POST-OPERA

Kur dola nga shfaqja, nën impresionet e thuaja katërorëshit intensiv, u shkrova disa aktorëve që i kam miq.

Lindita Kadriu
Lindita Kadriu

Gjërat që dua t’i them jo vetëm për shfaqen e jashtëzakonshme dhe të kompletuar, me të gjitha tiparet, por edhe për energjinë dhe atmosferën që i dhatë Qytetit ‘tuj pi kafe’ si ekip i shkëlqyer, nuk mjaftohen me mesazh. Kam qejf dhe nevojë të shkruaj tekst, aty të mundohem t’i them të gjitha që Opera për tre grosh i meriton. Veprat jashtëserike që bëhen vetëm me lider dhe ekip (Qëndrimi dhe ju të gjithë) duhen mbështetur e lavdëruar publikisht. Kemi nevojë, tash më shumë se përpara, t’u japim hapësirë lajmeve të mira. Sihariqeve në kulturë. E sheh sa më shkruhet Burhan, gjysma e kolumnës për punën e madhe të Qëndrimit, regjisorit që s’ka shfaqje mesatare,veçmë doli në sms. Ty, Murtezanit dhe ekipit suksese me projektin e ri. Kafe do pijmë pas premierës.

…shumë shfaqje, mes tyre edhe të mira, i kam lënë përgjysmë: thjesht kam marrë sa më është dashur dhe kam dal nga salla. Opera për tre grosh, sipas tekstit të Bertold Brehtit në regji të Qëndrim Rijanit, e cila mblodhi në skenë gjithë ansamblin e Teatrit të Tetovës, më mbajti të mbërthyer për krejt orët e shfaqjes! Kur dola jashtë Qyteti dukej më dukej ndryshe, ajo ndjenjë që arti është Magji, t’i mpreh shqisat, t’i ndryshon këndvështrimet, të bën më empatikë, çkamos.

Qëndrimi për 8 vjet të punës profesionale ka bërë 17 shfaqje, prej të cilave një operë, me teatro profesioniste (duke mos numëruar projektet më të vogla) dhe trajektorja e tij është përpjetëz konstante, secila shfaqje më e mirë se paraprakja, e thonë edhe njohësit e artit skenik. E thotë edhe vetë regjisori në një bisedim në Portalb:
Ne jemi aq të mirë, sa qëllimi ynë i radhës dhe sa shfaqja jonë e radhës…rekomandime për (ri)lexim të intervistës. Notë personale: Derisa punonte projektin e parafundit me Teatrin tetovar Jashtë bie borë, jetoi me qera në banesën time, e kur hyra pas daljes së tij gjithandej ndjehej që kishte jetuar Artisti, atmosfera si atëherë kur aty jetonte pa qera një tjetër Artist i artit figurativ).

Opera për tre grosh është një vivisekcion i amullive të Kohës moderne (nuk ka kohë të keqe apo të mirë, koha është kategori abstrakte dhe e bëjnë njerëzit, pra vetëm njerëzve mund t’u mvishen epitete). Shfaqja ishte festë në vete edhe për shkakun se shënonte kthimin e teatrit pas karantinës.

…Adrian Aziri në rolin kryesor…cilën fjalë ta përdor për aktorin të cilin e kam ndjekur që nga fillet e tij, ende më kujtohet shfaqja me onomatope, titulli i harruar se kanë kaluar 20 vjet. Adriani ishte viti i parë në studime, projekti qe studentor, kurse të gjithë që e pamë lojën e tij e kishim të qartë: para syve tanë lindtteYlli i ardhshëm i Teatrit Shqiptar. Para premierës së fundit një mbrëmje e takova Adrianin në kafe, pas provës treorëshe që e kishte bërë vetë në skenë…sebep për të folur për proporcionin mes talentit dhe punës, kuptohet unë flisja për dhuntinë, ai për punën.

Petrit Neziri në rolin e femrës dëshmoi se nuk ka rol të vogël dhe të madh. Transforimi i tij në gjininë e kundërt, intonacioni, gjuha joverbale dhe trupore ishin bravurë që meritonte, ashtu edhe ndodhi, duartrokitje në skenë të hapur.

Skenografia e Petrit Bakallit, kostumet e Marija Pupuçevskës…muzika e intonuar edhe në skenë, bazuar tek ajo e Kurt Weillit, kompozitor gjerman i cili ka punuar bashkë me Brehtin në të njëjtën kohë për veprën, kurse Blerim Osmani dhe Granit Vela e kanë përshtatur me disa ndryshime: gjithçka si duhet të jetë, dhe më shumë se aq.

Teatri modern, përgjithësisht, nuk mjaftohet vetëm me dialog se shikuesi është i botës së teknologjive moderne, pra më shumë i vizuales se sa i verbales. Opera ishte në traditën më të mirë të teatrit bashkëkohor.

…ditën kur u mora vesh për vazhdimin e bashkëpunimit me Portalbin, derisa e lumtur pija cigare në ballkon, pashë Petritin që hynte në Sole për ta takuar Qëndrimin. Zbrita dhe unë. Ndejtëm gjatë, dhe folëm për çkamos: për skandalin e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës që asesi të përfundojë (ndërkohë u ndërruan dy ministra shqiptarë të Kulturës, pa lodra në bark), për botuesit shqiptarë apashana që keqpërdorin mjetet e Ministrisë, e cila nuk kontrollon si harxhohen paratë dhe vallë libri arrin te lexuesi, për regjisorin Igor Vuk Torbica, Princin e skenës dhe rebelin që përfundoi tragjikisht ngaqë dusha nije organ ali boli, folëm edhe për post-Operën kuptohet.

Teksti për Operën u shkrua me vonesë ngaqë priste të gjeja hapësirë ku të shprehem, temat tjera do vijojnë në vazhdim.

Për fund diçka tamam personale.

Pas takimit u ndjeva ngushtë!

Nga gëzimi për marrëveshjen me portalin, unë gojën nuk e mbylla, fola e fola si e kurdisur duke mos u lënë kohë Q dhe P për t’u shprehur.

Shfrytëzoj rastin t’u kërkoj falje për këtë joterbije.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button