Kryetari i palës bullgare të Komisionit për çështje të historisë: Duhet të përcaktohet identiteti i Goce Dellçevit

Kryetari i komisionit të përbashkët për çështje të historisë dhe arsimore nga pala bullgare, Angell Dimitrov vlerëson se memorandumi i Bullgarisë aspak nuk e mohon identitetin maqedonas. Në një intervistë të dhënë për TV Telma, ai tha se përderisa nuk zgjidhet çështja e Goce Dellçevit, Komisioni për çështje të historisë nuk do të kalojë në zgjidhje e ndonjë çështje tjetër. Ai u shpreh decid se, identiteti i Goce Dellçevit duhet të përcaktohet, njofton Portalb.mk.

“Që nga fillimi në Maqedoninë e Veriut u krijua një paraqitje e gabuar se ne e kontestojmë se i kujt ka qenë Goce Dellçevë. Vet fakti se flasim për të, do të thotë se ne nuk kërkojmë ndonjë posedim, vetëm gjetjen e një sqarimi konkret çfarë është ai si personalitet, cilat janë idetë e tij dhe cila është vepra e tij. Kështu që, e gjithë kjo është e mundur që të ndodhë”, deklaroi Dimitrov.

I pyetur se çfarë lëshime është e gatshme të bëjë pala bullgare, ai tha se në shkencë nuk bëhen kompromise.

“Kompromise bëhen në bisedimet politike, në negociata politike. Ne nuk zhvillojmë negociata, ne diskutojmë. Ajo që është kompromis thënë kushtimisht, sepse ajo nuk është kompromis është vetëm respekt ndaj tjerëve, të gjejmë një formulim të tillë i cili do të mundësoj të thuhet e vërteta historike në një mënyrë që do t’ua mundësoj të dy palëve të ndjehen mirë”, deklaroi ai.

Sa i përket deklaratave të bëra në Sofje se kombi maqedonas është formuar në mënyrë artificiale dhe se gjuha është dialekt i bullgarishtes, ai u përgjigj:

“Artificialisht është definim pak emotiv. E vërteta është se u krijuan kushte specifike në kushte të një shteti totalitare në të cilat u modelua një vetëdije e re. Ajo është një temë tjetër. Është një temë shumë e komplikuar, mes tjerash. Dhe ajo është një temë që është e qartë historikisht nga pikëpamja e zhvillimit të botës në mesin e shekullit të kaluar, në rënien e sistemit totalitar. Është një temë që mund të diskutohet lirshëm, qetë dhe pa emocione. Sa i përket gjuhës, askush nuk ka thënë se është dialekt i bullgarishtes. Formulimi shkencor është normë e shkruar rajonale. E ndryshme nga gjuha letrare bullgare, por baza është e njëjtë”, theksoi Dimitrov.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë formuar një komision të përbashkët për zgjidhjen e kontesteve sa i përket çështjes së historisë, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.

Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe ë kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Autoritetet bullgare i bëjnë thirrje Maqedonisë së Veriut të gjejë zgjidhje afatgjate me vullnet të sinqertë politik dhe guxim dhe të “ndalojë me trashëgiminë ideologjike nga Jugosllavia komuniste”. Sipas Bullgarisë kjo “trashëgimi” është shkak për “inxhinierë etnike” në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button