Rrugëtimi letrar i Fatmir Sulejmanit

Shkruan: Ejup Ajdini

I veçantë në jetë, i veçantë në shkrime. Për mikun e shtron sofrën, kurse për armikun rezervë e ka barotin. Ai di mirë të notojë nëpër kohëra. Kur i jepet mundësia për poste të larta dhe fitimprurëse, mendohet mirë dhe nuk pranon lehtë çdo post. Nga ana tjetër, kur ballafaqohet me të keqen dhe e sheh rrezikun, sërish suksesshëm e noton lumin mes përmes dhe e vëzhgon “djallin” nga bregu tjetër i lumit,  duke i thënë: unë jam “Jeton Pollogu”…Ai nuk dorëzohet kur preken të vërtetat esenciale shoqërore.

Më 1993 ra në kundërshtim me tre profesor të shkencave, të cilët edhe i sfidoi, kur ishte fjala për nivelin shkencor e letrarë të librave të leximit. Pastaj, midis viteve 1985- 1900, në gazetën “ Tribuna Sh., ndër të parët e ngriti zërin kundër pseudovlerave dhe veçmas për tendencat shkombëtarizuese ndaj shqiptarëve që jetonin në Jugosllavinë e asaj kohe dhe me theks të veçantë të atyre në Maqedonisë së Veriut. Pastaj, më vitin 2005, demostrativisht u largua nga këshilli drejtues i Mbrëmjeve Poetike të Strugës, pasi kishte dalë një poezi antishqiptare e shkruar nga “ poeti” Tunizian Edi Biraui. Për këtë, Fatmir Sulejmani doli publikisht ku demantoi për dorëheqjen e tij dhe e demaskoi rrospillëkun politik të kohës rreth padrejtësive që bëheshin me dekada  ndaj kulturës sonë kombëtare në këto mbrëmje poetike. Për këtë, asokohe, me 25 gusht 2008, Luan Starova  në shkrimin e tij “Ditari i një të diele të gjatë vere”, shkruante: “ Revolti i Fatmir Sulejmanit, kësaj radhe, shpërtheu me forcë eruptive,  në të gjitha mediat shqiptare dhe maqedonase. Ai akuzoi rëndë, por edhe argumentoi. E “zbuloi “ poezinë e një poeti pjesëmarrës nga Kanadaja tek një përmbledhje kushtuar Strugës, ku galonin vargjet antishqiptare. E potencoi cinizmin e e organizatorëve… e denoncoi hipokrizinë e poetëve shqiptarë që pranojnë të jenë dekor i “ Bashkim –Vllaznimit”, duke pranuar të lexojnë bashkë me ata që ua shajnë racën” [1] Fatmir Sulejmani gjithmonë ka qenë i hapur për polemika gazetareske. Ai nuk të ngacmon, por, po e ngacmove, atëherë prite se nuk e le për hua!….Ai polemizoi edhe me ministrin e kulturës të asaj kohe z. Bllagoja Stefanofski, për shkak të dorëheqjes së Fatmirit nga këshilli drejtues i Mbrëmjeve Poetike të Strugës, ku ndër të tjera, Fatmiri,  në “Utrinski Vesnik “ i përgjigjet:  Na takov naçin nikogash ne qe se stasa do vistinata, koja mozhe da gllasa i vaka: vo Makedonija, poleka raste edna nova generacija intelektuallci allbanci, koi barat da prestare duhovnoto ponizhuvanje sprovedeno od llazhnite kozmopoliti od tipot na Ançevski  i Kletnikov… “[2]

Fatmir Suljmani i njeh mirë edhe parimet e mirëfillta fetare dhe është luftëtar i ashpër dogmatizmit fetar. Ai me një shkrim të datës 23 janar 2007, botuar në “fakti” me titull “Hiqni perdet”, si revansh ndaj shkrimit “ Pse ky bogdasnizëm?”, replikën me një hoxhë, i cili ishte prekur asokohe pse Instituti për trashëgimi kulturore i shqiptarëve në Maqedoni të emërohet Pjetër Bogdani. Për këtë, thjesht i thotë: Paradoks! Nëse edhe ata që publikisht pështyjnë mbi figurën e Pjetër Bogdanit vërtetë nuk dinë se çfarë lidhjesh mund të ketë ai me një institut kulture të shqiptarëve të Maqedonisë, atëherë s’kemi pse të shkojmë më tutje, pos t’i sugjerojmë imamit që t’i përkushtohet pak më shumë xhematit të vet, të lexojë më shumë për tolerancën fetare…[3]

