LIBRASHITËSIT…

Nga librashitësit në rrugë blen libra të pluhurosur, të grisur, të nënvizuar, të çmuar, që nuk i gjen nëpër biblioteka dhe librari.

Pas çdo (ri)leximi të këtyre librave duhet t’i pastrosh duart për shkak të pluhurit.

Librat e blerë prej librashitësve ndodh që kanë shënime e nënvizime. Ndodh që bashkë me librin lexon mendime lexuesish të panjohur ose fokusohesh te nënvizimet e tyre.

Shpesh shënimet dhe nënvizimet në margjina ta tërheqin vëmendjen. Nëpërmjet tyre e lexon kulturën e lexuesve paraprakë.

Priftërinjve në mesjetë u lejohej që të shënonin diçka vetëm nëpër margjina librash, ku janë ruajtur të dhëna shumë të çmuara për historinë.

Kur lexon libra të blerë nga librashitësit, për një çmim modest, pyetesh: përse njerëzit kanë vendosur t’i shesin librat ose bibliotekat personale? Mos vallë prej zorit? Mos vallë u ka humbur interesimi për librat? Mos vallë kanë qenë vetmitarë pa trashëgimtarë?

Te librashitësit gjen libra të vlefshëm, por të papërshtatshëm për dekor, sepse shpesh u mungojnë ballinat. Ndodh që u mungojnë edhe fletat e para, ku lexuesit, zakonisht, i shënojnë emrat e tyre.

Mungesa e fletave të një libri mund t’u shkaktojë kokëçarje studiuesve. Ka libra për të cilët nuk e dimë se ku(r) janë botuar, siç është rasti me librin e parë në gjuhën shqipe, “Mesharin” e Gjon Buzukut, që dihet kur është botuar, por nuk e dimë vendin e botimit.

Te bukinistët gjen edhe libra që nuk ta heqin mërzinë. Librat nuk janë shpikur për këtë qëllim, siç ndodh me shumë libra që botohen sot, të cilët të mësojnë si të bëhesh i pasur apo i suksesshëm për një muaj ose për një vit, ndryshe nga çfarë thotë Balzaku se te pasurimet e shpejta vjen era krim.

Shumica e librave të blerë në rrugë nuk ta japin dijen me lehtësi.

Me vetë faktin se blejmë libra të vjetër, të pluhurosur, do të thotë se i konsiderojmë shumë të vlefshëm dhe nuk merakosemi për dukjen e tyre.

Për librat e blerë në librari shpesh bëhet shumë zhurmë, por edhe shpejt harrohen.

Ka shumë libra të vjetër që ngjajnë me verën. Për to kanë folur dhe do të flasin eruditët epokave të ndryshme…

Në qytetin tim rrallë shfaqet ndonjë librashitës, puna e të cilit është e kushtëzuar nga libradashësit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button