Çajani, regjisori i disa çmimeve që thotë se “Zoologjikët” e vërtetë jemi ne, humanët (VIDEO)

Gent Çajani, regjisori më i ri në moshë në Maqedoninë e Veriu që solli publikut tonë “Tregimi Zoologjik” të Edward Albee thotë se Zoologjikët e vërtetë në këtë botë jemi ne, të cilët sipas tij, jetojmë brenda një kafazi dhe aspak nuk jemi të lirë. Çajani është fituesi i parë nga rajoni i Pollogut i një çmimi të rëndësishëm si “Regjisori më i mirë”, por, ky i fundit nuk është shumë i kënaqur me mënyrën se si njerëzit në vendin tonë e perceptojnë artin, ai thotë se”deri sa ne presim që njerëzit të përparojnë, unë lodhem”, shkruan Portalb.mk.

Në ambient të hapur dhe me distancën e nevojshme për mbrojtje nga virusi korona, nga data 22 e deri më 26 shtator kanë qenë natë teatri në Gostivar, respektivisht në hapësirat e njërit prej hoteleve të këtij qyteti.

Në natën e ditë të Festivalit të Teatrit “Othello” u prezantua “Tregimi Zoologjik” në regji me Gent Çajanin, kurse aktorë të kësaj shfaqje ishin Rahim Ramadani, Granit Vela dhe Berat Mahmuti. Një shfaqje kjo me shumë emocion, që çoi regjisorin Çajani deri në çmimin e parë si “Best director” apo “Regjisori më i mirë”.

Shfaqja "Tregimi zoologjik"
Shfaqja “Tregimi zoologjik”

Nga bllokimi i mjeteve të nevojshme për punë e deri në frustrim psikologjik, kështu e shpjegon Çajani në fjalë të shkurtra jetën e një artisti të rinj në Maqedoninë e Veriut, ai thotë se me aq mundësi sa u jepet, mundohet gjithmonë të rris nivelin e intelektit në shoqëri, që sadopak të shpëtojmë nga problemet e përditshme dhe të njohim veten.

Të jesh artist në Maqedoninë e veriut hasesh me probleme të shumta, që nga bllokimet e fondeve e gjer në frustrime psikologjike. Në shumicën e rasteve ne artistët nënvlerësohemi nga profesionet e tjera, por artin unë nuk do e quaja profesion, por do e fusja në një grup njerëzish që janë më ndryshe nga njerëzit e tjerë.

Gent Çajani, regjisor i "Tregimit Zoologjik".
Gent Çajani, regjisor i “Tregimit Zoologjik”.

Ne jemi ata njerëz që veprojmë me ndjenja e jo me instinkte kafshërore, ne jemi ata njerëz që punojmë dhe duam të rrisim nivelin e intelektit në shoqëri, që sado pak të shpëtojmë nga problemet e përditshme dhe të njohim veten tonë, e kështu ndryshe do funksionojmë duke u marrë me problemet sociale dhe të jemi të realë ndaj vetvetes tonë dhe në atë se çfarë na është falë si dhuratë nga Zoti Jetës” theksoi Gent Çajani, regjisor.

E për atë se çfarë do kishte dashtë ai të ishte ndryshe në kuptimin e asaj se si populli i RMV-së e percepton artin, Çajani thotë se ndryshimi në këtë aspekt po shkon me hapa shumë të ngadalta dhe për këtë, atributin ja dedikon artistëve.

“Deri sa presim që vendi dhe njerëzit të përparojnë në vendin tonë, unë lodhem. Lodhem sepse ndryshimi dhe ëndrrat janë shumë larg nga ne, urrejtja e xhelozia na ka kapluar në palcë dhe nuk na le të përparojmë. Deri sot ka pasur shumë pak ndryshim dhe interesim për artin në shoqëri por gjithsesi kemi ecur pak përpara dhe atë falë neve artistëve të rinj nga Maqedonia” tha Gent Çajani.

Çajani megjithatë shprehet se kohës së fundit ka vërejtur një interes pak më të shtuar të qytetarëve për teatrin, ai shton se në qoftë se një artist dëshiron të punoje, kushtet e punës e ka patjetër ti krijoje vetë, meqenëse nga shteti nuk ka përkrahje.

"Tregimi Zoologjik"
“Tregimi Zoologjik”

“Kohëve të fundit shqiptarët në vendin tonë kanë hapur sytë dhe janë më të lirë. Më kënaqet shpirti kur shoh të rinj rrugës për në teatër. Do duhet të mësohemi edhe me mendimet e të tjerëve se si e shohin botën. Kushtet për punë duhet ti krijojmë vet në qoftë se duam të punojmë. Përkrahje nuk ka aq sa duhet nga shteti sepse po të kishte nuk do shkonim me kaq hapa të ngadaltë. Duhet të thuhet se kur teatri politizohet atëherë arti është i vdekur” shtoi Çajani.

Ndryshe, përveç çmimit “Best director” që Çajani e fitoi në festivalin ndërkombëtar të teatrit “Othello”, disa ditë më herët, shfaqja e tij, më saktë një nga aktorët që luan rolin kryesor në “Tregimin Zoologjik” Berat Mahmuti, në festivalin “AKT fest” fitoi çmimin “Best Actor” apo “Aktori më i mirë”.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button