Shikuar nga pikëpamja historike e zhvillimit të satirës shqipe, Fatmir Slejmani me satirën Hamami i Kasabasë në Tun batun, botuar më 1994 në Shkup, vjen si satira më e bukur dhe mjaftë e sertë e letërsisë sonë në këto anë. Këtë e dëshmoi që me përmbledhjen e parë, ku, qartë duket një diversitet krijues, por gjithmonë me veçantitë e tij krijuese. Dallon për nga forma, pasi në këtë libër, ka të mbërthyera tri zhanre letrare, një strukturë krijuese ndërtimore pak e njohur për kohën kur u botua. Aty ngërthehet zhanri poezisë, skicëstregim dhe i eseut.  Shikuar në veçantinë përmbajtjesore, skicat dhe tregimet e tij synojnë të ndriçojnë përmbajtjen e brendshme dhe atë që thirret historike në qytetit “Tun batun.“ Objektivi i tillë arrihet përmes sajimit të parabolave alegorike që, në vend të rrëfimit realist të ngjarjes, të ndërtimit të personazheve dhe përshkrimit të ambientit të kasabasë, sugjerojnë fuqishëm pikërisht atë që lihet pa thënë”, do të thoshte akademik Ali Aliu.

Përbërja strukturore e kësaj përmbledhje përfshin tetë poezi, dhjetë skica-tregime, dhe shtatë proza eseistike. Eseu i tij nuk është thjesht ese ditor, por një tregim eseistik që  ngjizet dhe mbështillet me petkun artistik për gjendjen reale të kohës. Këto tregime satirike të Fatmir Sulejmanit kërkojnë leximin e tekstit karshi kontekstit, të cilat ai i përqesh, i satirizon apo edhe i vajton për gjendjen e rënduar, pasi shekull pas shekulli, kasabaja me vështirësi çelën rrugë të reja dhe e ka vështirë t’i çaj malet e ngurosura pesëshekullore, pasi popullata e Kasabasë është e lidhur ngushtë me hamamin, i cili për pesë shekuj ua ka larë trurin dhe kësisoj mendojnë se krejt bota jeton në hamamin e Kasabasë. Edhe pse e bën pjesë të lojës satirike, fitohet përshtypja e një diskursit përqeshës, por me një temë aktuale politike, e cila e lë lexuesin që vetë të meditojë. Në këto tregime satira rri në prag të dhembjes e mashtrimit të madh historik. Shikuar sipas tri parimeve retorike, këto tregime  shfaqin të jashtëzakonshmen karshi të zakonshmes.

Pas gjetjes së temave të jashtëzakonshme për kohën dhe pas një strukturimit  zinxhiror, vjen faza e zbukurimit, pasi plotësohet fuqishëm nga radhitja, e cila e ngre tregimin në vlera të mirëfillta estetike. Në të njëjtën kohë, mbi këto vlera strukturore dhe përmbajtjesore, krijohet stili i veçantë i autorit, kështu që krijohet një dekor me një domethënie të veçantë, e cila zbukuron diskursin satirik të kësaj letërsie.

