VMRO shqyrton mundësinë për “impiçment” për Pendarovskin, Zaev nuk parasheh krizë kushtetuese

VMRO – DPMNE do ta shqyrtojë mundësinë për impiçment (impeachment) të presidentit, Stevo Pendarovski. Këtë e deklaroi për TV 24 anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, e cila tha se kjo parti, nuk do të votojë për vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme, sepse sipas saj, një pjesë e dekreteve nga Qeveria kanë qenë për qëllime tjera dhe se kriza ekonomike dhe shëndetësore në vend nuk është tejkaluar, shkruan Portalb.mk.

“Përgjigja për këtë problem i cili padyshim do të bëhet problem i madh, duhet të kërkohet ose te presidenti ose te Gjykata Kushtetuese. E shqyrtojmë mundësinë për impiçment, ndërsa nuk kemi sjellur qëndrim përfundimtar”, tha Stojanoska.

Por, kryeministri Zoran Zaev, duke komentuar këtë deklaratë gjatë vizitës së sotme në një shkollë fillore, tha se nuk ka mundësi që të kemi krizë kushtetuese, duke pasur parasysh situatën e krijuar me vendimet e presidentit Pendarovski për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, për të cilat ka paralajmërime se nuk do të votohen nga opozita maqedonase.

“Unë e kuptoj papërgjegjësinë, të gjithë jemi të fokusuar këtu, me të vërtetë në kushte të Covid-19, në kushte kur vjen sezona e gripit, dimri, që dikush t’i parashtroj çështjet në këtë mënyrë joserioze. Por, çdokush me përgjegjësinë e tij. Nëse e dini, Mickoski vraponte pas meje si kryetar i partisë më të madhe në pushtet, që të kërkojë gjendje të jashtëzakonshme dhe në rregull, nuk është e rëndësishme kush e ka kërkuar, e kërkuam së bashku, pushteti dhe opozita. Presidenti Pendarovski na dëgjoi, i dëgjoi argumentet, kemi mbajtur takime dhe e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe të gjitha vendimet tjera për gjendje të jashtëzakonshme”, deklaroi Zaev.

Ai ka shtuar se vendimi i fundit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme është sjell me kërkesë të VMRO-DPMNE-së.

“E dini se vendimi i fundit ka qenë madje për 7 ditë gjendje të jashtëzakonshme, me kërkesë të opozitës për shkak të zgjedhjeve. Nuk kishte mënyrë tjetër për organizim datave adekuate për mbajtjen e zgjedhjeve dhe tani të deklarohet se nuk mbështetet gjendja e jashtëzakonshme, se nuk do të votohet gjendja e jashtëzakonshme është e papërgjegjshme. Por, sistemi i ka zgjidhjet. Procedurat duhet të vazhdojnë, kryetari i Kuvendit është i obliguar që t’i dorëzoj Kuvendit vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme. Kuvendi do t’i diskutoj dhe në fund do të vendosë. Por, nuk ekziston asnjë rrezik as për krizë kushtetuese, as për ndonjë problem për anulimin e cilitdo  vendim që është sjell, as për kthim mbrapa të gjithë procesit”, theksoi Zaev.

Seanca parlamentare për 5 vendimet ishte paralajmëruar dje, por e njëjta është ndërprerë menjëherë pas votimit të rendit të ditës.

Antonio Milloshoski nga VMRO DPMNE, dje para fillimit të seancës, deklaroi se grupi parlamentar i kësaj partie,  nuk do të votojnë për vërtetim e këtyre vendimeve. Këtë qëndrim ata e bazojnë në tre arsye. Arsyeja e parë është se, vendimet për gjendje të jashtëzakonshme u miratuan për ballafaqim më të mirë me pandeminë, fatkeqësisht sot, sipas tyre,  kemi gjendje më të përkeqësuar në pandeminë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button