DIJE APO FORCË

Shqiptarët përgjatë historisë janë dëshmuar si të zotë në beteja, por të njëjtën zotësi nuk e kanë pasur në fushën e dijes. Kemi histori voluminoze luftërash dhe histori kulture tepër modeste.

Shqiptarët kanë virtyte arketipale, që janë vlerësuar prej shumë autorëve të huaj, por një kombi modern nuk i mjaftojnë për t’u dëshmuar në mesin e kombeve tjerë.

Romantikët i afirmuan vlerat e qytetërimit shqiptar, si pjesë e qytetërimit europian, që ta ngjallnin vetërespektin dhe ta zgjonin vetëdijen kombëtare. Ata e krijuan projektin për lartësimin kulturor të shqiptarëve, sepse vetëm kështu mund të bëheshin të fuqishëm, të vlefshëm dhe të dëshmoheshin në arenën e egër të kombeve, veçanërisht në periudhën kur pakkush i kujtonte. Ishte koha kur për shqiptarët flitej si për fise “pa unitet kombëtar”, “pa gjurmë në kulturë e histori”, “pa letërsi e alfabet”, “pa ndjenjë për organizim shtetëror”, “pa ideologji kombëtare” – pra që duan diçka, por nuk dinë se çfarë duan.

Paragjykimet për shqiptarët, shumëfishuar në progresion gjeometrik, u kundërshtuan me mençuri nga rilindësit tanë. Shqiptarët janë me fat që e patën Rilindjen Kombëtare, një lëvizje shpëtimtare dhe vizionare.

Epokat pasardhëse kërkuan ideale të reja dhe botës shqiptare nuk i munguan. Nëse Rilindja Kombëtare e krijoi ëndrrën për shtetin shqiptar, mendimtarët pasardhës, që krijuan ideologji të ndryshme kombëtare, e synonin modernizimin dhe europianizimin e shoqërisë shqiptare.
Pastaj ra murtaja. Komunizmi i largoi shqiptarët nga idealet paraardhëse.

Sot themi se ideali ynë është integrimi europian. Ky ideal kaherë ka qenë i pranishëm tek elitat shqiptare. Megjithatë, nuk mund të europianizohemi me deklarata boshe, me përtaci, me britma, me improvizime, duke i rënë rrugës më të shkurtër dhe më të lehtë.

Mund të europianizohemi duke punuar me metodë dhe disiplinë; duke përthithur vlerat e krijuara në sisteme të ndryshme kulturore; duke pasur strategji, pra duke e ditur se çfarë duam dhe ku duam të arrijmë. Themi se duam t’i bashkohemi Europës, por nuk e dimë se si mund të bëhet kjo, se cilën rrugë duhet ta ndjekim.

Për t’iu bashkuar Europës duhet t’i njohim idealet e saj dhe të punojmë që t’i realizojmë për hir të vetvetes.

Paskal Fonteni, bashkëpunëtor i “babait të Europës”, Zhan Monesë, në doracakun “Europa në 12 leksione” (2010), shkruan se misioni i BE-së është afirmimi i vlerave humanitare dhe progresive, si vlera universale; respektimi i trashëgimisë së popujve; përzierja e harmonishme e traditës dhe progresit; respektimi i shumëllojshmërisë kulturore, gjuhësore, fetare; ruajtja e identitetit dhe shumëllojshmërisë europiane në një botë të përbotësuar; përhapja e vlerave të përbashkëta të europianëve; mbrojtja e të drejtave të njeriut; promovimi i solidaritetit social dhe ekonomik; shpërndarja e drejtë e fryteve të zhvillimit ekonomik; e drejta për të pasur ambient të mbrojtur; ruajtja dhe ndërtimi i paqes së arritur midis shteteve anëtare; bashkimi i vendeve të Europës në bashkëpunim praktik; garancia se qytetarët e Europës mund të jetojnë në siguri.
Që t’i bashkohemi BE-së, për t’i jetësuar idealet e lartpërmendura, duhet të çlirohemi nga logjika provinciale. Të europianizohemi së brendshmi. Ta ndryshojmë modelin jetësor, politik, kulturor, arsimor, shoqëror. Kjo arrihet me dashuri për njëri – tjetrin, me dashuri për njeriun. Kjo arrihet me dije, ndërkaq deri te dija nuk arrihet duke kërkuar rrugë të shkurtra dhe të lehta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyresalajdin sa

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button