Hulumtim: Komuna e Tetovës dhe e Zhelinës dobët për transparencë, fshehën pagat e punonjësve

Qytetarët e Komunës së Tetovës dhe Komunës së Zhelinës e kanë pamundur të jenë të njoftuar për atë se sa paguhen zyrtarët komunal me paratë e tyre, për shkak se një informatë e tillë nuk është shënuar në ueb-faqet e këtyre komunave. Përveç kësaj, asnjë informacion që lidhet drejtpërdrejt me financat e komunave nuk bëhet publike, përkundër asaj që ligji e obligon një gjë të tillë, këto janë të dhënat e hulumtimit të organizatës joqeveritare “Multikultura” në bashkëpunim me Fondacionin Metamorphosis, shkruan Portalb.mk.

Fondacioni Metamorphosis me disa organizata joqeveritare partnere kanë qenë pjesë e një projekti ku janë monitoruar 17 institucione të vetëqeverisjes lokale për transparencë, edhe atë prej 26.05-16.06.2020. Kjo me qëllimin e dhënies së një pasqyre gjendjes së pushtetit lokal në RMV, në kuptimin e ekzekutimit të detyrave dhe obligimeve komunale në fushën e transparencës.

Transparenca është një prej elementeve më të rëndësishme për shtetet demokratike, kjo e fundit është parim për funksionim të mirë të qeverisjes qoftë lokale apo nacionale. Shoqata “Multikultura” ka pasur për detyrë monitorimin e Komunës së Tetovës dhe Zhelinës, andaj ne do të publikojmë rezultatet për këto dy komuna.

Çfarë thonë gjetjet e “Multikulturës” për Komunën e Tetovës dhe Zhelinës?

  • Ueb-faqe zyrtare – Posedojnë edhe Komuna e Tetovës edhe e Zhelinës.
  • Të publikuar dokumentet me përmbajtje ligjore të cilat përshkruajnë kompetencat apo veprimtarinë e organeve komunale dhe të këshillit komunal – Posedojnë edhe Komuna e Tetovës edhe e Zhelinës.
  • Organogram, CV të Kryetarit, strategji – Posedojnë edhe Komuna e Tetovës edhe e Zhelinës.
  • Të dhëna në ueb-faqe për Programin vjetor të punës së Komunës, Programin vjetor të punës së këshillit komunal. – Nuk kanë asnjëra komunë.
  • Informata në ueb-faqe për emrat, pozitat, kontaktet e shërbyesve civil – Ka vetëm Komuna e Tetovës.
  • Informata në ueb-faqe për pagat e punonjësve të pushtetit lokal – Nuk kanë asnjëra komunë.
  • Regjistër komunal për pronësinë, si dhe për shitje prone – Nuk kanë asnjëra komunë.
  • Të dhëna për bashkësitë lokale kontakt apo emër – Nuk kanë asnjëra komunë.
  • Publikimi i vendimeve dhe anekseve të prokurimeve publike – Nuk kanë asnjëra komunë.
  • Raportin për mbajtjen e konsultimit të debatit publik – Nuk kanë asnjëra komunë.
  • Buletin zyrtar – Nuk kanë asnjëra komunë.
  • Raportin e gjysmë vjetorit të vitit për harxhimet buxhetore dhe buxhetin qytetar – Nuk kanë asnjëra komunë.
  • Informacion të detajuar mbi nivelin dhe përbërjen e borxhit të komunës – Nuk kanë asnjëra komunë.
  • Planin për konsultime publike të komunës – Nuk kanë asnjëra komunë.
  • E-service ne ueb-faqe – Nuk kanë asnjëra komunë.
  • Dokument i cili rregullon transparencën e punës së komunës – Ka vetëm Komuna e Zhelinës.
  • Dhënie drejtpërdrejt e seancave te Këshillit Komunal – Ka vetëm Komuna e Zhelinës.
  • Kanal komunikimi online të drejtpërdrejte përmes të cilit qytetarët mund të ngrenë çështje të cilat i tanojnë – Nuk kanë asnjëra komunë.

Këto janë rezultate preliminare nga monitorimi, qëllimi i këtij projekti në mes të tjerash është bashkëpunimi midis sektorit civil dhe atij publik në mënyrë që qytetarëve të ju sigurohet sa më shumë transparencë.

Ndërkaq, bazuar në hulumtimin e tërësishëm, pra të gjithsej 17 komunave apo institucioneve të vetëqeverisjes lokale, nga këto komuna, Komuna e Ohrid sipas parametrave me të cilat është kryer ky hulumtim, del të jetë më transparente kurse e katërta me radhë Komuna e Tetovës, e gjashta Komuna e Zhelinës.

Portalb.mk përgatiti një infografik për këtë:

Ndryshe, matja e transparencës në qeverisjen lokale ka ndikim të veçantë në shoqëri pasi që shërben si kanal përçues dhe pajisës me informacione të cilat janë të nevojshme dhe përbëjnë interes publik, disa nga mënyrat se si matet transparenca e organeve janë këto: Qasja deri te informacionet në ueb faqen zyrtare të komunës, analiza e kornizës ligjore si burim për verifikimin e informacionit, gjetje nga publikimi i të dhënave tjera rreth punës së institucioneve, të dhëna rreth shpenzimit të parave publike si dhe informacione të cilat japin përshkrim mbi prokurimet publike e kështu me radhë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button