fbpx

Transporti i autobusëve i rrethuar nga problemet, kriza e koronës erdhi si kapak mbi gjithçka (MULTIMEDIA)

Dhomë e zbrazët për pritje me një qytetar i cili do të blejë shpejtë biletën e autobusit në arkë dhe menjëherë do të drejtohet drejt platformave. Kjo është pamja e stacionit kryesor të autobusëve në Shkup. Turmat e zakonshme të udhëtarëve më nuk janë dhe për shkak të platformave bosh, është pothuajse e pamundur që qytetarët të humbasin autobusin për të udhëtuar në destinacionin e tyre. Zyrtarët në hyrje të platformave kanë aq pak punë sa kurrë më parë. Vetëm një udhëtar do të kalojë biletën për kontroll. Autobusët gjysmë të zbrazët nisen nga stacioni i autobusëve në Shkup për në destinacionet përfundimtare, shkruan Meta.mk.

“Ulja e numrit të udhëtarëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar nga 01.01-31.08.2019 dhe 01.01-31.08.2020 e shprehur si %je shënon rënie prej 70 % në transportin republikan dhe rënie prej 85 % në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve”, sqarojnë nga “Rule Turs” në lidhje me situatën e trishtuar në të cilën ndodhet aktualisht transporti me autobus në vend.

Të dhëna pothuajse identike vijnë nga Enti Shtetëror të Statistikave për gjashtë muajt e parë të këtij viti, kur u regjistrua numri historikisht më i ulët prej 1.605.000 udhëtarë të transportuar, nga të cilët vetëm 390.000 njerëz kanë udhëtuar me autobus në periudhën prill-qershor 2020. Për krahasim, në gjysmën e parë të vitit 2019, u transportuan 3.,247.000 udhëtarë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2018 ka pas 4.242.000 udhëtarë.

Reduktimi i madh i numrit të udhëtarëve që erdhi me paraqitjen e koronavirusit goditi rëndë kompanitë e autotransportit. Vendimi për të futur orar e gjata policore e bëri të vetën, e në veçanti masën e qeverisë për të kufizuar numrin e udhëtarëve me mbushje të automjeteve në maksimum 50 % të kapacitetit total të autobusëve dhe furgonëve. Më 11 gusht, qeveria lejoi lehtësim të kësaj mase, duke lejuar autobusët të udhëtonin në destinacionet e tyre me mbushje maksimale prej 75 % të vendeve.

Autobusë, stacion autobusi

“Është e vërtetë që kriza me kovid i la transportuesit me autobusë pa të ardhura, transporti i autobusëve është dega më e prekur e ekonomisë së bashku me turizmin dhe hotelierinë”, thonë nga kompania “Rule Turs” që operon me stacionin e autobusëve ndërurban në Shkup.

Ata kanë frikë nga një shpërthimi serishëm i epidemisë kovid-19 në vend, e me atë edhe masa më të ashpra nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e virusit. Çështja është se sa do të mund të qëndrojë ekonomia jonë edhe një “bllokim”, thonë ata. “Meta.mk” dërgoi pyetje në lidhje me këtë temë Asociacionit të shoqatave të transportuesve “Lindje” dhe kompanisë për autotransport “Galeb” nga Ohri, por ata nuk ishin të gatshëm të komentojnë për situatën e transportuesve meautobusë gjatë krizës së koronës .

Koronavirusi dhe rënia drastike e numrit të udhëtarëve janë më të fundit në sërën e problemeve me të cilat janë përballur operatorët e autobusëve gjatë viteve të fundit. Konkurrenca jolojale nga taksistët ilegalë, flota e vjetër, rritja e numrit të qytetarëve që përdorin makinat e tyre për udhëtim janë sfidat me të cilat ata përballen dhe si pikë kritike vitin e kaluar ishte aksidenti tragjik i autobusit afër Llaskarcës në të cilin jetën e humbën 16 udhëtarë.

