Specialja publikoi aktakuzën ndaj Salih Mustafës

Salih Mustafa, i arrestuari i parë nga Specialja pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor dhe torturë kundër të paktën gjashtë personave, është bërë e ditur të enjten mbrëma, përmes një njoftimi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, transmeton Koha.net.

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se këto krime ishin kryer në një periudhë afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash.

“Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, shkruhet në njoftimin e Speciales.

Specialja po ashtu ka bërë të ditur se ai është transferuar në objektin e paraburgimit të Speciales, të enjten.

Aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor të 2020.

“Në përputhje me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë kohë”, është sqaruar nga Specialja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button