Shtetet e Vishegradit kundërshtojnë propozimin e BE mbi migracionin

Plani për të rregulluar pranimin e refugjatëve dhe migrantëve përmes një sistemi kuotash të detyrueshme është i papranueshëm, thanë krerët e qeverive të Polonisë dhe të Hungarisë dhe të Republikës Çeke, Mateusz Morawiecki, Viktor Orban dhe Andrej Babis, pas një takimi me Presidenten e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen në Bruksel. Edhe Austria është kundër kuotave.

“Ne duhet ta ndalojmë migrimin, kuotat dhe kthimet,” tha Babis në një konferencë shtypi. “Këto rregullore nuk janë të pranueshme për ne.” Strategjia e BE-së duhet të jetë që njerëzit të qëndrojnë në atdheun e tyre, shkruan DW.

Qendra për refugjatët jashtë Bashkimit Evropian

Edhe Orban tha se “shpërndarja e refugjatëve dhe kuotat mbeten të tilla, pavarësisht se si i quan”. Sipas tij një marrëveshje e 27 vendeve të BE-së është e mundur vetëm në bazë të propozimit hungarez. Sipas këtij propozimi, askush nuk duhet të lejohet të hyjë në territorin e BE-së për sa kohë që për këtë person nuk ka përfunduar procedura e azilit.

Në vend të strehimit të refugjatëve apo idesë së kuotave për debimin e refugjatëve, Orban dhe Babis kërkuan që BE ta parandalonte hyrjen e migrantëve në territorin e BE-së përmes ngritjes së “qendrave” jashtë Bashkimit Evropian dhe në kampe brenda BE-së, tha Babis në Bruksel. BE-ja duhet të negociojë me vendet afrikane si Libia ose Siria në mënyrë që njerëzit të qëndrojnë atje.

Kontroll rigoroz i kufijve

Kurse Mateusz Morawiecki tha se grupi i Vishegradit do t’i përmbahet kërkesës për “një politikë më rigoroze dhe efektive në kontrollin e kufijve të BE-së”. “Ne duam më mirë t’i parandalojmë problemet në burim sesa të merremi më pas me propozime të mëdha dhe kontroversale si në vitin 2016, 17, 18 mbi politikën ndaj migrantëve,” tha ai.

Kufiri Hungari – Serbi

BE-ja synon një ruajtje më të fortë të kufijve të jashtëm të BE-së dhe një mbështetje më të madhe për vendet e origjinës dhe vendet ku kalojnë tranzit migrantët për të parandaluar njerëzit që të vijnë në Evropë. Brukeseli propozon po ashtu t’u japë vendeve të BE-së që pranojnë migrantë grante nga 10.000 euro për person nga buxheti i BE-së.

“Ne duhet të ndryshojmë sistemin e granteve dhe sistemin e kuotave, që janë të papranueshme për ne. Prandaj duhet të vazhdojmë të negociojmë … strategjia duhet të jetë që njerëzit që vijnë nga këto vende, duhet t’i ndalim, t’i kthejmë në vendet e tyre dhe t’u japim ndihmë atje,” – tha Babis.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button