fbpx

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pjesërisht ka përfillur kërkesat e bizneseve

Afaristët thonë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut në pakon e katërt të masave anti-krizë pjesërisht ka përfillur kërkesat e tyre, por ata druajnë se çështjet administrative dhe vendosja e shumë kritereve do të pamundësojë përthithjen e të gjitha mjeteve të parapara për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset e prekura nga kriza e pandemisë së koronavirusit, siç ndodhi në të kaluarën.

Drilon Iseni, drejtor i Odës ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore, për REL thotë se në parim masat e pakos së katërt anti-krizë janë më të fokusuara drejt sektorëve më të prekur që ka qenë një nga kërkesat e Odës që ndihmat të shkojnë te sektorët industrialë që kanë pësuar më së shumti dëme.

“Në parim mendojmë se këto masa reflektojnë nevojat që ka pasur biznesi gjatë kësaj periudhe, me atë që në të ardhmen duhet të shihen se cilat janë dëmet dhe sërish të testohet situata dhe konform dëmeve të shkakton koronavirusi të dizajnohet seti i radhës i masave. Kërkesat tona kanë qenë nga më të ndryshmet dhe diçka është pranuar pjesërisht. Për shembull, ne kemi kërkuar që për gjashtë muaj të subvencionohet paga minimale tek bizneset e goditura nga kriza e pandemisë ndërkohë, qeveria ka pranuar të subvencionojë pagën vetëm për tre muaj“.

“Ajo që mbetet të shihet në të ardhmen është se disa nga masat janë të kushtëzuara nga kriteret e caktuara apo ndryshimet statusore”, thotë drejtori i Odës ekonomike të Maqedonisë veripërëndimore, Drilon Iseni.

Ndërkaq Slavço Jordanov, pronar i një kompanie te produkteve ushqimore, ka përshëndetur masën që ka të bëjë me shpërndarjen e kartelave pagesore, pasi edhe gjatë pakos së tretë kur u lëshuan kartelat pagesore për blerjen e produkteve vendore për kategoritë më të rrezikuara, kanë vërejtur rritjen e konsumit të produkteve të kësaj kompanie.

“Përmes kartelave pagesore të cilat do tu ndahen kategorive të caktuara të qytetarëve të cilët janë prekur nga kriza e pandemisë, ne ndihmohemi në mënyrë indirekte sepse konsumohen produktet vendore, përkatësisht produktet që prodhojmë ne si kompani këtu“.

“Sa më shumë të rritet konsumi aq më shumë rritet dhe profiti. Shpërndarja e kartelave gjatë pakos së tretë na ndihmoi që të mos ulim prodhimtarinë, por njëkohësisht edhe të ruajmë vendet e punës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Slavço Jordanov.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut të dielën ka shpalosur pakon e katërt të masave anti-krizë që përfshin 470 milion euro për të ndihmuar qytetarët dhe kompanitë që janë goditur nga kriza e pandemisë së COVID-19.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ka bërë të ditur se ndihma totale bashkë me tri pakot e mëparshme të destinuara për të amortizuar goditjen nga kriza që shkaktuar pandemia e koronavirsuit tejkalon 1 miliard euro.

“Pakoja e re synon të sigurojë qëndrueshmërinë e veprimtarive të brendshme ekonomike dhe vendeve të punës, për rimëkëmbjen e disa veprimtarive, për të siguruar stabilitetin e transferimeve sociale” ka theksuar kryeministri I Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev duke shpalosur pakon e katërt të masave anti krizë.

Në këtë pako parashihen subvencione për pagesën e pagave për tre muajt e fundit të këtij viti, varësisht nivelit që kompanitë kanë pësuar dëme nga kriza e pandemisë.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close