Përfundoi edhe seanca për nënkryetarë të Kuvendit, deputetët nuk arritën pajtueshmëri se sa nënkryetarë duhet të ketë

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, përfundoi edhe seancën e dytë parlamentare ku në rend dite ishte përcaktimi i numrit të nënkryetarëve të Kuvendit, pasi nuk u arrit pajtueshmëri rreth kësaj dhe tha se për vazhdimin e saj deputetët do të njoftohen në mënyrë shtesë. Deputetët paraprakisht kishin miratuar vendimin për përbërjen e trupave punues parlamentare, por kanë mosmarrëveshje sa i përket numrit të deputetëve, shkruan Portalb.mk.

Xhaferi propozon që Kuvendi të ketë 5 nënkryetar, duke u thirrur në ligjin për punë të Kuvendit të miratuar para disa viteve nga shumica VMRO – BDI. Ai thotë se ky ligj e obligon që të propozojë për përcaktimin e numrit të nënkryetarëve. Se a do të sillet vendimi varet prej deputetëve.

“Sa i përket propozim vendimi për numrin e nënkryetarëve, unë qëndroj në atë propozim për faktin që ajo nuk është dëshirë e ime personale, është obligim që buron nga ligji për punë të Parlamentit dhe numri është ai që është propozuar. Partitë politike janë dakroduar që të miratohet vendimi. Veprimi konkret për zgjedhje personale të nënkryetarëve është çështje e të drejtës së partive politike dhe komfort propozimeve që do të burojnë nga vendimi në seancat vijuese do të mund të zgjidhen edhe nënkryetarët”, theksoi Xhaferi para fillimit të seancës.

Megjithatë, opozita maqedonase kundërshton që Kuvendi të ketë 5 nënkryetar. Sipas tyre, kjo gjë nuk është e nevojshme në një kohë kur shteti po përballet me krizë për shkak të korona virusit dhe kjo gjë sipas tyre, do të rëndonte buxhetin e shtetit. Opozita po ashtu thotë se ky numër i nënkryetarëve është i paarsyeshëm edhe për shkak sasisë së vogël të kompetencave që ka ky post.

“Në një vend të varfër siç është Maqedonia e Veriut, duhet ta mendojmë mirë se a na duhen vërtetë 5 deputetë”, deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanoska.

Deptueti nga koalicioni ASH-AAA, Skender Rexhepi tha se për to nuk është i rëndësishëm numri i nënkryetarëve, por njëri prej nënkryetarëve duhet të jetë nga ky koalicion, si parti më e madhe opozitare shqiptare.

“Ne e mbështesin me faktin se duhet të ketë edhe për ne një nënkryetar, në momentin që nuk ka për ne nënkryetar si mund të mbështesim diçka që na bëhet padrejtësi neve si parti opozitare më e madhe. Ne e përkrahim propozimin për 5 nënkryetar, do të përkrahim me kusht nëse dy i takojnë opozitës. Në këtë rast, është reale që të ketë 5 nënkryetar, 2 t’i ketë opozita një ne një VMRO-DPMNE, nëse koalicioni i VMRO-së nuk është i interesuar është problem i tyre por ne këmbëngulim që në të kemi nënkryetar. Nëse na bëhet padrejtësi këtu jo vetëm që nuk e përkrahim por, do ta ngritim zërin gjithkund”, deklaroi Rexhepi për Portalb.mk, para fillimit të seancës.

Përpos nënkryetarëve, Kuvendi duhet të zgjedh edhe anëtarë të komisionit të Kuvendit dhe zëvendësa të tyre, si dhe të formohen delegacione, grupe parlamentare dhe forma të tjera të realizimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Kuvendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button