Mosmarrëveshje e re mes pushtetit dhe opozitës në RMV, Kuvendi nuk ka shumicë për vërtetimin e 5 vendimeve për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme (VIDEO)

Seanca parlamentare për  5 vendimet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e presidentit, Stevo Pendarovski, ka përfunduar për rreth 5 minuta, pasi këto pika nuk ishin vënë në diskutim por vetëm në rend dite. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, sot para fillimit të kësaj seance, deklaroi se, fati i vendimeve për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e Pendarovski, do të varet nga vullneti i subjekteve politike, shkruan Portalb.mk. 

“Aktualisht nuk kam qëndrime oficiale të partive politike. Besoj se shumica do të jenë në mbështetje të vendimeve, por zyrtarisht nuk ka ndonjë qëndrim të veçantë. Sipas procedurave, duhet të miratohen me shumicë dy të tretat të votave, ashtu siç e parasheh Kushtetuta. Eventualisht, për mos vërtetim apo miratim të vendimeve, për pasojat janë kompetente institucionet tjera që të vlerësojnë pasojat juridike të mundshme nga vendimi eventual që të mos të njëjtat”, deklaroi ai.


Ndërkohë, VMRO DPMNE tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e grupit parlamentar të kësaj partie, se nuk do të votojnë për vërtetim e këtyre vendimeve. Këtë qëndrim ata e bazojnë në tre arsye. Arsyeja e parë është se, vendimet për gjendje të jashtëzakonshme u miratuan për ballafaqim më të mirë me pandeminë, fatkeqësisht sot, sipas tyre,  kemi gjendje më të përkeqësuar në pandeminë.

“Arsyeja e dytë për këto vendim ishte ballafaqimi me pasojat ekonomike nga pandemi dhe sot disa muaj pas këtyre vendimeve për gjendje të jashtëzakonshme kemi përkeqësim drastik të gjendjes ekonomike në shtet me rritje të papunësisë. Arsyeja e tretë është që këto dy baza të vendimeve për gjendje të jashtëzakonshme, ballafaqimi me pandeminë dhe ndihmë të ekonomisë, për fat të keq i keqpërdori dhe në vend se të sjell masa kushtuar këtyre temave, ka sjell dekrete me fuqi ligjore që u keqpërdoren për mitmarrje zgjedhore apo për ndryshim të Kodit Zgjedhor në 5 dhe 12”, deklaroi Milloshoski.

Për LSDM-në, ky vendim i opozitës maqedonase, e dëshmon edhe njëherë destruktivitetin dhe papërgjegjësinë e kësaj partie.

“Sot edhe njëherë u vërtetua se VMRO-DPMNE e udhëhequr nga Hristijan Mickoski udhëhiqet vetëm nga populizmi politik dhe aspak nuk shqetësohen për interesat e shtetit dhe qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme ishte në interes të qytetarëve dhe e domosdoshme për veprim të Qeverisë dhe institucioneve. Për ndryshimin e ligjeve që mundësuan efikasitet më të madh të pushtetit ekzekutiv, në sjelljen e masave dhe politikave për ballafaqim me pasojat e korona virusit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, në situata kur kishim Kuvend të shpërbërë dhe qeveri teknike dhe mandat vetëm për organizimin e zgjedhjeve”, deklaroi deputeti i LSDM-së, Konstadin Kostadinov.

Edhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, shprehen me rezerva sa i përket votimit të këtyre vendime, edhe pse nuk kanë sjell akoma një qëndrim të prerë si koalicion. Syrija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët tha për Portalb.mk se kjo parti ka mbështetur nevojën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, por kontestojnë mënyrën se si është shpallur ajo.

“Qëndrimi jonë ka qenë i qartë që në fillim të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pavarësisht se ne kemi mbështetur nevojën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për arsye të pandemisë, kemi pasur vërejtje për mënyrën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Ne si parti kemi qenë pro qëndrimit që të kthehet përbërja e kaluar dhe të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, jo nga presidenti”, deklaroi Rashidi.

Ndërkohë, Skender Rexhepi nga Alternativa, tha se do të përkrahin ato vendime që janë sjell në ato mbledhje ku kanë qenë prezent edhe kryetarët e ASH dhe AAA.

“Të dy partitë ende nuk e kanë një qëndrim të prerë por konsiderojmë se do të vijmë në atë frymë që aty ku kanë qenë prezent kryetarët tonë, në ato mbledhje te kryetari i shtetit, të cilët janë dakorduar për gjendje të jashtëzakonshme ato janë dakord, por aty ku kanë vendos të tjerët, pa prezencën e kryetarëve të partive tona, nuk kemi arsye që t’i përkrahim sepse vlerësojmë se janë vendime politike dhe jo shëndetësore”, deklaroi Rexhepi për Portalb.mk.

Nga kabineti i presidentit, Stevo Pendarovski, kanë reaguar në lidhje me këtë situatë duke thënë se vendimet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme janë sjell në pajtueshmëri me Kushtetutën, në bazë të propozimit të Qeverisë, përderisa Kuvendi ishte i shpërbërë dhe kësaj i ka paraprijë konsultimet me Këshillin për Siguri dhe ka pasur takime liderësh.

“Në dy raste janë mbajtur takime të liderëve të partive politike të cilët kanë marrë mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare (2016), në të cilat u arrit konsensus për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Duam të theksojmë veçanërisht se Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar kushtetueshmërinë e vendimeve që ka sjell presidenti Pendarovski. Vërtetimi i vendimeve për ekzistencë të gjendjes së jashtëzakonshme është në kompetencë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut”, thanë nga kabineti presidencial.

Kujtojmë se 5 vendimet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e presidentit, Stevo Pendarovski, nuk janë vërtetuar nga ana e Kuvendit, pasi në kohën kur janë sjellur kuvendi veç më ishte shpërbërë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button