fbpx

Çun Lajçi për të rinjtë: Në luftë fitohej me pushkë kurse tash me dije, lexoni sa më shumë (VIDEO)

“Në qoftë se në luftë fitonim me plumba dhe pushkë, në paqe vetëm me dije dhe shkrim”, ky ishte mesazhi i shkrimtarit Çun Lajçi për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut, ai sot vizitoi Tetovën dhe Gostivarin kurse dje ishte në Shkup. Nuk munguan kritikat e tija për institucionet kompetente kulturore, shkruan Portalb.mk.

Çun Lajçi është autor i 11 librave, 200 roleve në teatër, pikërisht për këtë ai potencoi se asnjëherë për gjatë dy dekadave të fundit nuk ka hasur në ndihmë nga ndonjë institucion kompetent kulturor, i njëjti tha se ata vijnë bëjnë foto me atë e më pas as që e mendojnë.

“Qëllimi im kryesor dhe parësor është mbrojtja e identitet tim, të artit tim, të 55 viteve që nuk merret më kush me gjeneratën time, po bile as me gjeneratat e reja, sepse ka ardhë koha e njerëzve që e shikojnë vetëm veten dhe pushtetin e vet. Pushtetarët vijnë bëjnë foto por kur dalin më nuk merren me neve, vetëm me xhepin dhe lakmitë e veta. Nuk e mbrojnë vlerën prej ka vinë, nuk i kthehen rrojës prej ku i kanë marrë ato vota. Unë jo pse jam shkrimtar e merrem me shkrim, jo pse jam poet e merrem me shkrim, janë 11 tituj veprash, 200 role në teatër por kurrë çe dy dekada nuk është marrë një zyrtar i ministrive të Kulturës dhe mos të them ma lartë, të merren me gjeneratat e artit prej ku ata janë frymëzuar” tha Çun Lajçi, shkrimtar.

Ai madje tha se Ministria e Kulturës si dhe ajo e Arsimit dhe Shkencës përveç që nuk e ndihmojnë, keqpërdorin fondet për librat të cilat duhet të ju ndahen bibliotekave dhe librarive në vend, e kjo automatikisht sipas tij, ndikon në xhepin e qytetarit.

“Për librin, ministritë e Kulturës marrin buxhet, marrin buxhet, që të blejnë nga autorët nga 100 copë që ti furnizojnë bibliotekat shkollore dhe publike. Mungesa e kësaj që ata i marrin paratë dhe nuk i blejnë, ju jeni të detyruar të vini të blejnë libër 15 euro, po të bënin punën e tyre ata, ju nuk do të kishit nevojë të harxhoni para, pra ata e zhvatin buxhetin shtetërorë” shtoi Lajçi.

Në pyetjen e Portalb.mk se cili do të ishte mesazhi i tij për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut dhe pse këta të fundit duhet të lexojnë sa më shumë libra, ai vendosi në pah problemin e rrjeteve sociale si dhe ndikimin e teknologjisë te të rinjtë.

“Gjithçka ndërtohet mbi dijen, nuk them se duhet të ndërtohet mbi shkrimet e mija. Në luftë gjithçka fitohet me plumb e pushkë, kurse në paqe mbi dijen, mbi shkrimin. Për këtë arsye, duhet të lexojnë gjeneratat e reja, është gjynah dhe e frikshme kur i shoh sot thonë se nuk lexojnë, se nuk ju duhet libri apo se lexojnë në internet, është e rrejshme, edhe unë kam telefon dhe mund të hyj në internet, por nuk mund të lexoj libër aty sepse nuk lexohen. Edhe shkrimtarët më të mëdhenj e kërkojnë librin. Gjeneratat e reja janë mashtruar shumë mbas rrjeteve sociale dhe mendojnë se aty është gjithçka, ma merr mendja se bëj mirë në një aspekt, që vijë këtu dhe në një mënyrë ua imponoj librin” tha Çun Lajçi, shkrimtar.

Donika Bakiu ishte një nga personat e parë që e priste Lajçin në vendin ku ai vendosi tezgën e tij, ajo thotë se është shumë e rëndësishme të përkrahen autorët tonë, jo vetëm për faktin që janë shqiptar por për gjithë veprimtarinë e tyre të pasur.

“Të rinjtë duhet të lexojnë, Çun Lajçi sot vinë në Tetovë dhe duhet atë ta presim, librat e tija janë shumë të rëndësishëm, poezi, ai ka shkruar poezi për shumë njerëz të rëndësishëm për vendin tonë dhe më gjerë. Ia ven të lexohet. Mbi të gjitha, prej kur e ka humbur vajzën e tij duhet të jemi afër atij dhe ti ndihmojmë. Më ka frymëzuar Lajçi gjithmonë, sidomos me ngjarjen e fundit, sot është ai, nesër mund të jetë gjithkush prej neve. Andaj, lexoni sa më shumë” tha Donika Bakiu.

Ndryshe, shkrimtari Çun Lajçi dje ishte në Shkup ku promovoi dhe bëri shitjen e librave të tij ndërsa sot në Tetovë dhe Gostivar kurse nesër para Komunës së Kërçovës në ora 11:00.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close