Nasim Haradinaj para Gjykatës Speciale në Hagë

Sot ka nisur seanca në Gjykatën Speciale ndaj Nasim Haradinajt, nënkryetar i OVL-së të UÇK-së, i cili u arrestua të premten, menjëherë pas arrestimit të kryetarit Hysni Gucati.

“Nuk e njoh këtë gjykatë dhe nuk do ta njoh”, ka thënë nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili ka shtuar Gjykatës Speciale “i ka skaduar mandati më 2 gusht”. Ai ishte pyetur nëse do që ta ngrejë ndonjë çështje.

“Jam padrejtësisht këtu, keni shkelur Kushtetutën e vendit tim”, ka thënë ai. Kësaj deklarate, gjyqtari i është përgjigjur se do të ketë kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur të gjitha çështje të ngritura.

Lidhur me paraburgimin e tij, gjyqtari ka thënë se pret që prokuroria të dorëzojë aktakuzën sa më shpejt të jetë e mundur. Avokati mbrojtës i Nasim Haradinaj ka kërkuar nga Gjykata Speciale që klienti i tij të lirohet menjëherë.

Sipas palës mbrojtëse të Haradinajt, nënkryetari i OVL-së nuk akuzohet për krime lufte dhe “veprat për të cilat ai dyshohet kjo gjykatë s’ka juridiksion”.

Në fjalën para gjykatës, pala mbrojtëse e Haradinajt ka kërkuar që nënkryetari i OVL-së të lirohet me kusht.

“Mbrojtja ka dorëzuar një mocion për hedhjen poshtë të këtyre akuzave dhe lirimit të menjëhershëm të klientit tim. Prokuroria tha se po bëhet proces i shpejtë e se aktakuza po përpunohet shpejt, por unë s’kam dëgjuar një datë prej tyre. Klienti im ka përfunduar në paraburgim. Kjo punë kërkon shumë javë dhe muaj. Duhet të rishikoni akuzat ndaj klientit tim. Ai s’është akuzuar për krime lufte. Ky është tribunal për krime lufte dhe klienti im s’është i akuzuar për krime lufte. Në parashtrim kam thënë se kjo gjykatë s’ka juridiksion për këto akuza ndaj klientit tim. Të hidhni poshtë akuzat, ta lironi menjëherë zotin Haradinaj nga paraburgimi me kushtet që do të përcaktoni ju dhe t’i jepen atij dhe avokatit të tij dokumentet mbështetëse të akuzës. Deri tani kemi marrë vetëm fletarrestimin dhe dokumentet e transferimit. Po kështu vetëm edhe protokollin për COVID-19”, ka thënë avokati mbrojtës, raporton Koha.net.

Që të dy me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë transferuar për në Hagë.Urdhërarresti për Gucatin e Haradinajn është lëshuar pasi kishin shpërndarë informata konfidenciale dhe jopublike, si edhe dokumente të lidhura me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në fletëarrestin ndaj tyre thuhet se dyshohen për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për veprën penale frikësim të dëshmitarëve, Gucati dhe Haradinaj mund të dënohen me burgim prej dy deri në dhjetë vjet. Për hakmarrje mund të dënohen me burg deri në tre vjet. Ndërsa për shkelje të fshehtësisë së procedurës deri në një vit. Avokatët thonë se nëse Prokuroria konsideron që edhe persona të tjerë kanë bërë të mundshëm zbulimin e informatave konfidenciale mund ta kenë fatin e njëjtë me atë të krerëve të OVL-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button