Osmani do të diskutojë në Bruksel “dosjen evropiane” të MV, Zaev i bindur se Bullgaria nuk do të pengojë fillimin e negociatave

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani është nisur për vizitë dy ditore në Bruksel, ku në takime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, do të diskutojë për dosjen evropiane të Maqedonisë së Veriut. Nga Ministria e Jashtme informuan se, fokusi i Osmanit është që deri në fund të këtij viti brenda kryesimit gjerman me Këshillin e BE-së, të miratohet korniza e negociatave, e cila paraqet dokument kryesor në fillimin e negociatave dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, e cila shënon  fillimin e negociatave për secilin vend që aspiron anëtarësimin, transmeton Portalb.mk.

Para përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borel, eurokomesarit për zgjerim, Oliver Varhejl dhe zyrtarëve të lartë të PE-së, me të cilët pritet të realizoj takime, ministri Osmani do të prezantojë përparësitë e misionit të tij gjatë këtij mandati, me theks të veçantë në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Komisioni Evropian i ka dorëzuar Këshillit të BE-së draft – kornizën e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në korrik të këtij viti dhe e njëjta pritet që të diskutohet në takimin e përfaqësuesve të vendeve anëtare më 10 nëntor.

Nëse dokumenti miratohet nga shtetet anëtare dhe nuk paraqiten pengesa të reja, atëherë në fund të vitit mund të pritet edhe konferenca e parë ndërqeveritare, e cila nënkupton edhe fillimin formal të negociatave me hapjen e kapitullit 23.

Megjithatë, kjo gjë akoma nuk është e sigurt, pasi Bullgaria ka thënë se nuk do të jep mendim pozitiv për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri, Zoran Zaev, pret që çështjet kontestuese me Bullgarinë, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me identitetin e Goce Dellçevit të tejkalohen.

Në lidhje me këtë sot është zhvilluar edhe një bisedë telefonike mes kryeministrave, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov. Kryeministri bullgar gjatë kësaj bisede ka thënë se vendi i tij vazhdon të mbështesë ardhmërinë evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Dy kryeministrat kanë shprehur bindjen se dy palët mbesin të angazhuara në zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të mire dhe Bashkëpunim.

“Në bisedën telefonike është folur për organizimin e vizitës së kryeministrit Zaev në Bullgari, si dhe për inkurajimin e përbashkët të punës së komisioneve për çështjet e historisë për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët të pranueshme për të dyja palët. Në fokusin e bisedës Zaev – Borisov ka qenë Procesi i Berlinit dhe kryesimi i përbashkët i suksesshëm që është posaçërisht i rëndësishëm për përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të rajonit në BE, si dhe përgatitjet e samitit që do të mbahet në nëntor në Sofje”, thuhet në kumtesën e dërguar nga Qeveria.

Javën e kaluar, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes të Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, deklaroi se Bullgaria nuk do të kundërshtojë, por do të thotë se nuk është koha që të caktohet datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për fillim të negociatave për qasjen e Maqedonisë së Veriut në BE.

Ndërkohë, kryesuesi i komisionit të përbashkët për çështje të historisë dhe arsimore nga pala bullgare, Angell Dimitrov dhënë për TV Telma dy ditë më parë, tha se përderisa nuk zgjidhet çështja e Goce Dellçevit, Komisioni për çështje të historisë nuk do të kalojë në zgjidhje e ndonjë çështje tjetër. Ai u shpreh decid se, identiteti i Goce Dellçevit duhet të përcaktohet.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë formuar një komision të përbashkët për zgjidhjen e kontesteve sa i përket çështjes së historisë, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.

Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe ë kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Autoritetet bullgare i bëjnë thirrje Maqedonisë së Veriut të gjejë zgjidhje afatgjate me vullnet të sinqertë politik dhe guxim dhe të “ndalojë me trashëgiminë ideologjike nga Jugosllavia komuniste”. Sipas Bullgarisë kjo “trashëgimi” është shkak për “inxhinierë etnike” në Maqedoninë e Veriut.

Sa i përket gjuhës, Sofja e shfrytëzon gjuhën maqedonase nën thonjëza dhe konsideron se deri më dy gusht 1944 nuk ka ekzistuar as gjuha maqedonase, e as identiteti etnik maqedonas, dhe se ato janë krijuar me qëllim që të ndahen popujt në Republikën Socialiste të Maqedonisë dhe Bullgarisë. Sofja e vendos në pikëpyetje kodifikimin e gjuhës maqedonase dhe konsideron se ajo është dialekt rajonal i gjuhës bullgare.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button