Maqedonia e Veriut është në pritje të një raporti të ri nga Komisioni Evropian

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Dhe kështu, po vjen koha edhe për një raport tjetër të Komisionit Evropian. Jozyrtarisht, është njoftuar se Komisioni do të shpallë Paketën e Zgjerimit (pjesë e së cilës është edhe raporti) më 6 tetor 2020. Por mund të publikohet edhe më vonë.

Malinka Ristevska Jordanova

Paketa e Zgjerimit përbëhet nga Informacion (Kominike) i Komisionit Evropian drejtuar Parlamentit Evropian, Këshillit të BE-së, Këshillit ekonomik dhe social dhe Këshillit të rajoneve dhe raporteve individuale për secilin vend në proces. Informacioni, i cili gjithashtu përmban përmbledhje të raporteve kombëtare, është dokumenti kryesor në të cilin përmblidhen situatat dhe rishqyrtohet politika e zgjerimit. Pjesa më e rëndësishme e këtij dokumenti janë konkluzionet e shkurtra, të cilat tregojnë hapat e mëtejshëm në proces.
“Beteja” nuk përfundon me publikimin e raportit por zhvillohet kryesisht rreth këtyre konkluzave. Ajo që ndodh më pas është rishikimi në Këshillin e BE-së i Paketës nga Vendet Anëtare, pas çka miratohen konkluzionet e Këshillit – në dhjetor ose qershor (nëse paketa publikohet në pranverë). Pastaj Parlamenti Evropian e rishikon Paketën, e cila përfundon me dokumentet – rezolutat e tij.

Paketa e Zgjerimit duhet të jetë vjetore. Sidoqoftë, vitet e fundit ajo dinamikë është çrregulluar. Së pari, në vend të vjeshtës së vitit 2017, raporti u botua në pranverën e vitit 2018. Këtë vit ai nuk u publikua siç u paralajmërua, në maj, por procesi u zhvendos përsëri – këtë herë për vjeshtë. Pavarësisht sa kërkohen justifikime për “rrallimin” e këtij mekanizmi të zgjerimit të krijuar deri më tani, kjo në vetvete tregon prioritetin e zbehur për zgjerimin e BE-së.

Në secilin vend, vëmendjen më të madhe e tërheq raporti individual i secilit shtet. Më parë quhej “Raporti i progresit”, që nga viti 2015 quhet vetëm “Raport”. Logjika e ndryshimit është, se mund edhe të mos jetë raport progresi, mund të ketë regres. Logjikë e mirë, por nuk bën i mirë imazhit dhe vetë procesit të zgjerimit.

Raporti individual është një shtojcë e Informacionit dhe si një lloj dokumenti është “dokument pune i Shërbimeve të Komisionit”. Ai përbëhet sipas kritereve të Kopenhagës – kritereve  politike, ekonomike dhe miratimit të detyrimeve të anëtarësimit dhe ofron një pasqyrë të situatës në lidhje me kërkesat e “Acquis”, si dhe standardet ndërkombëtare.
Nga viti 2018, Komisioni ka rregulluar strukturën e raporteve për të zbatuar parimin “së pari themelet”, kështu që Kapitujt 23 dhe 24 janë zhvendosur përpara – menjëherë pas kritereve politike. Dhe jo vetëm që janë zhvendosur përpara, por janë edhe shumë më të detajuara.

Përmbajtja e raporteve, ndërkohë, është rezultat i një procesi sistematik të monitorimit, në të cilin, përveç gjetjeve të shërbimeve të delegacioneve të KE-së në vendet e ndryshme, kemi gjetjet e ambasadave të vendeve anëtare, si dhe të organizatave ndërkombëtare. Megjithatë, burimet kryesore të Raportit janë kryesisht të brendshme dhe për këtë arsye dialogu dhe konsultimi me palët e interesit vendas është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Prandaj, shpesh thuhet që Raportin e shkruajmë vetë. Sidoqoftë, vlerësimi përfundimtar mbetet ai i Komisionit.

Shpejt pas publikimit do të jemi në gjendje të dalim me vlerësime nga raporti, madje të shprehura edhe në numra. Këtë e mundëson mënyra e vlerësimit të Komisionit me fraza uniforme për secilin kapitull ose fushë.

Vlerësohen dy aspekte: progresi nga raporti i mëparshëm dhe niveli i gatishmërisë. Niveli i gatishmërisë vlerësohet në krahasim me kërkesat për anëtarësim. Në vitet e fundit, raportet kanë qenë më të qëndrueshme në lidhje me rekomandimet e përshkruara së bashku me vlerësimet në fillim të secilit kapitull.

Edhe pse vitet e fundit raportet nuk kanë tërhequr vëmendjen që kishin në vitet e mëparshme – ndoshta nga shkaku se tashmë kemi pranuar dhe analizuar shumë raporte, duke mbetur me të njëjtin status, është e mundur që ato të fitojnë sërish më shumë rëndësi. Sipas metodologjisë së re për zgjerim, konferencat ndërqeveritare të negociatave për aderim duhet të mbahen pas publikimit të raportit. Përveç vlerësimit të asaj që është arritur, në këto konferenca duhet të planifikohet viti që vijon, duke përfshirë kapitujt/klasterët e hapjes dhe mbylljes dhe masat e mundshme korrigjuese. Por, së pari duhet të presim dhe të analizojmë këtë raport e pastaj të shkojmë më tej. Dhe le të shpresojmë që në të njëjtën kohë do të publikohet plani i paralajmëruar ekonomik dhe investues i Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button