Frymë e re, ambicje të mëdha

Nga Jesir Hoxha – Muzikolog

Më datë 28 shtator 2020, në sallën e Muzeut të luftës maqedonase, Shoqata Kulturore Artistike “Mrika”, organizoi koncert për artdashësit e kryeqytetit nën slloganin “Muzika bashkon gjeneratat”.

Në fakt, e vërteta është që kjo shoqatë kulturore-artistike nuk bashkoi vetëm gjeneratat, por kaloi mbi një koncept më largpamës duke bashkuar edhe orkestrën kamertale shqiptare me instrumentistë, këngëtarë dhe dirigjentë të talentuar të Maqedonisë së Veriut.

Në një kuadër të tillë, ata ishin kujdesur për një program të zgjedhur dhe me shije artistike të përfaqësuar nga kompozitorë të shquar botëror si: Antonio Vivaldi “Simfonia in c-major rv 112”, Georg Frederik Hendel “Messiah, every valley shall be exhalted”, “Ombra mai fu”, Christoph Willibald Gluck “Che faro senza Euridice”, Pyotr Ilyich Tchaikovsky “String quartet no.1”, Vincenzo Bellini “Vaga luna che inargenti”, Barcarola Napoletana “Santa Lucia” dhe një këngë të vjetër dashurie  nga Shime Dhënshpali “Dashnor tu bana”.

Koncerti u hap nën frymën e stilit barok, të kompozitorit Vivaldi dhe nën interpretimin e orkestrës kamertale shqiptare të udhëhequr nga dirigjenti Behar Veseli. Si rrjedhojë për këtë, orkestra bashkë me dirigjentin Veseli, përcollën denjësisht gjithë elementet e një vepre më cilësi të arrira artistike.

Muzika bashkon gjenerata 

Rrjedha e veprave në vazhdim të programit, i takonin tenorit të talentuar shqiptar Ismet Vejseli. Mënyra e interpetimit, teknika dhe muzikaliteti i tij, ishin pjesë e pandashme e secilës vepër që ai interpretoi me majft mjeshtëri artistike. Mbi të gjitha, ai qëndroi gjithmonë i gatshëm dhe i kujdesshëm të bashkëpunonte në momentet e duhura, por jo vetëm, me dirigjentin si dhe orkestrën kamertale që e përfaqësonte.

Pas veprave të bukura që interpretoi Vejseli, tashmë ishte radha e duetit të mbrëmjes me të ftuarin special tenorin Shinasi Ramadan. Ata së bashku interpretuan këngën e vjetër napolitane “Santa Lucia”. Megjithatë, në këtë rast nuk mund të mohojmë faktin që ky duet ishte edhe pjesa më e bukur e koncertit në të gjitha pikëpamjet artistike. Natyrshëm, mes dy tenorëve rrjedhte harmonia e qartë si dhe kujdesshmëria që ata krijonin gjatë interpretimit të këngës në momentet më delikate të saj.

Kjo mbrëmje me vlera artistike, përfundojë nën tingujt e bukur të muzikës shqiptare e më saktë të këngës “Dashnor tu bana”. Një përzgjedhje majft e veçantë, por megjithatë krijoi atmoferën e bukur dhe romantike që mbart në vetvete kënga në fjalë.

Në përgjithësi, kryeqyteti jonë po fillon të ketë frymë të re dhe ambicje të mëdha artistike. Kjo ambicje dhe ky rrugëtim i ri i traditës së muzikës së kultivuar shqiptare në Maqedoninë e Veriut, i domosdoshëm për vendin dhe artdashësit, shpresojmë të jetë një gur i hedhur mbi një të ardhme të ndritur artistike të vendit.

Muzika bashkon gjenerata

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button