Ato.

Vëllimi poetik i Behares “Odeoni i shpirtit tim” tregon se është një sfiduese e rrethit dhe babëzisë së kohës, veçmas kur e dimë terrenin nga Vjenë autorja. Vend qe ende nuk çrrënjoset lehte qemania anadollake dhe ajo e socializmit jugosllav. Të sfidosh ketë ambient kaq prapanik, si femër shqiptare, fare nuk ka qenë e lehte, por, poetesha në fjalë u bëri ballë rrondokopëve të kohës, të cilat edhe sot e kësaj dite, pak me lehtas, mundohen t’u kundërvihet qemaneve të tyre si fosile të heshtura. Poetesha këto i sheh si te mbaruara në koshin e plehrave të historisë dhe shkrimet e saj ngrenë tonin poetik si koncept i përjetësisë, e që orientim kryesor e ka amshueshmërinë e fjalëve të lidhura ngushtë me kuptimin filozofik të jetës shpirtërore. Kjo ndjesi universale, poeteshës ia ruan pushtetin në këtë univers madhor e të përjetshëm. Kjo ndodh kësisoj, pasi poeteshat janë qenie mistike, tek të cilat, sa është bota e tyre e dukshme, po aq është edhe bota tjetër e padukshme, te çilen munden ta kuptojnë, ta ndjejnë dhe ta përjetojnë vetëm ata, të cilëve Zoti u ka falë ndjenjën e thelle të artit, urtësinë dhe estetikës.

Më shumë se dashuri u derdhën ngjyrat

Mbi lëkurën e jetës së frikësuar

Kur maskat ranë e sytë i shikonin fytyrat

Beharja është tipike në ndërtimin e vargut të sajë, pasi në vazhdimësi mëton të eci drejt të bukurës dhe të madhërishmes, ku, përmes kësaj simbioze u bënë ballë të ulëtës e të shëmtuarës, përmes së cilës del në sipërfaqe bota e bukurisë së saj shpirtërore. Ky kontrast dramatik me ambientin ku jeton poetesha, e bën vargun e sajë më aktual dhe gjithmonë të nevojshme për lexuesit e sajë.

Ky libër është mjaftë autonom e që tenton t’i tejkaloje konceptet e kohës së ligë dhe të rrëmbeje mendjen dhe shpirtin e lirë për fisnikërimin e shpirtit njerëzor. Kësisoj, ajo kërkon në vargun e saj ta pastroje njeriun nga pasionet e ulëta të njerëzve dhe kjo e detyron që herë pas here poetja del haptas dhe fuqishëm për t’u përballur me injorancën shekullore, si domosdoshmëri për një katharsis të përhershëm shoqëror, me të cilën letërsi, ajo krijon një fuqi autonome për t’i tejkaluar barrierat e injorancës shekullore dhe për të filluar drejt koncepteve të reja, të drejta e të nevojshme për një kohë të re. Për këtë më së miri dëshmon poezia “Nëse guxon”:

Më puth sikur të isha mollë e ndaluar

Më kafsho po deshe sa ke fuqi

Që të them se Zoti të paska bekuar

Ta trazosh prushin plot dashuri

Më puth nëse guxon

Edhe tej buzëve e tej kërthizës nën bel

Aty ku jeta të harron

Mes lulishtes lumturi ku qumështi del

Poezia e Behare Nezirit vjen si një ndjenjë e veçantë e forcës jetësore, e cila na duket se shpërthen nga vullkani i dashurisë së sinqertë, e cila përjetohet skajshmërisht në thellësinë e qenies së saj shpirtërore, si ndjenjë e që dhuron të pamundurën e pastaj ka lëkundje të tërmetesh në intimen e saj të dashurisë, të cilat gërshetohen natyrshëm me idealet romantike, si një forcë që e mban të gjallë e të pathyeshme këtë iluzion dhe lirizëm shpirtëror. E gjithë kjo mundet të kuptohet me disa vargje të ndjeshme, siç është poezia “Pa dashje”:

