Shtetasit e Maqedonisë së Veriut mund të kalojnë transit nëpër Kosovë pa test PCR

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbrëmshme mori vendim që të heq masën për test PCR negativ për shtetasit e huaj të cilët kalojnë transit nëpër Kosovë, megjithatë ata  janë të obliguar të nënshkruajnë deklaratë që brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së.

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës,të gjithë qytetarët e huaj, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, e që vijnë nga vendet me risk të lartë, ku bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit të njohur si RT-PCR në Sars COV-2 se janë negativ nga COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, njofton Portalb.mk.

Pas shqyrtimit, Qeveria e Republikës  së Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë, për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, sipas të cilit:

  • Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ, duke marrë parasysh që shtetasit e huaj vetëm do të kalojnë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajnë një deklaratë, ku në afat prej 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së.
  • Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe pikat tokësore nuk ka nevojë për vërtetim për test RT- PCR negativ, porse, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratë që brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së.
  • Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR negativ, me kusht që të respektohet protokolli për transport ndërkombëtar.
  • Për transport të organizuar me autobus ose linjë te rregullt ndërkombëtare transite, nuk nevojitet testi RT-PCR negativ, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh.
  • Shtetasit e huaj të cilët e kanë të rregulluar leje qëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS.
    Në rast të mos paraqitjes së dëshmisë së testit negativ, shtetasit e huaj obligohen të vetë-izolohen për 7 ditë.
  • Diplomatët e huaj që janë akredituar në RKS, si dhe familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ.
  • Shtetasit e huaj të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucione shëndetësore në RKS, mund të hyjnë nëse paraqesin vërtetim për test TR-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS, si dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali.
  • Bartësit e dokumenteve personale, të lëshuara nga RKS, mirëpo me adresë vendbanimi në një shtet tjetër, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negative, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS.

Vendet me risk ta lartë përcaktohen nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Ndërkohë, autoritet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut do të diskutojnë për heqjes e testit PCR negativ që kërkohet gjatë hyrjes në vend.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) dhe Oda e Afarizmit të Kosovës kanë kërkuar nga Qeveritë e dy vendeve të heqin testin e detyrueshëm PCR gjatë kalimit kufitar ndërmjet të dy vendeve. Ata vlerësojnë se kjo do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe do të lehtësohet shkëmbimi tregtar, duke ndikuar në zhvillimin e ekonomisë së dy vendeve.

Autoritetet e të dyja vendeve, për shkak të pandemisë, kanë vendosur kufizime për lëvizjen e qytetarëve duke lejuar qarkullimin vetëm me test negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button