Taksistët ilegalë po shtohen, autobusët po qarkullojnë bosh

Edhe gjatë krizës me kovid, taksistët ilegalë mbeten problemi më i madh me të cilin përballen transportuesit e autobusëve në baza ditore. Është thjeshtë e pamundur të hysh në stacionin e autobusëve në Shkup e të mos del ndonjë person nga ndonjë cep duke ofruar udhëtim me taksi nëpër qytet, por edhe në destinacione si Ohri, Tetova, Velesi… Edhe qytetarët edhe transportuesit me autobusë i dinë vendet në kryeqytet ku qëndrojnë taksistët ilegalë. Në stacionin e autobusit afër Kishës Ortodokse në qendër të Shkupit mund të hipni në furgon ose makinë që do t’ju çojë në Tetovë, dhe në Bit-pazar ka vetura që ofrojnë transport për në Kumanovë ose Veles.

Autobusë, stacion autobusi

“Aktualisht, rreth 60 % e udhëtarëve ekzistues voziten nga taksistët ilegalë të cilët paguajnë me para të gatshme pa një faturë fiskale, drejtojnë automjete të palicencuara, me shoferë të palicencuar, të cilët nuk janë paraqitur si të punësuar dhe vetëm bëjnë të ardhura që nuk regjistrohen askund drejtojnë edhe automjete më të vjetra. nga autobusët edhe atë teknikisht të parregullt”, e përshkruajnë shkurtimisht dhe saktë nga “Rule Tours “situatën aktuale me taksistët ilegalë në vend.

Përveç asaj që inspektorët komunal janë kompetent për dënimin e taksive ilegal nëpër qytete, për transportin ndërkomunal përgjegjës për gjobitje të transportuesve ilegal është Inspektorati Shtetëror i Transportit. Ata thonë se në përputhje me kapacitetet kanë ndërmarrë masa, por problemi nuk mund të zgjidhet vetëm me 12 inspektorë që e mbulojnë tërë vendin. Nga Inspektorati Shtetëror për “Meta.mk” thonë se komunat i japin licencat për kryerjen e taksi-transportit, dhe nëse inspektorët e komunës kyçen në gjobitje të taksive ilegal, atëherë problemi më lehtë do të zgjidhet.

Sipas Raportit vjetor për punën e këshillit inspektues për vitin 2019, nga gjithsej 105 urdhra për inspektim të lëshuara vitin e kaluar, vetëm një urdhër ishte lëshuar nga Inspektorati Shtetëror i Transportit (ISHT). Vitin e kaluar, Këshilli inspektues ka pranuar vetëm një ankesë, nga gjithsej 237 të paraqitura, në Inspektoratin Shtetëror të Transportit, në të cilën ishte paraqitur një ankesë në lidhje me punën e inspektorëve.

“Meta.mk” ka kryer analizë të Regjistrit të Inspektorëve në ueb-faqen e Këshillit Inspektues të RMV-së. Për dallim prej përgjigjeve të Inspektoratit Shtetëror të Transportit, në këtë regjistër kemi arritur që të gjejmë vetëm dy inspektorë për siguri në komunikacionin e brendshëm, por edhe 16 inspektorë shtetëror në komunikacionin rrugor.

Stacioni i Autobusëve në Shkup
Stacioni i Autobusëve në Shkup

Gostivari ka vetëm një inspektor i trafikut rrugor, por ai është kompetent për të kryer kontrolle në territorin e Dibrës. Inspektori i vetëm që kontrollon në Gjevgjeli, ka nën juridiksionin e tij territorin e Strumicës, Vallandovës dhe Demir Kapisë.

Të gjithë këta inspektorë kanë kompetencë për të kryer kontrolle të trafikut rrugor, duke përfshirë edhe taksistët ilegalë, automjetet e të cilëve duhet të konfiskohen dhe të gjobiten. Pyetja është nëse numri i inspektorëve është i mjaftueshëm për një vend në të cilin, sipas Entit Shtetëror të Statistikave, vitin e kaluar janë regjistruar 3.144 autobusë me të cilët është organizuar transporti publik nëpër qytete, por edhe transporti ndërurban, ndërkombëtar dhe në transportin e organizuar të udhëtarëve. Për më tepër, nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e taksistëve ilegalë që udhëtojnë midis qyteteve.

Llaskarca e ndjelli frikën e udhëtimit me autobus te qytetarët

Aksidenti i autobusit i vitit të kaluar afër Llaskarcës me numrin e tmerrshëm të udhëtarëve të vdekur dhe të plagosur e ngriti çështjen e sigurisë së flotës së automjeteve me të cilën transportohen udhëtarët. Numri prej 16 udhëtarëve të vdekur e tronditi publikun e Maqedonisë, ndërsa akuzat shtesë që e pasuan pastaj për manipulimet me inspektimet teknike të autobusëve dhe për mosfunksionimin teknik të autobusit të “Durmo Tours” ndikuan që te një pjesë e qytetarëve të shfaqet frika nga udhëtimi me autobus.