Rreth këtij diskursi satirik, autori përdor të gjitha mjetet e nevojshme stilistike, duke e mbushur ne ekzagjerime, që janë teknikat më të zakonshme satirike, duke e bëre ironinë militante, duke u pozicionuar haptazi kundër objektit që përbëhet nga marrëzitë e folura të personazheve. Në këtë rrafsh, janë bërë disa gjetje mjeshtërore fonostilistike dhe morfostilistike, të cilat forcojnë bindshëm funksionin përqeshjes së diskursit absurd të personazheve. Te tregimi “Takimi i Sokratustrës me Fishtën”, autori e fillon duke thënë: “ – Lumi ti! –i tha Sizifi i larë në djersë Moisiut, – Grigja yte ta ha fjalën. Unë duhet ta arrijë majën bashkë me këta. Dhe siç e sheh: e hëngra! – Jepi, jepi vëlla Sizifi! Mbase kësaj here ia dalësh! The Sizifi vazhdoi ta mbushë shoshën me ujë”.[4] Në këto tregime satirike, marrëzirat e folura janë të papërmirësueshme, ku stilizimi i diskursit narrativ është bërë kryesisht duke përdorur figurat e fjalëve, si: metafora, krahasimi, hiperbola, ironia, klisheja, etj.

Kjo satirë lidhet me kontekstin primitiv të çështjeve aktuale, duke i satirizuar marrëzitë dhe veset e ulëta të njerëzve të kohës kur jeton dhe vepron autori. Autori është i vetëdijshëm se njerëzve të vegjël nuk u duhen vërejtjet e njerëzve të mëdhenj, por autori e sheh të patjetërsueshme që të shpërthej rreth gjendjes amorfe në Tun-batun. Populli thotë:  më mirë dekun se sa gjallë, një krahasim që ngjet me tregimin Denjalli të këtij libri, ku si qëllim final, narratori,  identifikohet me autorin për nga qëndrimi ndaj objektit, ku krijon një satirë dhe bën një gjykim moral, duke përzgjedhur marrëzitë që dëmtojnë aktin moral të personalitetit: “ Më morën në pikë të natës!…Më në fund më vunë në tabut dhe më nisën. Edhe ata që m’i nxinë të paktat ditë të bardha, qanin dhe vraponin kush e kush më shpesh ta bart tabutin tim. Qante edhe vëllai im, denjolli”[5].

Sipas pjesës që përmendëm duket qartë se kjo satirë në vete përmban edhe komiken, si kategori e veçantë estetike, që në përmbajtje ka jetën aktive të individit dhe shoqërisë si dinamikë e patjetërsueshme njerëzore. Por kjo estetikë komikeje e autorit, për nga trajtimi shpirtëror emocional, duket se janë trajtuar si burime impresionuese, pasi vijimësia e vlerave krijuese komike vazhdon me dinamizmin real të dukurive si një cilësi e caktuar dhe e preferuar për shkrimtarin e që vijnë si rezultat i brumit jetësor komik. Kjo është një nga vlerat thelbësore që ndikoi për të realizuar vlerën më cilësore artistike të veprës në fjalë.

Mbi të gjitha rezultatet reale të veprës vijnë si potenciale të fantazisë dhe e  mjeteve ekspresive të poetit, i cili me mjeshtri fine diti  t’i vë në funksion  zhanret komike të artit. Ky art është lëvruar në sajë të dinamikës së jetës, njeriut dhe shoqërisë që jeton dhe vepron në Tun-Batun, që do të thotë, gjithçka është mbështetur në përmbajtjen individuale dhe shoqërore të komikes dhe satirikes e që korrespondon me vijimësinë e dukurive rrethanore, të cilat ekzistojnë në një mjedis të caktuar shoqëror të Kasabasë Tun-batun.

Për të arritur deri këtu, autorit i është dashur  të eci me shumë sakrifica duke shfrytëzuar përparësinë e tij inteligjente  dhe kësisoj duke i dalë në ndihmë gjeneratës së tij, i cili edhe revistën e tij për kulturë dhe art e emëroi “Brezi 9“ si rrugëtim drejtë forcave të reja shoqërore demokratike, që përpiqej për një progres ndryshe dhe për një zhvillim të mëtejshëm kulturor, politik dhe shoqëror ekonomik në përgjithësi. Kjo ishte preferenca individuale dhe e shoqërisë përparimtare e kohës.

