Vendet e Vishegradit kundërshtojnë sërish politikën e BE-së ndaj migrimit

Disa shtete në lindje të Evropës kanë kundërshtuar planin e ri për migrim të Komisionit Evropian, duke thënë se duhet të jetë më i ashpër, shkruan REL.

Ky Komision – trupi ekzekutiv i Bashkimit Evropian – ka propozuar më 24 shtator, kontrolle më të rrepta kufitare dhe ka prezantuar procedurat për dëbim të personave, të cilëve u refuzohet azili, sipas “Paktit të Ri për Migrim dhe Azil”.

Mes tjerash, ishte planifikuar edhe mbajtja e një samiti për të diskutuar strategjinë e re të migrimit, situatën në Bjellorusi dhe pandeminë me koronavirus, mirëpo një gjë e tillë është shtyrë për javën e ardhshme, sepse presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili udhëheq takime të tilla, është në karantinë, meqë ka qenë në “kontakt të ngushtë” me një zyrtar të sigurisë, që ka rezultuar pozitiv në koronavirus.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka thënë se ndonëse “toni” i propozimit përbën përmirësim, “qasja bazike” në të përballurit me migrimin ka ndryshuar fare pak.

“Ka ndryshime, mirëpo ato janë afër pikës kyçe”, u ka thënë Orban gazetarëve pas takimit të Bruksel me homologun e tij, çek, atë polak, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Kjo pikë kyçe do të arrihet kur të pranohet propozimi hungarez, i cili thotë se askush nuk mund të kalojë territorin e Bashkimit Evropian, derisa një prej vendeve anëtare të mbyllë procedurat e azilit”, ka shtuar ai.

Kryeministri çek, Andrej Babish, teksa ka përkrahur pozicionin e Orbanit, ka thënë se politika e re duhet të kthejë mbrapa migrantët që kanë hyrë në bllokun evropian dhe të fokusohet në përmirësimin e kushteve të këtyre personave në vendet e tyre respektive.

“Neve na duhet ta ndryshojmë sistemin e granteve dhe atë të kuotave, kjo është e papranueshme për ne. Për këtë arsye duhet të vazhdojmë negocimin… strategjia duhet të duket kështu – njerëzit që vijnë nga këto shtete, duhet të ndalen dhe të kthehen në vendet e tyre, si dhe t’iu ofrohet ndihmë”, ka deklaruar Babish.

“Unë kam problem të madh me këtë gjë”, ka thënë ai.

Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke, krijojnë të ashtuquajturin, Grup të Vishegradit, bashkë me Sllovakinë.

Këto katër shtete kanë kundërshtuar planin paraprak të BE-së për kuota, që parasheh shpërndarjen e migrantëve brenda bllokut evropian.

“Në shikim të parë duket se Komisioni Evropian ende nuk e ka kuptuar që për të ndalur migrimin ilegal, neve na duhet të ndalim migrantët e paligjshëm kur të arrijnë në tokën evropiane”, ka thënë Babish.

Ai po ashtu ka kundërshtuar propozimin që shtetet, të cilat nuk kanë gatishmëri për të pranuar migrantë, të sigurojnë riatdhesimin e tyre.

“Kjo është e pakuptimtë, sepse nëse ne nuk pranojmë migrantë, ne nuk mund t’i kthejmë ata mbrapsht”, ka thënë mes tjerash Babish.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button