fbpx

Kombet pa të shkuar janë kombe pa të ardhme

Këto ditë rilexova librin e Abdullah Karjagdiut “Me Konicën në Evropë”. Fjala është për një vepër që sjell të dhëna shumë interesante për të shkuarën tonë, të cilën e njohin më mirë të tjerët se sa ne. Ky është shkaku i përsëritjes së tragjedive historike që na kanë tkurrur dhe na kanë bërë apatridë në tokat tona.

Nga shumësia e të dhënave të librit po ndalemi pak në shkrimin”Çështja shqiptare” të diplomatit austro-hungarez, të botuar në revistën “Le Memorial Diplomatique” të Parisit, që ishte huazuar nga revista “Magyar Harlap”.  Diplomati në fjalë shkruan: Banorët më të lashtë të Gadishullit Ballkanik janë shqiptarët. Ata banojnë atje para grekëve, ndërsa përmes personalitetit të Lekës së Madh, ata kanë qenë edhe zotër të Greqisë…

Në pjesën e parë të vështrimit të tij, ai thekson se as pushtuesit e egër romakë e bizantinë, as carët bullgarë  e serbë, as Perandoria otomane  nuk arritën të mposhtin plotësisht shqiptarët. Në pjesën e dytë, ndërkaq, ai shkruan me shqetësim për pozitën e vështirë në të cilën gjendeshin shqiptarët në kohën e shkrimit të artikullit. Këtë pjesë po e sjell në tërësi, sepse, për mjerim tonin, ka të bëjë edhe me realitetin e hidhur shqiptar të kohës sonë: “Tani ne mund të shohim se si po e zhdukin nga Ballkani këtë racë heroike. Ja edhe me çfarë mënyre përpiqen ta eliminojnë racën shqiptare: Etnografët serbë, bullgarë dhe grekë i kanë fshirë shqiptarët nga harta gjeografike. Z. Ofejkov-Sopov ua rrëmben shqiptarëve  trevat e Tetovës, Dibrës, Strugës e Olveidës; dijetarët e silogut grekë ua grabisin shqiptarëve Epirin e trojet deri në Shkumbin. Ata që mbetën të pagrabitur nga kjo racë, fjala është për një milion e gjysmë shqiptarë, nga një gazetar serb u shpallën: ‘serbë të shqiptarizuar’. Edhe malazezët kërkojnë treva shqiptare. Ai që i njeh malazezët më parë mund t’i konsiderojë si ‘shqiptarë të sllavizuar’ se sa sllavë. Në të vërtetë Primorje dhe Zeta dikur kanë qenë territore shqiptare, ndërsa Dalmacia e Jugut dikur quhej Shqipëria Venedikase”.

Kubarive në fjalë u kundërvihej Enciklopedia e gjallë – Faik Konica, njëri prej dalëzotësve më vigjilentë  të Shqipërisë së katandisur gjithanshëm. Ai ishte ndër të rrallët qëi njihte burimet e luftërave speciale dhe përpiqej të demaskojë nëpërkat fqinje nëpërmjet shkrimeve e polemikave të ashpra të bëra në mediet e mëdha evropiane. E tillë qe polemika në revistën teologjike franceze “L’Orient Oethodoxe” (1901) me ministrin shovenist serb Traushanoviq, sipas të cilit: Shqiptarët e egër nuk ekzistonin. Ata i trilloi Austria për t’u rënë në qafë serbëve, bullgarëve dhe malazezëve. Shqiptarët nuk kanë histori dhe nuk ka asnjë rast të kryengritjes shqiptare kundër turqve…

Këtyre profkave Konica iu përgjigjej flakë për flakë, duke ia rikujtuar gënjeshtarit serb se Shqiptarët kanë qenë dhe janë zot në trojet e tyre, se ata kanë pasur një lloj autonomie deri në vitin 1830, pas të cilit shpërthyen një sërë kryengritjesh antiturke…

Konica i referohet këtu kryengritjes monumentale të Tanzimatit, të njohur për shtrirjen e saj më të gjerë gjeografike (nga Struga deri në Vrajë) të bërë ndonjëherë në siujdhesën ballkanike kundër Perandorisë osmane.  Është kjo kryengritja e famshme e Dervish Carës së anëve tona, të vërtetën e së cilës historiografia shqiptare e ka mësuar nga vepra e historianit vlleh Aleksandër Matkovski!?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close