Në këtë vijimësi krijuese të Fatmir Sulejmanit, Përparësi ka paraqitja kritike e thumbuese ndaj personazheve aktivë të jetës reale, politike dhe shtresave shoqërore të kohës së caktuar. Në këtë mënyrë, vepra merr një përmbajtje të ngjeshur shoqërore e që emocionalisht është therëse, sepse, shikuar realisht, përmes gjetjeve dhe teknikave të ndërtimit, krijon hapësira të larmishme krijuese rreth dukurive të kudondodhura komike e satirike. Komikja e Fatmir Sulejmanit satirizon njerëzit me nivele të ulëta shpirtërore e skizofrenike. Mendjemëdhenjtë, maskarenjtë, hilexhinjtë, belaxhinjtë, të pangopurit etj.

Kjo vepër mbetet gjithmonë aktuale, pasi tipa të tillë në jetën e shoqërore do të ketë gjithmonë, pa  edhe në kohët moderne të zhvillimit të gjithanshëm,  do të jenë  dhe janë të shumtë, të cilët janë përgjithësuar si tipizime komike dhe ekzistues real në gjirin e shoqërisë sonë shqiptare. Këto skica e tregime na drejtojnë drejtë rrugëve, ku ne shikojmë një tip njeriu që flet me veten, që qesh kot dhe pa ndonjë shkak, një tip i hutuar, naiv, qesh e përqesh të tjerët, merret me politikë dhe bëhet sikur di gjithçka. Këtë satirizim autori e bënë me dhimbje, pasi kjo s’guxon të ndodhi me një shoqëri të shëndetshme. Kjo, realisht, vetvetiu e paraqet  shoqërinë tonë,  fatkeqësisht, sa dramatike, po aq edhe komike. Kësisoj krijoi tipin e tipizuar me konturet e vërteta të njeriut komik, që fatkeqësisht edhe në realitetin e sotëm pluralist mbetet një brengë e përhershme me domethënie të fuqishme sociale, kulturore e politike për shoqërinë shqiptare. Pra, me fjalë të tjera, vepra këtij autori vjen si një përplasje dhe kontradiktë midis të resë dhe të vjetrës, të bukurës dhe të shëmtuarës, komikes dhe tragjikes së gjithëmbarshme shoqërore. Luftë, kjo e cila gjithmonë do të vazhdoje midis gjeneratave të ardhshme.

Një autor thotë se arti nuk njeh kufij dhe se arti është oksigjen i emocionit njerëzor. Duke lexuar në veçanti kajmakun e kësaj përmbledhje, poezinë “ Kasabaja Tun-batun”, e cila, viteve të 90-ta u bë poezia më e përfolur në rrethinat tona, ashtu siç u dukën edhe përmbledhja poetike “ Vdes pas gjërave të imta, të Salajdin Saliut, “ Dyert me zyle”  të Lulzim Hazirit e ndonjë tjetër. “Kasabaja në Tun – batun” ishte nga poezitë më befasuese e viteve 90-ta, më e përfolura, më e lexuara,  por, herë-herë edhe më e përçmuara nga ata që nuk e njihnin artin e satirës dhe të komikes, apo nga xhelozia për vet autorin. Kjo poezi satirike, jo vetë ishte më e qëlluara, dhe më e këndshmja, por unë do kisha thënë ajo mbet edhe një vulë e përhershme e vendit dhe e kohës kur jeton dhe vepron autori. Themi vulë pasi në këtë poezi ngërthehen të gjitha mjetet ndërtuese të satirës, komikes, humorit, e që veprojnë bashkërisht, për të portretizuar hijen magjike të  prapambeturish sonë shekullore:

 

Në Kasabanë Tun- batun

Pihet çaj rusi, hahet somun

Turqit mëzatit i thonë Tosun

Në kasabanë Tun –batun[6]

 

Rrethanat jetësori të kohës dhe vendit ku jeton, autori i njeh mirë, pasi është edhe  vetë pjesë e kësaj bote Batunçe. Hiç nuk ishte lehtë të përballesh me këtë filozofi jete, ku dominon injoranca, padija, smira, xhelozia, vend, ku, siç thotë autori, vetëm Kali i Trojës çmohet. Humbën vlerat  tradicionale,  mikpritja, besa, humanizmi, pasi ka ardhur koha kur “ koka nuk vlen pesë pare- thot autori.

