Mjete për mësim dhe kthim gradual në shkolla kërkojnë nxënësit, ultimatum drejt kompetentëve

Duke cituar nenin 26 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, sot Blendi Hodai iu drejtua Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe asaj të Shëndetësisë, i njëjti thotë se në qoftë se situata epidemiologjike gjatë muajit tetor do të jetë stabile, nga 1 nëntori kthim në shkolla apo bojkot të procesit arsimor nga distanca. Ndërkaq nesër zyrtarisht fillon procesi arsimor nga distanca, shkruan Portalb.mk.

Përkundër pesë kërkesave të Unionit të Nxënënsve të Shkollave të Mesme (UNSHM) që janë pranuar nga Qeveria e RMV-së dhe institucionet përkatëse, Hodai nga kjo organizatë potencon edhe një herë kërkesën kryesore të tyre, për mbajtje të mësimit nga distanca.

“Përkundër të gjitha arritjeve që kemi pasur në diskutim me Qeverinë, kërkesa jonë përmbajtësore dhe më e rëndësishme që viti shkollor të filloje me model të kombinuar, nuk është pranuar. Kësisoj, UNSHM me javë të tëra ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me nxënësit e shkollave të mesme në gjithë shtetin dhe kemi arritur konsensus në lidhje me hapat e ardhshëm të unionit. Kemi bërë kompromis duke respektuar epidemiologët për mësim nga distanca, por në qoftë se gjendja epidemiologjike gjatë muajit nëntor do të jetë stabile, atëherë nxënësit duhet të kthehen në shkollë gradualisht me model të kombinuar, në qoftë se kjo nuk do të ndodhë, çdo nxënës do të bojkotoje mësimin online në nëntor. Kjo nuk duhet të merret si kërcënim, përkundrazi si një ultimatum 1 mujor ndaj ministres Carovska dhe ministrit Filipçe” theksoi Blendi Hodai, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme.

Ai përshëndet Platformën Kombëtare për mësim nga distanca, megjithatë, thekson faktin se mbi 40.000 nxënës në shtet nuk kanë qasje në këtë platformë, për shkak të kushteve ekonomike në të cilat jetojnë ata. Kësisoj, duke u bazuar në KNDNJ në të cilën nënshkruese është edhe shteti jonë, ai kërkon që secilit nxënës ti sigurohet mjet përkatës për kyçje në orët mësimore.

“Mbyllja e shkollave është duke thelluar pabarazitë ku rreth 40,000 nxënës në RMV nuk kanë mjete të nevojshme financiare për të marrë pjesë në procesin arsimor nga distanca, mjete këto të domosdoshme për mbarëvajtjen e procesit. Shtoni këtu edhe familjet që kanë në dispozicion vetëm një llaptop. Në nenin 26 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut thuhet “ Çdo individ ka të drejtë për arsimim, arsimi duhet të jetë falas për të gjithë” andaj, asnjë nxënës nuk duhet të privohet nga kjo e drejtë elementare dhe autoritetet arsimore duhet të gjejnë zgjidhje që çdo nxënës të ketë qasje në mjetet për mësim nga distanca sepse arsimi nuk është favor por e drejtë themelore” shtoi Hodai.

Ndryshe, fillimi i vitit shkollor 2020-2021 është paraparë që zyrtarisht të filloje nesër, respektivisht me datë 1 tetor edhe atë nga distanca përmes Platformës Nacionale për mësim nga distanca. Ditëve të fundit ka pasur ankesa si nga nxënësit ashtu edhe mësimdhënësit për atë se a do të kenë të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces qasje deri te mjetet e nevojshme apo jo.

Për këtë, sot ministrja Carovska në një konferencë për shtyp tha se nxënësit të cilët nuk kanë qasje në mjetet e nevojshme për mbajtje të mësimit online, do të mund ta ndjekin atë përmes televizionit në një orar të caktuar.

“Ajo që e konfirmojmë në vetë planin tonë, është që nxënësit do të kenë mundësi që në një orar të caktuar, në tre kanale të televizionit shtetëror, në gjuhën e tyre të ndjekin orë mësimore nga 15 minuta, nga klasa e parë deri në të nëntën dhe ky është një instrument i rëndësishëm që shfrytëzohet edhe në shtetet tjera për fëmijët që nuk kanë qasje” tha Carovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button