Dita e parë

Dita e parë e shkollës sivjet u vonua për një muaj. Shkollat nuk ishin gati t’i presin fëmijët më 1 Shtator, kur edhe fillon viti i ri shkollor. Kjo për shkak të kushteve të reja të jetës të krijuara me pandeminë botërore Covid19 dhe rregullave të reja të distancës sociale dhe mbrojtes së shëndetit. Tani pas një muaji, a janë shkollat gati për të pritur fëmijët ose për t’i ridrejtuar ata drejtm mësimit në distancë? Për fat të keq jo. A ka pasur kohë për tu bërë gati për këtë realitet të ri? Sigurisht që po. Duke pasur parasysh që karantini shtetëror filloi me 11 Mars, para rreth shtatë muajsh, dhe duke pasur parasyshë që levizja u liberalizua në fillim të Qershorit, pra para katër muajsh, mund të thuhet lirish që kohë për tu përgatitur kishte bollshëm. Pse ajo kohë nuk u shfrytëzua për këtë qëllim, është diçka tjetër. Ne ballkanasit assesi të kuptojmë që koha është resursi më i çmuar. Gjithçka tjetër rekuperohet, por koha e humbur asnjëherë nuk kthehet pas. E megjithatë ne vazhdojmë ta humbim këtë resurs me një neglizhencë të tmerrshme.

Mësimi për më të vegjlit, nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta filloi me prezencë fizike, me orë të shkurtuara, me grupe të vogla dhe me orare të reja. Në një mënyrë ose në tjetrën, sërish ky fakt është një përparësi e vogël, sepse nxënësit do të mund të të shihen sado pak me mësuesen dhe ndërmjet vete, dhe sado pak do e përjetojnë kënaqësinë e të shkuarit në shkollë, së bashku me shokët, qoftë edhe në klasa të përgjysmuara, qoftë edhe me orë të shkurtuara. Ndoshta kjo kënaqësi do të jetë sërish afatshkurtër, ndoshta nëse situata del sërish jashtë kontrolli, fëmijët sërish do të detyrohen të mësojnë në shtëpi, por të paktën një fillim sadopak normal e kanë.

Mësimi për pak më të mëdhenjtë, fëmijët nga klasa e tretë e më lartë, duhej të fillojë nga distanca. Vetëm gjatë javëve të fundit u bënë përpjekje për krijimin e një platforme nacionale për mësim nga distanca. Platforma u testua në fillim të kësaj jave, dhe normalisht, nuk ishte funksionale. Vetëm dje fëmijët arritën të kyçen disi me llogaritë dhe fjalëkalimet e tyre. Pasi u kyçën panë një boshllëk të madh, ku klasat ende nuk ishin krijuar, materialet ende nuk ishin vënë, dhe nuk kishte asnjë instruksion relevant për veprimet e mëtejme. Mësuesit që duhet të punojnë me këtë platformë varen nga shkolla që duhet ti krijojë lëndët e tyre. Shkolla që duhet të normalizojë platformën nuk ka qasje në internet nga të gjitha klasat. Fëmijët rinë para monitorëve, mësueset rinë para monitorëve, e megjithatë ata nuk arrijnë të komunikojnë. Është më se e kuptueshme që të ketë probleme të tilla në ditën e parë dhe me një sfidë të tillë si që është mësimi në distancë. Ajo që nuk është fare e kuptueshme është pse u prit kaq gjatë për ti bërë këto përgatitje? Një pyetje tjetër shumë e thjeshtë është përse duhej të krijohet një platformë e re nacionale kur sisteme të menaxhimit të nxënies tani më janë krijuar dhe funksionojnë pa asnjë problem nga liderët botërorë të teknologjisë informative, si që janë Microsoft ose Google? A thua vallë dikush vërtet mendon se shkencëtarët në Maqeoninë e Veriut mund të bëjnë një sistem më të mirë menaxhimi të mësimdhënies se sa Google Classroom, që është i kapshëm për të gjitha shkollat dhe universitetet dhe njëherit është fare pa pagesë? Përse mundohemi ta zbulojmë ujin e ngrohtë që dikush ka kohë jo vetëm që e ka zbuluar por e ka perfeskionuar? Përse humbim kohë kur edhe ashtu nuk kemi asnjë minutë për të humbur? Ne, më të mençurit e botës, do krijojmë platforma më të fuqishme se Google?

Duke qenë se vi nga një universitet i cili digjitalizimin e ka pasur prioritet që kur është themeluar, në vitin e largët 2001, mund të them që ky proces nuk bëhet brenda natës dhe është shumë sfidues edhe për institucione që kanë kohë që funksionojnë në mënyrë digjitale. Universiteti ku unë punoj ka investuar fonde të panumërta dhe njohuri të shumta për tu përshtatur me kohën dhe për të qenë në hap me digjitalizimin. Trajnimet të vazhdueshme, investimet në infrastrukturën e rrjetit dhe në pajisje dhe mirëmbajta e disiplinuar e të gjitha këtyre paraqesin një investim të madh, por vetëm në atë mënyrë mund të ecet në hap me kohën dhe të përballohen sfidat e këtij realiteti të ri. Kjo situatë, ku mësuesit nuk kanë pasur kohë të trajnohen, ku shkollat nuk kanë rrejt funksional, e ku platforma nacionale që duhet të përdoret ka dy ditë që është krijuar, më bën të shqetësohem pa masë për këtë vit shkollor dhe për domethënien që ky gjysmëvjetor do ta ketë për fëmijët tanë dhe zhvillimin e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button