Tetovë, qindra nxënës në rrugë kundër mësimit online, drejtorët: Nuk ka pasur bojkot (VIDEO)

Qindra nxënës nga të gjitha shkollat e mesme të cilat janë në territorin e Komunës së Tetovës u mblodhën sot në një vend, jo për të festuar fillimin e vitit shkollor por përkundrazi ata këtë vit shkollor e pritën duke protestuar kundër mësimit online. Këtë fakt nuk e pranojnë drejtorët e shkollave të mesme, ata për Portalb.mk thanë se numri i nxënësve që kanë bojkotuar mësimin për shkak të protestave ka qenë 0 apo minimal, të kundërtën e dëshmon kamera e Portalb.mk.

Me pankarta në të cilat shkruhej “Nuk duam mësim nga distanca” u mblodhën qindra nxënës të shkollave të mesme para Gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviç”, të njëjtit kërkojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që të ndryshoje vendimin për mbajtjen e procesit arsimor, gjegjësisht në atë me prezencë fizike.

Asmir Xhelili ishte një nga protestuesit, i cili na tha se do të vazhdojnë me protestat, gjegjësisht me bojkotin e mësimit nga distanca deri në momentin kur zëri i tyre do të dëgjohet për shkak se siç thotë ai, mësimi online nuk është efikas.

“Jemi duke protestuar kundër mësimit online dhe duam mësim me prezencë fizike për shkak se vetëm ai është efikas, mësimi online nuk mund të ketë efikasitet. Mendojmë të vazhdojmë me protestat deri sa të arrijmë qëllimin tonë. Kemi bojkotuar  mësimin online, tash momentalisht është dash të jemi në mësim mirëpo ne jemi këtu, që i bije se automatikisht kemi bë bojkot të mësimit” tha Asmir Xhelili, nxënës.

Çfarë thonë drejtuesit e Shkollave të Mesme në Tetovë?

Miqerem Rizai, drejtoreshë e "Gjimnazit 7 Marsi".
Miqerem Rizai, drejtoreshë e “Gjimnazit 7 Marsi”.

Miqerem Rizai, drejtoreshë e Shkollës së Mesme “Gjimnazi 7 Marsi” tha se asnjë kujdestar klase nuk e ka informuar atë se ka pasur bojkot të organizuar nga nxënësit, megjithatë, pret të dhënat për të parë në qoftë se kanë bojkotuar nxënësit e pasdites.

“Numri i nxënësve të cilët u kyçën në Platformën Kombëtare ishte më i vogël se zakonisht, kishte disa defekte në platformë por është e kuptueshme sepse janë ditët e para dhe do të ketë vështirësi, besoj se do të rregullohen problemet teknike. Ka pasur numër të vogël të nxënësve që janë kyçur por nuk kam informatë prej nxënësve se të njëjtit kanë bojkotuar qëllimisht” tha Miqerem Rizai, drejtoreshë e “Gjimnazi 7 Marsi”.

Ndërkaq Isan Emini, drejtor i Shkollës së Mesme “Nikolla Shtejn” thotë se procesi ka vijuar me vështirësi të vogla, ndërkaq thekson se ka pasur bojkot të nxënësve pasdite.

Isan Emini, drejtor i Shkollës së Mesme "Nikolla Shtejn",Tetovë.
Isan Emini, drejtor i Shkollës së Mesme “Nikolla Shtejn”,Tetovë.

“Shkolla jonë realizon mësimin nga distanca, në ora 7:30 kemi filluar me procesin, si çdo vit, edhe kur ka qenë me prezencë fizike ditëve të para kemi pasur vështirësi. Edhe sot evidentuam disa probleme teknike, aktualisht jemi në koordinim që ti zgjidhim të njëjtat. Para dite nuk ka pasur nxënës që kanë bojkotuar mirëpo pasdite po, nuk i komentoj protestat, është e drejtë e nxënësve” theksoi Isan Emini, drejtor i “Nikolla Shtejn”.

Mirjeta Iljazi, drejtoresha e Shkollës së Mesme “8 Shtatori” potencoi se mësimi nga distanca në shkollën e saj është duke shkuar në rregull, ndërkaq sa ju përket bojkotit dhe protestave tha se ka pasur vetëm dy deri në tre nxënës që kanë bojkotuar mësimin për këtë arsye.

Mirjeta Iljazi, drejtoreshë e "8 Shtatori".
Mirjeta Iljazi, drejtoreshë e “8 Shtatori”.

“Procesi arsimor është duke shkuar mirë, nuk ka ndonjë problem të madh. Është shumë më mirë saqë e kemi prit, kemi prit realizim më të vogël të procesit, të gjithë profesorët janë në klasa dhe gjithçka shkon mirë. Sa ju përket protestave, shumë pak mësimdhënës më kanë përmend se nxënësit e tyre janë në protesta, ka që kanë shkruar se nuk kyçen për x arsye, por pa për protestat, ndoshta 2-3 nxënës” tha Mirjeta Iljazi, drejtoreshë e “8 Shtatori”.

Nuk ka bojkot të mësimit nga distanca thotë edhe drejtori i Shkollës së Mesme “Mosha Pijade”, i njëjti potencoi problemet me të cilat hasen mësimdhënësit dhe nxënësit, gjegjësisht mungesa e pajisjeve të nevojshme.

Nebojsa Trpkovski, drejtor i "Mosha Pijade", Tetovë.
Nebojsa Trpkovski, drejtor i “Mosha Pijade”, Tetovë.

“Procesi arsimor është duke shkuar në rregull, kemi probleme me kompjuterët e vjetër të cilët nuk i kënaqin performancat e nevojshme, përpjekkemi ti përforcojmë të njëjtit, internetin e kemi të mirë, ka disa probleme teknike. Në shkollën tonë nuk ka pasur nxënës që protestojnë, kemi pasur nxënës që nuk kanë kompjuter apo internet, vetëm kjo është, nuk ka bojkot” tha Nebojsa Trpkovski, drejtor i “Mosha Pijade”.

Ndryshe, në kuadër të Komunës së Tetovës, sipas të dhënave nga Komuna e Tetovës, në shkollë me prezencë fizike kanë filluar 3400 nxënës nga klasa e parë deri të tretën. Në përgjithësi, Komuna e Tetovës numëron 9.850 nxënës të shkollës fillore dhe 6300 të shkollës së mesme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button