fbpx

Për 3 vjet studime, së pari ndjenjën e të qenurit i tillë e përjetova në vend të huaj

Shkruan: Fisnik Xhelili.

Edhe pse Tetova është një qytet në territorin e të cilit ka dy Universitete, çmimet për gjërat elementare në lokale dhe restorante të cilat ndodhen në afërsi të universiteteve apo lagjeve studentore, janë jashtëzakonisht të larta. Nga ana tjetër, pata fatin që për një semestër të studioj në Republikën e Sllovenisë, përveç që çmimet për studentët dallonin nga ata të zakonshmet, respektivisht ishin shumë më të përballueshme, mënyra se si trajtoheshin studentët nga vetë institucionet andej më bën të mendoj se ne si shtet jo që jemi larg vlerave evropiane, por as nuk jemi afruar fare.

Nuk mjaftonin zbritjet dhe subvencionet shtesë qu ju bëheshin studentëve në Slloveni, atje shteti ju ndante studentëve kuponët studentorë të ashtuquajtur “boni”, me anë të së cilave, çdo restorant apo kafene ishte e detyruar të ofroje çmim shumë të ulët studentëve që posedonin kuponët, e gjithë kjo për shkak se nevojat dhe kërkesat e studentëve dhe të rinjve, ishin prioritare dhe asgjë tjetër nuk ishte më e rëndësishme se kjo.

Ndonëse shtetet evropiane kanë zbritje dhe subvencione të ndryshme për studentët, Sllovenia është i vetmi shtet Evropian i cili ka këtë lloj sistemi të “kuponëve studentor”.  Sistem ky, nëpërmjet të cilit Qeveria Sllovene ju mundëson studentëve që të hanë një vakt ushqimor nëpër restorante dhe kafene  me çmim shumë të ulët. Madje kjo ishte edhe  e rregulluar me ligj të veçantë.

Vlen të theksohet se procedura për marrjen e kuponit studentor ishte jashtëzakonisht e lehtë, studenti fillimisht regjistrohej në faqen e internetit të sistemit ku edhe merr numrin e aktivizimit, pas kësaj Shërbimet Studentore vërtetojnë statusin e studentit dhe menjëherë në numrin celular bëhet aktivizimi i llogarisë.

Shumë e rëndësishme të thuhet se unë, si shtetas i Maqedonisë së Veriut kam shfrytëzuar çdo të mirë të cilën Qeveria e Republikës së Sllovenisë ju ofronte studentëve pa asnjë diskriminim, është paradoksale dhe i dhimbshëm fakti se si ndjenjën e të qenurit student u desh ta fitoj në një shtet të huaj dhe jo, në Maqedoninë e Veriut. Nuk qëndron arsyetimi se jemi shtet i varfër, por sepse jemi të vjedhur nga një grusht personash të cilët kanë kapur shtetin dhe studentët e të rinjtë i shohin vetëm si numra.

Ajo e cila më habiste më së shumti ishte pagesa kur e bëja në fund. Imagjino të hash një vakt ushqimor të freskët dhe të shëndetshëm në të cilin përfshihet: supë, sallatë, haje kryesore(ku ke shumë opsione) si dhe desert apo fruta dhe në fund të gjithë kësaj shuma maksimale që mund të paguash të jetë 4.31 euro, madje ka raste kur kjo shumë shkon edhe në zero euro ku nuk  duhet të  paguhet asgjë shtesë.   Nëse krahasojmë që sikur një  student në Maqedoninë e Veriut   do të hante po të njëjtin vakt në një lokal apo restorant, shuma mesatare të cilën do të duhej ta paguante do të arrinte rreth 400 denarë.  Kur i  krahasojmë këto dy shifra, dallimi është drastik, dhe të marrim parasysh se Sllovenia është shtet anëtar i Bashkimit Evropian, kurse ne? Pretendojmë të jemi afër vlerave evropiane por në praktikë jemi shumë larg.

Duke iu referuar eksperiencës time si student që isha në këmbim për një semestër në Universitetin e Lubjanës,  lirisht mund të konstatoj se për pesë muaj që qëndrova atje ky lloj subvencioni nga Qeveria Sllovene ishte një lehtësim shumë i madh financiar, por nga ana tjetër edhe shëndetësor sepse gati se çdo ushqim ishte i freskët madje edhe i shëndetshëm.

Kur i kthehemi realitetit tone dhe gjendjes së studentëve në Maqedoninë e Veriut më duket se jemi larg kësaj gjëje,  e them këtë sepse këtu tek ne studentët nuk kanë ndonjë lehtësim financiar sa i përket kësaj çështjeje, akoma më absurd është fakti që studentëve jo vetëm që nuk iu ofrohet  diçka e tillë ata madje paguajnë çmime shumë të larta për ushqim dhe kafe, krahasuar me gjendjen ekonomike të vendit tonë.  Një student paguan një kafe 60 denarë nëpër hapësirat universitare kurse në hapësirat parlamentare po e njëjta kushton me një çmim shumë herë më të ulët. A nuk është absurde?

A do të mund që edhe ne të arrijmë të sjellim këtë sistem për studentët në Maqedoninë e Veriut. A është e gatshme Qeveria e Maqedonisë së Veriut të hartojë dhe më e rëndësishmja të implementoj një projekt të tillë që me fondet publike të ua lehtësojë sadopak shpenzimet studentëve dhe ti ndihmojë ata në një mënyrë  shumë efikase. Me një sistem të tillë  jo vetëm që do të ndikonte pozitivisht në harxhimet e studentëve, gjithashtu do të luante edhe një rol të rëndësishëm ekonomik në sferën e gastronomisë, do të mbështeste zgjerimin e tregut dhe do të nxiste zhvillimin e tij në qytetet ku ka universitete. Pra përfitimet  do të ishin të shumë anshme.

Se a do ta kemi edhe ne një ditë një sistem të tillë, ngelet të shihet në vazhdim!

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close