Hoti: Veprimet e Dhomave të Specializuara, veprime të pavarura të drejtësisë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se veprimet e Dhomave të Specializuara duhen konsideruar si veprime “të pavarura të drejtësisë”.

Të premten, më 25 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se zyrtarët e Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX), dhanë mbështetje operative dhe logjistike për bastisjen e zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në zyrat e OVL të UÇK-së u arrestua dhe më pas u transferua për në Hagë, kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati, ndërkaq nënkryetari i organizatës së veteranëve, Nasim Haradinaj, u shoqërua nga pjesëtarët e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, njofton REL.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Hoti thotë se Qeveria e Kosovës beson se drejtësia është mbi të gjitha, dhe sipas tij, duhet respektuar plotësisht.

“Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të patjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Dhomat e Specializuara njoftuan të premten se Gucati është arrestuar për veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

OVL e UÇK-së, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga. Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Organizatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente. Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.

Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Më 24 shtator, Dhomat e Specializuara, që në Kosovë njihen edhe si Gjykata Speciale, arrestuan dhe e transferuan në Hagë Salih Mustafën, njërin prej themeluesve të UÇK-së në zonën e Llapit.

Mustafa, i cili paraqitjen e parë para gjykatës do ta bëjë më 28 shtator, akuzohet për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”.

Në aktakuzën ndaj Mustafës, thuhet se “afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Gjykata Speciale e Kosovës përbëhet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë. Ky institucion u formua me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button