Stacioni i Autobusëve në Shkup
Stacioni i Autobusëve në Shkup

Se autobusi i “Durmo Tours” që doli nga autostrada vitin e kaluar pranë fshatit Laskarcë nuk është rast i vetëm tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave për numrin e udhëtarëve dhe shoferëve të vdekur dhe të plagosur nga 1995 deri në vitin e kaluar. Në fakt, “Meta.mk“ tashmë ka publikuar se në pesë vitet e fundit, numri i udhëtarëve të lënduar në aksidente me autobus në vend është rritur ndjeshëm. Nga viti 2014 deri në vitin e kaluar, numri i udhëtarëve dhe shoferëve të lënduar rëndë ishte nga 1534 persona, ndërsa çdo vit në këtë periudhë pesë-vjeçare ka pas nga 121 deri në 166 udhëtarë dhe shoferë të autobusëve lehtë të lënduar. Në të kundërt, në periudhën 1995 – 2000, numri i të lënduarve rëndë në aksidente me autobus ka lëvizur nga 214 persona në vit, ndërsa midis 13 dhe 53 udhëtarë dhe shoferët e autobusëve janë lënduar lehtë.

Statistikat tregojnë gjithashtu se mosha mesatare e autobusëve që qarkullojnë në transportin rrugor vitin e kaluar ka qenë 18.1 vjeç. Arsyeja që qarkullon një flotë automjetesh mbi 18 vjeç është importi i autobusëve dhe furgonëve të përdorur nga jashtë. Drejtoria e Doganës së RMV-së vetëm vitin e kaluar ka regjistroi import të 217 autobusëve të përdorur nga jashtë, që është 12 herë më shumë krahasuar me numrin e flotës së automjeteve të prodhuara rishtas që janë sjellë në vend në vitin 2019.

Autobusë, stacion autobusi

Nga Ministria e Ekonomisë për “Meta.mk” thonë se brenda kompetencave të tyre ata mund të përcaktojnë minimumin e kërkuar të normave të emetimit EURO duke ndryshuar aktet nënligjore, e cila aktualisht është EURO 4 që është kriter për importin e autobusët dhe që mund të ndikojë pozitivisht në moshën mesatare të flotës. Sidoqoftë, nga kjo ministri a u përgjigjën se për momentin nuk ka asnjë diskutim në lidhje me futjen e kritereve më të rrepta për importin e automjeteve në vend. Ministria e transportit dhe lidhjeve pohojnë se ata nuk janë kompetentë për këtë temë, duke theksuar se ata vetëm i shpërndajnë linjat e autobusëve për trafik të brendshëm ndërurban dhe ndërkombëtar.

Transportuesit me autobusë për “Meta.mk” thonë se çmimi jashtëzakonisht i lartë i autobusëve të sapo prodhuar është arsyeja kryesore pse ata vendosin të importojnë autobusë të përdorur nga jashtë. Përveç konkurrencës së padrejtë nga shoferët e paligjshëm të taksive, ata gjithashtu rendisin çmimin e biletave të autobusëve, gjë që e bën ekonomikisht jofitimprurëse importin e autobusëve të rinj.

“Zgjidhje e mundur është nëse shteti gjen mënyrë për të subvencionuar blerjen e autobusëve të rinj”, thonë nga “Rule Turs”.

Ministria e Ekonomisë përgjigjet shkurtimisht se deri më tani ata nuk kanë iniciuar ndonjë program për subvencionimin e automjeteve komerciale dhe kështu as subvencionim për blerje të autobusëve nga transportuesit.

Ekspertët pohojnë se pjesët rezervë dhe ekspertiza e serviserëve janë thelbësore

Profesori Milan Qosevski nga Fakulteti i i makinerisë thekson se mosha mesatare e automjeteve është vetëm një parametër që duhet të japë vlerësim të shëndoshë për gjendjen e flotës së automjeteve me të cilën bëhet transporti i autobusëve në vend. Ai thotë se po aq e rëndësishme është se si mirëmbahen automjetet, çfarë pjesë këmbimi instalohen, si është e organizuar dhe si kontrollohet funksionimi i automjeteve.

