Qarku që duhet këputur

Djem të rinj të mbushur me urrejtje paraduan nëpër rrugët e Shkupit javën e kaluar duke brohoritur “Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”. Paturpësisht, në mes të ditës, në mes të kryeqytetit e shprehën urrejtjen e tyre. Djem të rinj, që ende nuk janë ballafaquar me hallet e jetës. Djem të rinj që mendojnë se e vërteta është gjithçka që ua kanë mësuar në shtëpi apo në rrethet e tyre të ngushta shoqërore. Djem të rinj që duhet të flasin për dashurinë, brohorisin urrejtje në mes të qytetit, në mes të ditës, në fund të dekadës së dytë të shekullit të njëzet e një.

Fëmijët lindin të gjithë njësoj, të gjithë të pafajshëm, të gjithë paqësorë. Dashurinë e mësojnë vet përmes instiktit për të jetuar. Urrejtjen ua mësojnë të rriturit. Fëmija nuk di të urrejë. Ai mësohet të urrejë. Edhe i riu nuk di të urrejë, atë e mësojnë të urrejë duke ia mbushur shpirtin me smirë, me zili, me ligësi, të cilat nuk rriten natyrshëm tek njeriu, por duhet të kultivohen me këmbëngulësi që të japin fryt.

Cila është nevoja që të rinjtë e këtij vendi të mësohen me ngulm të urrejnë? Cila është arsyeja që ata në shtëpitë e tyre, në rrethet ku jetojnë e ku qarkullojnë t’u shpërlahet truri me paragjykime dhe stigmatizime të panevojshme, që i bëjnë pikërisht ata të rinj të paaftë të kuptojnë vlerat e diversitetit dhe bukurinë e ndryshimit? Cila është arsyeja që shpirti i tyre mbushet me urrejtje në vend se me mirësi? Kush përfiton nga e gjithë kjo? Vetëm të këqinjtë që duan të kenë kontroll mbi gjithçka. Vetëm ata që duan të sundojnë përmes urrejtes. Sepse më lehtë sundohet mbi njerëz të cilt funksionojnë në bazë të emocioneve e jo në bazë të arsyes Sepse emocionet kultivohen dhe nuk merren në pyetje, ndërsa arsyeja gjithmonë parashtron pyetjen “pse” dhe kërkon logjikë të shëndoshë në gjithçka. E logjika e shëndoshë dhe ajo pamje me të rinj që brohorasin urrejtje për bashkëqytetarët e vetë nuk ka asgjë të përbashkët.

Kur dikush vepron në bazë të emocioneve dhe në këtë mënyre shkel të drejtën e dikujt tjetër, aq më tepër kur këtë e bën në bazë të një emocioni të posaçëm si që është urrejtja, ai kryen vepër penale, ai kryen krim nga urrejtja. Kryersit mund të mos logjikojnë në mënyrë të shëndoshë, por ata që merren me ndjekjen e krimit janë të detyruar të arsyetojnë. Ata janë të detyruar të zbatojnë ligjin. E megjithatë rijnë duarkryq.

Policia i ka thirrur urrejtësit të japin deklaratë në polici. Ashtu si edhe shumë herë të tjera policia e ka zbatuar këtë hap fillestar, i ka marë në pyetje personat përgjegjës. Ajo që është e papranueshme është heshtja e prokurorisë. Lajmet që qarkulluan ditëve kur ndodhi incidenti në fjalë prezentuan deklarata nga prokuroria themelore në Shkup e cila rrinte duakrkryq dhe priste raportet nga policia për të vepruar pastaj në ngritje të aktakuzës. Jam kurioze të dij nëse do të ketë më në fund një aktakuzë për krim të kryer nga urrejta. Jam tejmase skeptike se do të ketë sepse asnjëherë nuk ka pasur gjer tani, edhe gjatë incidenteve të tjera të ngjashme. Gjithmonë prokuroria ka ndenjur duarkryq, ka pritur kallëzimin penal nga policia. E megjithatë, Ligji i procedurës penale qartazi përcakton se prokuroria vepron menjëherë sapo të ketë informatë se është kryer vepër penale, dhe këtë informatë ajo e mer përmes kallëzimit penal, përmes informatës së fituar në mënyrë direkte ose përmes inicimit të procedurës nga institucionet kompetente. Une nuk di se çfarë është informatë direkte nëse si e tillë nuk llogaritet videoja që qarkulloi nëpër mediume dhe rrjetet sociale lidhur me këtë incident, ku qartazi dëgjoheshin fjalët e urrejtjes. E megjithatë prokuroria vendosi të heshtë, dhe gjatë gjithë këtyre ditëve të vazhdojë punën sikur asgjë ska ndodhur. Ashtu si në të gjitha rastet tjera, edhe ky incident rrezikon të mbetet vetëm si një fletëparaqitje në polici, e cila nuk do të shkojë më tej e as që do të arrijë në gjykatë ndonjë herë. Ndërsa të rinjtë në fjalë do të bëhen më të pjekur dhe do të vazhdojnë të indoktrinojnë të tjerë në këtë urrejtje, dhe kështu deri në pafundësi, do të vazhdojë ky rreth i turpshëm vicioz.

Dikush duhet t’i thosë “ndalo” kësaj pune dhe ta këpusë atë rreth vicioz. Ai rreth do të këputet ditën kur do të ketë një aktgjykim për krime të tilla të urrejtjes që ndodhin përditë. Dikush duhet ta këpusë qarkun e urrejtjes. Dhe në këtë drejtim vetëm një thënie më kujtohet si ndihmesë:

E kanë pyetur Rabi’a al Basri, një sufiste që ka jetuar në shekullin VIII: “A e do Zotin?” Ajo është përgjigjur “Po”. Pastaj e kanë pyetur “A e urren djallin?”, ajo është përgjigjur “Jo. Dashuria ime për Zotin nuk më lë kohë për ta urryer djallin”.

Është e çuditshme sa shumë njerëz në këtë vend pretendojnë të jenë besimtarë të dvotshëm, qoftë myslymanë e qoftë të krishterë, e megjithatë urrejta na rrethon. Urrejtja është aty ku duhet të jetë solidariteti. Urrejtja është aty ku duhet të jetë dashuria. Urrejtja ka zëvendësuar mirësinë dhe ka mjegulluar çdo veprim logjik. Nëse ky qark nuk këputet, një ditë kjo urrejtje të gjithëve do të na shkatërrojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button