fbpx

E MAJTA FSHATARE

Ndalet furgoni përballë dyqanit, rreth një vije, në të cilën uji shkon rrëmbyeshëm. Nja dy-tre metra afër dyqanit janë ulur tre veta, në moshë, nën hije të blirit: Cena pronar i pularisë, Diza, pensionist nga San Marinoja, dhe Xhela, tagrambledhës në pension. Sa e heq kësulën republikë Diza e thotë: Uh bre, sa nxeht u bë sot, hapet dera e furgonit që i ban fshatarët për në qytet e i kthen prapa, për pak para. E hap derën shoferi, i cili ngutet, se don të kthehet më shpejt. E presin udhëtarët tjerë të shkojnë në qytet. Kur, bëlluuum, dikush prej udhëtarëve që dalin nga furgoni bie në vijë. Dëgjohet zhurma:
Auuu çka u bë?!
A u vrave bre.?!
Si, a hiç nuk e pe vijën? Po ti çdo ditë kalon këtu pari!
Jo, jo, mirë qenka! thotë dikush.
Tre shokët nuk e shohin, sepse para tyre qëndron furgoni.
Ky që ka rënë, do të jetë Cima im, thotë Xhela. Vetëm ai mund të mbytet në përroskë.
O Xhelë, mos fol bre, se më duket që keq ka rënë njeriu! Pastaj, s’më besohet të bjerë ashtu, se Cima yt nuk është tagrambledhës!… i thotë me shpoti Cena. Diza e heq kësulën republikë , e mban në dorë e qesh ha-ha-ha.
Në atë moment shoferi del kah dera e tij për të hipur ta vazhdojë udhën. Dhe, niset.
A ju thashë? thotë Xhela. Dy veta e mbajnë për krahësh Cimën. Atij i kullon uji prej pantalloneve. Janë rënduar dhe i bien. Cima mundohet me dorën e djathtë t’i ngrejë të shkretat pantallone të lagura. Kalon një veturë kabriolet, e hapur. Dy veta qeshin nga vetura ku i shohin vijat e ujit që rrjedhin nga pantallonat e Cimës në rrugë.

Hej a të shpëtoi shurra, a? thonë duke u zgërdhirë Vetura shkon, po mbetet gazi i tyre në ajër. Cima shan si nëpër dhëmbë.
Hajde! njëri nga ata që e mban Cimën për krahun e djathtë i thotë atij që e mban për krahun e majtë, hajt ta kalojmë rrugën. Tre shokët që rrinin ulur mbi tre gurë, nën hije të blirit, janë ngritur në këmbë.
A ju thashë? i pyet dy shokët e vet Xhela. A ju thashë, se vetëm Cima im mund ta bëjë këtë trimëri dhe niset drejt të birit. Diza, një fodull me tesha a la Al Kapone, qesh nën mustaqe, kurse Cena një trashaluq musteqosh e vetulltrashë e mban barkun me dorë prej gazit. Po hiç s’i ka hije Cenës kur qesh në këtë mënyrë. Duket keq kur e sheh të qeshë ashtu një burrë me mustaqet vesh e më vesh. I ka mustaqet Cena ama nuk ia di rendin burrnisë se. Xhela e mban veten serioz, ndonëse ai është nismëtari kësaj skene. Pastaj e kalojnë rrugën dy vetat me Cimën për krahësh. Kur afrohen, Xhela i drejtohet të birit:
Ku ishe, bre bir?
Në mbledhje të partisë. Diza e Cena dëgjojnë me kërshëri.
Çfarë mbledhjeje patët sot?
Po ti baba e di se jam anëtar i kryesisë së Partisë E majta fshatare.
Njerëzit të cilët e mbajnë për krahu Cimën, e lëshojnë menjëherë, sa e dëgjojnë se Cima është anëtar i partisë E majta fshatare. Por Cima qëndron në këmbë, vertikalisht, si thonë. Cima tash mundohet t’i çojë pantallonet me të dy duart. Dy njerëzit që e mbanin për krahu, largohen.
Phu, bre, pse s’e lëshuam ta merrte vija këtë kungull! thonë dy njerëzit. Cima e prek kokën e tij tullace. As faleminderit, as kurrgjë nuk u thotë dy njerëzve që e nxorën nga përroska ku ra.
E di se je në një parti, or Cen bre bir, po s’ia paskam ditur emrin.
Partia E majta fshatare.
Or bir, i thotë Xhela, pse bre bir ke hyrë në atë parti?
Ato të tjerat nuk më pranuan, babi. Panatallonet ende i kullojnë dhe ai tash me dorën e majtë i mban mos t’i bien, me të djathtën i shoqëron fjalët me lëvizje dore. Kam shkuar te secila, shton Cima, u kam thënë: jam Cima i Xhelës, a po më merrni në parti? Më kanë thënë, jo se je djali Xhelës. Të kishte ardhur djali i Cenës, atë mund ta marrim se i plotëson kushtet. Cena është pronar i pularisë. Hatri i tij nuk prishet për një anëtar partie, kurse ty Cimë, nuk mund të të marrim. S’të marrim dot ty se s’lidhet dot partia jonë kurrsesi me një tagrambledhës. Çfarë hajri mund të ketë partia prej jush, se dihet që tagrambledhësit as gurin s’ta japin?
Po mos bre bir, lëre atë parti! i thotë i ati.
Pse ta lë?
Se kam droje mos po e merr vija.
Kë ta marrë vija?
Po partinë, bre bir… Të majtën fshatare
Cila vijë?
Po kjo ku re ti!…
Unë rashë, po dola.
Ti dole, se të mbajtën dy veta, mor bir. Partinë e majta fshatare s’ka kush e mban për krahësh! i thotë Xhela të birit.
Përsëri qeshin Ceni e Diza.
Xhela kthehet kah Ceni:
Cenooo, mund të qeshësh sa të duash se unë tash jam në pension. A të kujtohet kur isha në punë?… Vije më kërkoje… e më thoshe: pa ty s’mund të rroj-e…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close