 

N’Tun- batun koka nuk vlen pesë pare

shet djali nënën për të gjetur një çare

kërcejnë ciganët n’dasmat shqiptare. [7]

 

Nga vargjet e cituara kuptohet qartë se autori ka dalë në mbrojtje të dinjitetit kolektiv, në mbrojtje të moralit, burrërisë dhe haptas sulmon veset e ulëta të njerëzve, të cilët, për interes shesin edhe nën e vet, apo të atyre që dasmën shqiptare e mbushin me ciganë etj.

Me mjeshtri të madhe poeti prek edhe qëndrimet e ulëta të pushtetit të kohës, veçmas njerëzit e rendit, të cilët gjithmonë duhet të jenë në krye të detyrës, siç vepronte gjithandej Europa, e jo si policët tanë injorant të pa shkolluar sa duhet dhe fare të pagdhendur  e që veprojnë në kundërshtim me detyrën që kanë dhe në kundërshtim me kodin etik-civil:

N’ Tun-batun milicët ecin civila

Netëve pa hënë lindin kopila[8]

 

Si zakonisht milicët identifikohen me uniformën, por autori thotë milicët civilë, që me siguri e ka fjalën për bashkëpunëtorët e fshehur të pushtetit, spiunët, tradhtarët dhe shërbëtorët e shumtë që mundet të ketë pushteti në kasabanë Tun –batun, të cilët janë të liruar nga uniforma e që mundet të jenë shumë më të ligë se ata me uniformë…

Në këtë poemth, revolta e autorit kalon kufijtë e normales dhe pëlcet duke dashur ta satirizojë dhe  ironizojë  në kulm gjendjen e krijuar në këtë Kasaba, por ky shkallëzim e arin edhe gradacioni më të lartë artistik:

 

Gomari sheshit i kërcen pelës

N’Tun padun luhet poker me njerëz.[9]

 

Sa për kureshtje, poezia e Fatmirit në vete ngërthen edhe atë që quhet refleksive, apo meditative, por shpesh me tone filozofike. P.sh. te poezia ” Nesër është tjetër” “ poeti thotë: “Sot është dje vogëlushi im / me kokrrën e zarit tënd kërkojnë vogëlush[10].  Kjo nënkupton se gjatë të gjitha kohërave, politikat e ndryshme shoqërore, begatitë e tyre i ndërtojnë mbi tragjeditë e të tjerëve. Kjo shoqëri është dhelparake, prandaj, te poezia “Zookopshti” autori thotë: “bishtin dhelpra më të gjatë se këmbët e ka dhe kurrkujt kurrgjë”, pasi në kasaba “ dhe zogu i bardhë në përqafim të anakondës digjet.”[11]

Me këtë vepër Fatmir sulejmani erdhi si një ëndërr në botën reale dhe iu deshtë që të ballafaqohet me shumë të meta të shoqërisë sonë. Por ajo që është pak brengosëse në këtë drejtim, është lënia pas dore e artit letrar, pasi, sa dimë ne, kanë ndikuar shumë rrethana, veçmas angazhimi i tij në jetën publicistike etj.

Shpresojmë që Fatmir Sulejmani t’i rikthehet artit letrar, veçmas satirës, por, mbi të gjitha i dëshirojmë shëndet të plotë dhe suksese të tjera.

 

[1] F. Sulejmani, Lëkura e derrit, Tetovë, 2012, f. 174.

[2] Po aty, f. 122

[3] Po aty, f. 111.

[4] Fatmir Sulejmani, Hamami i Kasabasë në Tun Batun, Shkup, 1994, f. 21

[5] Fatmir Sulejmani, Hamami i Kasabasë në Tun Batun, Shkup, 1994, f. 25

[6] Fatmir Sulejmani, Hamami i Kasabasë në Tun Batun, Shkup, 1994, f. 16.

[7] Po aty

[8] Po aty

[9] Po aty,  f.17

[10] Po aty, f. 9

[11] Po aty f. 8

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button