Ia preka plagët zemrës së hutuar

Pa dashje se do ta lumturoj

Thelbi poetik i kësaj poezie dëshmon forcën e dashurisë, të cilën e ndjen si burim lumturie të pakrahasueshëm me diç tjetër, si përbërje e boshtit më vital të botës shpirtërore dhe intelektuale. Kjo nuk është thjesht intime, por reflekton edhe një spektër të gjerë kuptimor, duke zbutur zbrazëtirën e jetës së përditshme, që është e ngarkuar dhe e detyruar të shikoj dhe të përballet me idiotësitë e kësaj bote – “maskaradë”. Kësisoj, vetëm ndjenja e thellë e kësaj lirike i jep poetes forcë që ta himnizoje lumturinë e kësaj ndjenje fisnike e hyjnore, duke përdorur figurat e saja stilistike, duke e shndërruar atë në një metaforë më vete. Ajo, me mjeshtri artistike di t’i fiksoj çastet plot zjarr, që edhe e bëjnë këtë dashuri, sa magjike, po aq edhe hyjnore:

Seç m’u lidhën për qerpikësh durimet

Me mallin e kohës së kaluar

………………………………………..

Më shkëlqente nuri i fytyrës

Kur zemra e hutuar më buzëqeshi

Sikur dielli që ia prek ngjyrën

Shtatin lumturi derdhur tek sheshi

Poetesha në këtë poezi bën lidhjen e vetive shpirtërore me ato fizike, formë e cila e ngre edhe estetikisht vargun e saj poetik, siç edhe shprehet: “Më shkëlqente nuri i fytyrës”. Kur shkëlqen ky nur i fytyrës, s’ka mundësi si të mos shpërtheje një vullkan nga shpirti poetik, prandaj edhe dëshmon vargu pasues: “Kur zemra e hutuar më buzëqeshi” . Duket qartë se këtu nuk ka vetëm përshkrim fizik, por dhe emocional, që i japin kuptim dhe harmoni të vërtetë kësaj dashurie.

Kjo lirikë dashurie e Behare Nezirit kërkon edhe një analizë psikologjike të ndjenjës erotike, pasi aty ndjehet edhe përshkrimi i adhurimit të ndrojtur e me pasion prej zjarri: “Seç m’u lidhën për qerpikët durimet”, pasi kjo dashuri është më tepër se pasion, pasi e ka peng mallin e pashuar:

Aty ku më mbetën të gjitha kujtimet

Mes ditarit me lot të shkruar

Pengu më i madh i kësaj dashurie reflekton te vargu i fundit i poezisë:

Për ditët e dashurisë mbetur pa emër

Libri me poezi “Odeoni i shpirtit tim“pati jehonë të konsiderueshme në qarqet tona letrare, që e çojnë poeten në stade më të larta të poetikës së saj. Duke i ndenjur besnike ndarjes në pesë cikle, poetesha prezanton kapituj të rinj në artin e sajë poetik, ku buzëqeshja i bashkohet me puthjen dhe vallëzimet e jetës, herë në livadhe kopshte të bukura e herë-herë pa i harruar konakun e të parëve të sajë.

Në disa raste, autorja është më se serioze, pasi jeta e saj nuk ishte një udhëtim pa ferra në këmbë, por, ajo gjen forcë që t’u përballojë me guxim vështirësive të jetës. Në këtë poezi nuk duken vështirësitë e jetës, por në ndërtekst duket edhe mllefi i kësaj bote të pabesë.

Me këtë poezi, lexuesi e ndjen veten më të ngrohtë, më pranë temave, apo motiveve që trajton poetja. Ajo nuk shkruan pa e tjerr mirë anën artistike dhe estetike të poezisë dhe ka një bosht nga e orienton filozofinë jetësore të këtij arti poetik. Pra, është një poete që hyn guximshëm në plejadën e re të poezisë shqiptare, si poete gjithëpërfshirëse në letërsinë tonë.

Në të gjitha ciklet e kësaj poezie dominon buzëqeshja për një jetë ndryshe, të cilat japin shpresën e një njeriu me ideale të bukura dhe të bekuara për jetën, të dashuruarit dhe për mbarë jetën dhe natyrën që e rrethon autoren.

Duke e parë këtë vepër poetike me syrin e një vëzhgimi kritik, duket se këto vargje sjellin disa risi, veçmas ndjenjën që e përcjell “nudo”, e cila u ikën subjekteve të rëndomta, e që i trajton ato me artin lakonik, ku figurat artistike janë më tepër metafora të hapura, por jo lehtë të thjeshta.

Është pikërisht simboli i lirisë absolute dhe kësisoj, autorja vjen me origjinalitetin e saj të ri.

