Kacarska është propozuar për gjykatës kushtetues, VMRO-DPMNE: Iu bë dhuratë pasi dënoi dy ish ministra të MPB-së

Gjykatësja Dobrilla Kacarska, njëzëri është propozuar për gjykatës kushtetues në seancën e sotme të Këshillit Gjyqësor. Propozimi do të dorëzohet në Kuvend, i cili duhet që të votojë për zgjedhjen e saj në këtë funksion. Ajo është propozuar nga Këshilli Gjyqësor në vend të gjykatësit Vlladimir Stojanovski, të cilit i ka skaduar mandati i tij, njofton Portalb.mk.

Kacarska është gjykatëse në Gjykatën Penale të Shkupit prej vitit 1986. Në mesin e lëndëve më të njohura që i ka gjykuar janë lëndët “Tanku” (Ku janë dënuar me burg ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankulloska), “Transportuesi” (Ku u dënua ish kryetari i Komunës së Manastirit, Vlladimir Taleski), “Ryshfeti” dhe “Sulmi i organizuar në Kuvend më 27 prill të vitit 2017-të”.

Pasi u publikua propozimi, ka reaguar partia opozitare VMRO-DPMNE.

“Kacarska e ka dënuar Gordana Jankulloskën për Mercedesin që tani e vozit Zaev, a e ka dënuar edhe Mitko Çavkovin, do me thënë dy ish ministra të Brendshëm nga qeveria paraprake. Tani mandatin në Kushtetuese duhet ta ketë shpërblim për realizimin e nevojave të mafies”, deklaroi zëdhënësi i partisë, Naum Stoillkovski.

Gjykata Kushtetuese është e përbërë prej nëntë gjykatësve. Kryetarin e Gjykatës e zgjedh vetë gjykata nga radhët e tyre në kohë zgjatje prej tre vjetëve, pa të drejtën për rizgjedhje. Gjykatësit e Kushtetueses zgjedhën nga radhët e juristëve me përvojë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button