Qytetarët “të uritur” për kredi konsumatorësh, “të ngopur” nga kreditë për makina

Kreditë e amvisërive në gusht të këtij viti shënojnë rritje mujore prej 0.3 që është rezultat i kredive më të larta të aprovuara në denarë, ndërsa kreditë në valutë të huaj u ulën, tregojnë të dhënat e reja të Banka popullore, njofton Portalb.mk.

Në bazë vjetore, rritja është 9 % dhe është më e theksuar te kreditë e aprovuara në denarë.

“Duke përjashtuar të dhënat për kreditë e amvisërive të bankës në falimentim, rritja në nivel mujor dhe vjetor është 1.2 % përkatësisht 10 %,” ka informuar Banka popullore.

Në gusht, nga analiza sipas qëllimit të kredive të aprovuara për persona fizikë, kreditë për konsumatorë, si kategoria më e zakonshme, kanë shënuar rritje mujore dhe vjetore prej 0.4 % dhe 9.6 %.

Kreditë për banesa janë ulur me 0.3 % në bazë mujore, në kushte kur është shënuar rritje vjetore prej 13 %.

“Te kreditë e makinave, rënia në bazë mujore dhe vjetore është 0.9 % dhe përkatësisht 10.7 %. Kreditë e aprovuara me karta krediti regjistruan një rritje minimale mujore prej 0.1 %, në kushte kur është shënuar rënie vjetore 3.7 %, ndërsa bilancet negative të llogarisë bankare kanë shënuar rritje mujore prej 2.1 %, në kushte kur është shënuar rënie vjetore prej 10.9 %. Kreditë e miratuara në baza të tjera, në gusht, mbetën të pandryshuara në bazë mujore, ndërsa në bazë vjetore ato janë ulur për 5.4 %”, informojnë nga Banka popullore.

Përndryshe, në gusht, depozitat totale të amvisërive shënuan rënie mujore prej 2.1 %. Ndryshimi në rënie është kryesisht për shkak të uljes së depozitave afatgjate në denarë (pjesëmarrje në ndryshimin prej 68.2 %), me ç’rast janë shënuar rënie edhe të komponentëve tjerë, përveç depozitave afatshkurtra në valutë të huaj, të cilat kanë shënuar rritje.

“Analizuar në bazë vjetore, depozitat e familjeve janë rritur për 5.7 %, si rezultat i rritjes së parave të depozitave dhe depozitave afatshkurtra në valutë të huaj, ndërsa komponentët tjerë kanë shënuar rënie. Nëse përjashtohen të dhënat për depozitat e bankës në falimentim, ka një rritje minimale mujore prej 0,1 % dhe rritje vjetore prej 8 %”, theksojnë nga Banka popullore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button