Ajo, bashkë me jetën, i këndon edhe natyrës dhe shpezëve, përmes të cilave ne del jo rrallë edhe figura stilistike e krahasimit. Kështu ajo e idealizon dashurinë, natyrën, si promotor i jetës së sajë, pasi, liria për dashuri është një himn më vete dhe duke i thurur lavdi të dashurit, ashtu si në Bibël, te “Kënga e këngëve” dhe përmes një romantike, ajo krijon filozofinë e ekzistencializmit të veçantë.

E kërkoja mes rrugëve të jetës ku ta takoja

Si dikur me buzëqeshjen që më falte lumturi

Nuk doja të më dashuronte vetëm t’i tregoja

Se më mbeti ëndërr e vonuar për një dashuri

Kështu janë poezitë e kësaj autore, plot guxim e me ide të ndryshme, plot përsiatje të bukura për jetën, ku, origjinaliteti i poezisë është kurdisur në disa plane. Një nga këta është edhe ndjenja e besimit për t’i bërë ballë stuhive të injorancës, një tendencë e pashpallur, por që shfaqet nëpër kapilaret e vargjeve.

Emblema e këtij libri është ritmi, ku gjallërinë në vazhdimësi vjen duke u shtuar nga vargu në varg. Është kjo që gjallëron gjithçka, e cila na del si simbol i perceptimit optimist të një jete të jetuar ndryshe, të lirë e pa ekuivokë.

Beharja në vargun poetik sjell flamurin e saj, jo vetëm atë të dashurisë, por edhe motivet tjera, si ai i vendlindjes, i familjes dhe ai shoqëror në përgjithësi e që janë dukshëm prezentë. Ky flamur poetik, i pasqyruar bukur në këtë përmbledhje vjershash, sjell ngjyrën e kuqe si simbol lirie e me plot shpresa. Autorja nuk e ka harruar te kaluarën, kur populli ynë ka përjetuar te zinjtë e ullirit. Ajo mban mend kur:

Të hapura i lash faqet nëpër abetare

Hapa dhe dritaret të shikoja tej oborrit

Pash të përgjakur një nënë shqiptare

Qëndisur me plumba në mes të kraharorit

Lirshmëria e temave dhe e motiveve të shumta, poeteshës i ka bërë anatominë e sajë poetike-filozofike, prandaj lexuesi e ndjen atdheun me peshën e shekujve. Kësisoj, ajo nuk shkruan me ekuivokë, por si përcjellëse e një dashurie të bardhë, që tenton ta largoje mjegullën e zezë, që i ka verbuar sytë rrethit jetësor të Behares. Herë – herë, kjo padukshmëri e vetë poetes, në disa poezi duket si një simbolikë që mbart mistere të përjetshme të jetës së saj nga rrethit ku jeton dhe vepron ajo…

Nuk është edhe vështirë për të depërtuar edhe nëpër këto mistere të jetës, duke ecur bashkë me figurat, me të cilat noton ajo nëpër oqeanin e madh të shpirtit poetik, si në dallgë, herë në fije të flokut të të dashurit, në gjethe, kullosa, lule, male e nëpër stinë.

Shpesh disa poezi sillen si pamflete mbrojtëse që të kujton shpirtin poetik të një malësore të vërtetë. Ajo nuk pranon urdhra qe ecin drejt dekadencave shekullore, por ajo ka marrë “shpatën” luftarake të lapsit e të fletores dhe botërisht shprehet:

Më thanë duhet të heshtësh poete

Në e do jetën ta jetosh lumtur

Rrugëve të gjakëtuara të kësaj jete

Kjo poeteshë tetovare, jo vetëm si poete, por ajo është e lidhur ngushtë edhe për trungun familjar dhe dy djemve të saj, Lindit dhe Kastriotit, që u kushton kujdes të veçantë dhe këtë dashuri të nënës e shpreh edhe në kopertinën e këtij libri, “Odeoni i shpirtit tim”:

Sa ditë e lumtur si dhuratë kur më erdhi

Vaji i lindjes dhe Lindi e pagëzova

…………………………………………………….

I shikoja lotët e gëzimit që më pikonin

Mbi shtatin e tij që pikëlohej me dashuri

Kur ia shikoja shikimet që kur më kërkonin

Të merrja në krah e t’i thosha Lindi je ti

Pra, poetesha di të zgjedh margaritarët e jetës së saj dhe u përkushtohet pafundësisht, si në jetën shoqërore e familjare, ashtu edhe në atë të vargut poetik. Pikërisht, kjo bardhësi shpirtërore dhe ky orientimi i drejt poetik, shpresojmë që poezia e sajë do të marri kaltërsinë e qiellit…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button