Arrestimi i parë në Kosovë nga Prokuroria Speciale

Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, njoftoi të enjten se ka arrestuar Salih Mustafën. Mustafa, në kohën e fundit, ka qenë zyrtar i lartë në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Ky është arrestimi i parë që bën Prokuroria Speciale në Kosovë.

Në njoftim thuhet se arrestimi është bërë në Kosovë, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, pas konfirmimit të aktakuzës, njofton REL.

“Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, thuhet në njoftim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe kjo është aktakuza e parë që konfirmohet.

Në komunikatën e Zyrës së Prokurorit nuk është sqaruar nëse aktakuza ndaj Mustafës është ajo, e cila është paraqitur në shkurt, sikundër që nuk janë dhënë detaje as për përmbajtjen që ka aktakuza.

Salih Mustafa njihet si njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit. Në kohën kur Forcat e Sigurisë së Kosovës njiheshin si Trupa Mbrojtëse të Kosovës, Mustafa ka shërbyer atëbotë si shef i departamentit informativ.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, pas konfirmimit të aktakuzës, i dyshuari merr statusin e të akuzuarit dhe aktakuza i dorëzohet personalisht të akuzuarit. Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë bëhet brenda shtatë ditësh pas dorëzimit të aktakuzës. Aktakuza është në dispozicion të publikut vetëm kur ajo konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Pas seancës së parë, gjyqtari i procedurës paraprake konfirmon se çështja është e gatshme për gjykim, ndërsa kryetari i Dhomave të Specializuara formon një panel gjykues, përgjegjës për zhvillimin e procedurave gjyqësore. Ky panel kujdeset që gjyqi të jetë i drejtë dhe i shpejtë.

Dhomat e Specializuara edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar apo siç njihen në Kosovë edhe si Gjykata Speciale, u themeluan pesë vjet më parë nga Kuvendi i Kosovës për të hetuar krimet e pretenduara kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe vepra të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011. Deri më tani, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim me qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Nën përgjegjësinë e Gjykatës Speciale është hetimi i krimeve të pretenduara kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button