Shaqiri do të vazhdojë me projektet për transferimin e administratorëve në sektorin privat dhe digjitalizimin e shërbimeve

Ministri i ri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, pas marrjes së letrës mandatuese nga kryeministri Zoran Zaev, sot në konferencë për shtyp u betua se, ashtu si Qeveria “fuqishëm dhe ndërgjegjshëm do të punojë mbi përmirësimin dhe avancimin e cilësisë së jetesës së gjithë qytetarëve”, njofton Portalb.mk.

Ministri sot konfirmoi se do të vazhdojë në zbatimin e projekteve të cilat kanë filluar në mandatin paraprak të kësaj qeverie, ndërkaq paralajmëroi dhe aktivitete të reja.

“Si ministër i Shoqërisë Informatike do të vazhdoj me procesin e digjitalizimit, reformimit dhe implementimit të reformave kyçe të administratës publike. Do të vazhdoj me implementimin e Strategjisë së Reformës së Administratës Publike 2018-2020 dhe Planit Aksional dhe fillimin e procesit të përgatitjes së strategjisë së re”, tha Shaqiri.

Shaqiri paralajmëroi reduktimin e numrit të administratorëve

Ministri sqaroi gjendjen e konstatuar, se shumë institucione kanë kompetenca të përbashkëta dhe numër të madh të punësuarve, ndërkaq për këtë ai tha se është e pashmangshme që të reduktohet numri i të njëjtëve, sipas modelit të propozuar nga ministri paraprak Damjan Mançevski, gjegjësisht me transferimin e punëtorëve nga sektori publik në atë privat.

“Si opsion të hapur për uljen e të punësuarve në sektorin publik janë paketat e hapura për kalim në sektorin privat. Transferimi i të punësuarve është një pjesë e vendosjes së riorganizimit të mirë profesionale, aktive, efikase të administratës dhe sektorit publik, duke e reduktuar fuqinë punëtore në mënyrë që të mos dëmtohen të punësuarit, ndërkaq në këtë mënyrë do të përfitojë sektori privat në pjesën ku ka mungesë të punësuarve”, tha Shaqiri.

Zvogëlimin e numrit të administratës ia ka kërkuar edhe vetë Zaev në letrën e mandatit.

“Të zvogëloni vëllimin e të punësuarve në sektorin publik me 20%, duke bashkuar funksionet dhe kompetencat e institucioneve, daljen në pension në moshën 64 vjeçare (me përjashtime për personelin dhe profesionet deficitare), paketat për transferim në sektorin privat ose pension të parakohshëm.”, ka shkruar Zaev.

Vazhdimi i procesit të digjitalizimit të shërbimeve

Ministri premtoi se në mënyrë aktive do të punojë në digjitalizimin e mëtutjeshëm të shërbimeve dhe disponueshmërisë nëpërmjet portalit kombëtar të shërbimeve elektronike, ku qytetarët mund të gjejnë informacione të cilat i ofrojnë institucionet prej të cilave një numër i caktuar mund të merren në mënyrë elektronike.

“Ne do të punojmë në rritjen e numrit të shërbimeve, me çka do të rritet numri i përdoruesve të portalit, i cili aktualisht shënon 25.000 përdorues. Shërbimet elektronike të disponueshme në portal u dedikohen qytetarëve, ndërkaq për marrjen e tyre u mundësohet edhe pagesa e kompensimeve dhe taksave administrative në mënyrë elektronike. Ka filluar dhe përditësimi i portalit me qëllim që të fillohet edhe përdorimi i e-shërbimeve nga ana e personave juridik, nëpërmjet personave të autorizuar”, tha Shaqiri.

Ai premtoi se do të punojë në rritjen e numrit të institucioneve të cilat janë të integruara në sistemin unik për regjistrimin në portal dhe do të sigurohet që përdoruesit e portalit të regjistrohen në një vend për të marrë numrin e konsiderueshëm të shërbimeve.

“Digjitalizimi i shërbimeve është një qëllim dhe projekt i porsafilluar nga përmirësimi i qeverisjes elektronike nga programi IPA2017-të, projekti do të zgjasë tre vite dhe ka për qëllim digjitalizimin e plotë të 135 shërbimeve dhe digjitalizimin e regjistrave të domosdoshëm për ato shërbime. Përfitimet do të jenë, përfitimi i kohës së marrjes së shërbimeve, mininimizmi i ndikimit të faktorit njerëzor në vendimmarrje dhe koha e nevojshme për marrjen e kërkesave”, shtoi ministri.

Ministri gjithashtu paralajmëroi

Sistem meritor të pagave – me fillim të vitit 2022, sipas ministrit Shaqiri, do të mundësohet që secili i punësuar në sektorin publik, në bazë të suksesit të arritur të fitojë shtesë prej 5% të pagës.

“Në vitin e parë të mandatit do të punoj me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale do të punoj në përgatitjen e Ligjit të Pagave në sektorin publik, i cili do të mundësojë pagë të caktuar për punë të caktuar, investim të caktuar pune në përgjegjësi për punën e tij. Vendosja e sistemit të ri do të variojë në etapa në periudhë prej së paku dy vitesh”, theksoi Shaqiri.

Profesionalizim të strukturave të larta udhëheqëse – “Modeli i ri i për të punësuarit në struktura të larta udhëheqëse bazohet në profesionalizëm, zgjedhje në përputhje me meritat që të sigurohen profesionalistët kompetentë, përgjegjësi politike”.

Modernizim dhe unifikimin të ueb-faqeve të ministrave dhe Qeverisë, për avancimin dhe transformimin digjital, transparencës dhe llogaridhënies.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button