fbpx

Takimi i radhës Hoti-Vuçiq, vihet në pikëpyetje

Edhe pse ishte paralajmëruar se më 28 shtator, në Bruksel do të zhvillohej takimi i radhës i nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit, ku do të takoheshin kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbajtja e këtij takimi është vënë në pikëpyetje. Burimet diplomatike në Bruksel, thanë për REL se ende nuk është e sigurt nëse do të mbahet ky takim sepse ende nuk kanë konfirmim nga palët.

Arsye për moszhvillimin eventual të takimit mund të jetë refuzimi i Kosovës për të biseduar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje për të cilën u tha se do të diskutohet në kuadër të temës së “aranzhimeve për komunitetet joshumicë”.

Në BE kanë pohuar se për të diskutuar për këtë temë, sikur edhe për çështjet e lidhura me pretendimet financiare dhe pronësore, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq ishin pajtuar gjatë takimit të tyre të mbajtur para dy javësh.

Për temat pronësore dhe financiare delegacionet e të dyjave vendeve në nivel të ekspertëve biseduan javën e kaluar dhe BE-ja paralajmëroi se në ditët në vijim do të diskutohet për çështjen e “aranzhimeve për komunitetet joshumicë”.

Delegacioni i Serbisë, siç kishin konfirmuar edhe palët në dialog, kishte insistuar që për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të diskutohej edhe në takimin e fundit të ekspertëve, por pala kosovare kishte refuzuar një gjë të tillë.

Pas atij takimi, shefi i delegacionit të Serbisë në dialog, në kuadër të nivelit të ekspertëve, Marko Gjuriq kishte thënë se Serbia do të shqyrtojë pjesëmarrjen në takimet e radhës dhe do ta kushtëzojë atë me gatishmërinë e Prishtinës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicës serbe. Gjuriq ishte shprehur se Serbia pret që BE-ja dhe vendet anëtare, të bëjnë presion mbi Prishtinën zyrtare lidhur me këtë çështje.

Në BE ende nuk kanë një përgjigje të prerë se a do të zhvillohet apo jo takimi i paraparë për 28 shtator. Por, disa burime diplomatike pohojnë se, nëse delegacioni i Kosovës vazhdon të kundërshtojë që të diskutohet për “aranzhimet për komunitetet joshumicë”, atëherë do të jetë e vështirë që të organizohet takimi ndërmjet Hotit dhe Vuçiqit.

“Nuk mund të bisedohet vetëm për temat të cilat i dëshiron njëra palë, e të mos diskutohet edhe për temat që paraqet pala tjetër”, ka thënë një burim diplomatik në Bruksel.

Në Kosovë, në javën e kaluar u krijua debat mes liderëve politikë nëse duhet që për temën e Asociacionit të diskutohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. Në anën tjetër, në BE pohojnë se Kosova, pasi ka nënshkruar marrëveshje për themelimin e Asociacionit, tani duhet të dalë edhe me propozim se si ta zbatojë atë.

Por, i pyetur se a do të pranojnë që kjo të realizohet sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2015, ku Gjykata gjeti se Marrëveshja për themelimin e Asociacionit në 23 pika të saja ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, shefi i delegacionit të Serbisë, Marko Gjuriq kishte deklaruar se “e ashtuquajtura Gjykatë Kushtetuese nuk duhet të ketë rol në këtë” dhe këtë përfshirje të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e kishte vlerësuar si tentim për të penguar zbatimin e kësaj pjese të marrëveshjes.

Në BE thonë se vazhdojnë të punojnë në përpjekjet për të organizuar edhe takimin në fjalë në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, javën që vjen.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close