Seanca e parë ndaj Salih Mustafës u caktua për 28 shtator

Salih Mustafa do të paraqitet para gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë më 28 shtator, njoftojnë këto Dhoma. Salih Mustafa, njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestua më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në të njëjtën ditë. Aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor, 2020.

“Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara më 24 shtator, transmeton REL. 

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

“Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”, thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, pretendohet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndër tjerash në aktakuzë, po ashtu, theksohet se “Salih Mustafa, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së”, mori në pyetje dhe rrahu një person identiteti i cilit është fshehur apo redaktuar, “dhe urdhëroi të tjerët që ta rrihnin”. Siç shtohet në aktakuzë, atë e shqelmuan, e goditën me grushte dhe e rrahën me shkopinj. Sipas aktakuzës, atij i është thënë se ishte spiun dhe se do ta vrisnin.

Arrestimi i Salih Mustafës shënon edhe arrestimin e parë në Kosovë të bërë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Arrestimi dhe transferimi i Hysni Gucatit në Hagë

Të premten, zyrtarë të Gjykatës Speciale arrestuan kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati si dhe shoqëruan nënkryetarin e kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Gucati akuzohet nga Dhomat e Specializuara për pengim të drejtësisë.

“Ka dyshim të bazuar se zoti Gucati ka mbajtur tri konferenca për media më 7, 16 dhe 22 shtator, 2020, ku ai ka shpërndarë ose ka bërë të qasshme për mediat informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe nuk ka intervenuar kur Nasim Haradinaj (nënkryetari i OVL të UÇK-së) ka përmendur emrin e një dëshmitari dhe ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale”, thuhet në fletarrestin e lëshuar për Gucatin.

Arrestimi i krerëve të OVL të UÇK-së, ndodhi pasi kjo organizatë, tri herë radhazi mbajti konferenca në për media ku shpërndanë materiale që pretendohet se janë dokumente konfidenciale të Gjykatës Speciale.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Gjykata Speciale e Kosovës përbëhet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë. Ky institucion u formua me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button