“Kur përmend mirëmbajtjen, dua të them nëse kryhet mirëmbajtje parandaluese, në cilat kushte (punëtori) dhe nëse njerëzit që organizojnë dhe kryejnë mirëmbajtje janë ekspertë, nëse mbahen regjistra të mirëmbajtjes, nëse dikush e kontrollon atë, etj.” , thekson profesori Milan Qosevski.

Sipas tij, ndikim të madh për atë se ka sa të sigurta janë mjetet e transportit kanë edhe përzgjedhja dhe mënyra e instalimit të pjesëve rezervë. Ato duhet të jenë të tipit të aprovuar dhe të instalohen në kushte dhe në përputhje me procedurat e përshkruara nga prodhuesit.

Këto parametra janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për automjetet me moshë mesatare 18 vjeç.

“Mosha e automjeteve dhe distanca e kaluar gjatë asaj periudhe zakonisht çojnë në degradim serioz të sistemeve të automjeteve, të cilat nëse nuk mirëmbahen siç duhet, mund të dëmtojnë seriozisht sigurinë e tyre. Duhet të theksohet se nëse automjetet mirëmbahen dhe kontrollohen siç duhet, përdorshmëria dhe siguria e tyre duhet të jenë e njëjtë me të njëjtin automjet kur ka qenë i ri”, shpjegon profesor Qosevski.

Ai shpjegon se shteti ka në dispozicion një instrument të plotë të masave me të cilat mund të drejtojë dhe kontrollojë importin e autobusëve të përdorur nga jashtë (Ligji për automjetet, Ligji për sigurinë e trafikut rrugor, Ligji për transportin rrugor dhe aktet nënligjore të tyre). E njëjta gjë vlen, thotë profesor Qosevski, për inspektimin teknik të autobusëve dhe përcaktimin e korrektësisë teknike të tyre. Masat e përshkruara në rregullore dhe rregullore janë përgjithësisht në përputhje me atë që të gjitha vendet në Evropë po i ndërmarrin për të zvogëluar rrezikun nga mosfunksionimi i caktuar teknik të përkeqësojë sigurinë e autobusëve.

“Duhet të theksohet se vetëm me zbatim të rreptë, profesional dhe të përgjegjshëm të rregullave të mësipërme nga të gjithë palët e interesuara është e mundur të përmirësohet siguria në rrugë,” tha Qosevski.

Tani për tani, Ministria e Brendshme duket se po kryen me zell detyrën e saj për të kontrolluar korrektësinë teknike të automjeteve që kryejnë transport publik të udhëtarëve. Në aksionin e fundit për kontroll më 31 gusht, brenda vetëm pesë orësh, në të gjithë vendin, ata ia dolën të zbulojnë 52 shkelje të ndryshme nga automjetet që kryenin transportin publik të udhëtarëve. Janë sanksionuar kundërvajtjet për sisteme të parregullta të frenimit, drejtimit, të ndriçimit dhe defekte tjera në automjet, për regjistrim të vonuar, se nuk është kryer inspektim teknik…

Me këtë sjellje të paligjshme të individëve të caktuar dhe kompanive të transportit rrugor, si rregull, pëson besimi i qytetarëve ndaj të gjithë transportuesit e autobusëve. Kompania “Rule Turs” thekson se është thelbësore që të ketë një veprim parandalues ​​të institucioneve dhe legjislacion të rreptë. Veç kësaj, ata besojnë se transporti rrugor ka nevojë për subvencione nga shteti ose komunat, duke ndjekur shembullin e vendeve perëndimore, në mënyrë që të tërheqin sa më shumë udhëtarë në transportin publik.

Nëse shteti lë vetëm transportuesit e autobusëve vetë të vazhdojnë të menaxhojnë organizimin e transportit, duket se nuk do të ketë ndonjë rezultat pozitiv për zgjidhje të problemeve të akumuluara. Transportuesit e autobusëve janë gjithashtu përgjegjës për shumë mangësi, si mbingarkim me udhëtarë të autobusëve ose mirëmbajtja e parregullt e linjave, por në fund të fundit përgjegjësia për kontrollimin e fenomeneve të tilla devijante duhet të drejtohet tek institucionet kompetente.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close